Kremlini mohon të ketë urdhëruar vrasjen e Prigozhinit

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se pretendimet se Kremlini dha urdhër për të vrarë Yevgeny Prigozhin janë “një gënjeshtër e plotë”, raporton euronews.albania.

“Në Perëndim sigurisht që ky spekulim vjen nga një kënd i caktuar. Është e gjitha një gënjeshtër e plotë. Sigurisht që kur flasim për këtë çështje duhet të udhëhiqemi vetëm nga faktet. Nuk kemi shumë fakte për momentin, faktet duhet të sqarohen gjatë hetimeve zyrtare që po kryhen tani”, tha Peskov, shkruan BBC.

Presidenti i SHBA Joe Biden është kritikuar nga Kremlini për komentet që ai bëri në lidhje me rrëzimin e avionit ku mbeti i vrarë Yevgeny Prigozhin.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Ryabkov tha se komentet e Biden ishin të papranueshme, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Tass.

Biden tha të mërkurën se nuk ishte i befasuar nga lajmet dhe se nuk ndodh shumë në Rusi që Vladimir Putin të mos jetë prapa.

Rikujtojmë se, Shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, humbi jetën nga rrëzimi i avionit me të cilin po fluturonte në Rusi, Sipas raportimeve të mediave, në bord ishin edhe nëntë persona të tjerë, të cilët vdiqën po ashtu.