Është liruar Alil Demiri, prokuroria u tërhoq nga kërkesa për masën e paraburgimit

Alil Demiri, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, është kapur para dy ditëve nga Policia e Kosovës. Ndaj Demirit kishte urdhër arrest ndërkombëtar dhe Policia njoftoi të enjten se ai është arrestuar të mërkurën rreth orës 22:30.Mirëpo ai një ditë më vonë, të premten ai është liruar, raporton Kallxo.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i tij, Besnik Berisha.

“Pas provave të dorëzuara nga mbrojtja dhe argumenteve sqaruese të dhëna në seancën dëgjimore ku u trajtua kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori që përfaqësoi propozimin u tërhoq nga kërkesa. Alil Demiri tashmë është i lirë”, tha Berisha.

Tutje avokati Berisha tha se Demiri ishte arrestuar dhe ndaluar në mënyrë të kundërligjshme.

Ai tha se Demiri është ndaluar bazuar në një urdhër Interpoli për çështje, që sipas tij tashmë është trajtuar nga gjykata në Kosovë.

“Kërkesa e autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tij tashmë është vendosur dhe refuzuar nga gjykata kosovare në të dy instancat” – tha Berisha.

“Kërkesa e re eventuale që mund të parashtrohet nga autoritetet e RMV-së përbën çështje të gjykuar dhe të trajtuar disa herë. Për këtë arsye arrestimi dhe ndalimi i tij ishte gabim dhe përbën veprim të kundërligjshëm”, shtoi avokati.

Rikujtojmë se,  dje policia e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me policinë e Maqedonisë së Veriut, në Kosovë e kanë arrestuar Alil Demirin (38) në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar nga MPB-ja e Maqedonisë së Veriut, i kërkuar me urdhër të Gjykatës Themelore – Shkup për kryerje të veprës penale “terrorizëm” nga neni 394 i Kodit Penal, në lidhje me vrasjen e rëndë të pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Në rastin “Monstra” të gjykuar me burg të përjetshëm janë Alil Demiri dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailloviq. Me 15 vjet burg është i dënuar Fejzi Aziri, ndërsa Haki Aziri u dënua me nëntë vjet. Njëri nga pesë të akuzuarit, Sami Luta, u shpall i pafajshëm.

Dy të dënuarit me burg të përjetshëm, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq kanë qenë në arrati në Kosovë, ndërsa autoritetet në Prishtinë me vite kanë refuzuar t’i ekstradojnë.

Në vrasjen e pesëfishtë të së Enjtes së Madhe në vitin 2012, u vranë: peshkatari Borçe Stevkovski dhe katër nxënës të shkollave të mesme: Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Atskovski, Kire Trpkovski.

Në datë 1 maj 2012 – Në një aksion policor u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra. Ekipi i ministres së atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, bashkë me zëvendësin e saj, Xhelal Bajrami, ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe eprorë tjerë të Policisë, në një konferencë për shtyp deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.

Më 30 qershor 2014 – Alil Demiri (në mungesë), Afrim Ismailoviq (në mungesë), Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta u dënuan me burgim të përjetshëm për terrorizëm. Për shkak mungesës së provave, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm. Demiri dhe Ismailoviq vazhdojnë të jenë në arrati në Kosovë. Autoritetet e Kosovës nuk i kanë ekstraduar në Maqedoni. Ndërsa vite më vonë, më 23 shkurt 2021 – Gjykata shpalli aktgjykimin për rigjykimin e rastit “Monstra”. Ashtu siç propozoi Prokuroria, Gjykata i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.