Policia e Kosovës arrestoi Alil Demirin, i dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”

Policia e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me policinë e Maqedonisë së Veriut, në Kosovë e kanë arrestuar Alil Demirin (38) në bazë të fletarrestimit ndërkombëtar të lëshuar nga MPB-ja e Maqedonisë së Veriut, i kërkuar me urdhër të Gjykatës Themelore – Shkup për kryerje të veprës penale “terrorizëm” nga neni 394 i Kodit Penal, në lidhje me vrasjen e rëndë të pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), raporton 360 Gradë, transmeton Portalb.mk

Sipas informacioneve të marra nga policia e Kosovës, ai do të paraqitet para gjykatësit kompetent.

Në rastin “Monstra” të gjykuar me burg të përjetshëm janë Alil Demiri dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailloviq. Me 15 vjet burg është i dënuar Fejzi Aziri, ndërsa Haki Aziri u dënua me nëntë vjet. Njëri nga pesë të akuzuarit, Sami Luta, u shpall i pafajshëm.

Ky aktgjykim është i plotfuqishëm dhe përsëri në shqyrtim është marrë nga Gjykata Themelore Penale Shkup, e më pas është vërtetuar nga Apeli. Rigjykimi i rastit “Monstra” pasoi pasi Gjykata Supreme në vitin 2017 e ktheu rastin që në fillim, me të cilën lëndën e mori Prokuroria Speciale Publike (PSP).

Dy të dënuarit me burg të përjetshëm, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq kanë qenë në arrati në Kosovë, ndërsa autoritetet në Prishtinë me vite kanë refuzuar t’i ekstradojnë.

Në vrasjen e pesëfishtë të së Enjtes së Madhe në vitin 2012, u vranë: peshkatari Borçe Stevkovski dhe katër nxënës të shkollave të mesme: Filip Sllavkovski, Aleksandar Naçevski, Cvetanço Atskovski, Kire Trpkovski.

Rikujtojmë se, në datë 1 maj 2012 – Në një aksion policor u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra. Ekipi i ministres së atëhershme të Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, bashkë me zëvendësin e saj, Xhelal Bajrami, ish shefin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe eprorë tjerë të Policisë, në një konferencë për shtyp deklaroi se të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.

30 qershor 2014 – Alil Demiri (në mungesë), Afrim Ismailoviq (në mungesë), Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta u dënuan me burgim të përjetshëm për terrorizëm. Për shkak mungesës së provave, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm. Demiri dhe Ismailoviq vazhdojnë të jenë në arrati në Kosovë. Autoritetet e Kosovës nuk i kanë ekstraduar në Maqedoni. Ndërsa vite më vonë, më 23 shkurt 2021 – Gjykata shpalli aktgjykimin për rigjykimin e rastit “Monstra”. Ashtu siç propozoi Prokuroria, Gjykata i shpalli fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për ndihmë. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave, Mbrojtja e kundërshtoi vendimin.