Një banor i Shkupit është paraqitur në mënyrë të rreme si mjek nga Italia dhe i ka kërkuar një gruaje të moshuar 35 mijë euro
Një burrë nga Shkupi u ndalua dje në Kriva Pallankë, pasi paraprakisht kishte tentuar të mashtronte një grua të moshuar duke i kërkuar 35.000 euro, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
N. D., dyzet e pesë vjeç, e telefonoi gruan dhe u prezantua si mjek nga Italia, duke i thënë se vajza e saj kishte rënë në Itali dhe kishte pësuar fraktura të shumta në këmbë dhe nofull. Ai i kërkoi 35.000 euro për ta operuar. Meqenëse gruaja nuk kishte aq shumë para, ajo pranoi t’i jepte të gjitha paratë që kishte në shtëpi.
Ndërkohë, ajo telefonoi dhëndrin e saj, i cili e këshilloi të njoftonte policinë. Pasi e bëri këtë, zyrtarët e policisë e gjetën personin pranë shtëpisë së saj dhe e privuan nga liria.
MPB thotë se ai po mbahet në një stacion policor dhe se pasi rasti të dokumentohet plotësisht, do të ngrihen akuza përkatëse kundër tij.