Kandidatët republikanë të ndarë mbi mbështetjen për Kievin

Në debatin e parë presidencial të Partisë Republikane, shprehën qëndrime të ashpra ndaj Kinës, por ishin të ndarë sa i përket mbështetjes amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Kandidati kryesor i Partisë Republikane, ish Presidenti Donald Trump nuk ishte pjesë e debatit, por ekspertët i thonë Zërit të Amerikës se ndikimi i tij ishte i ndjeshëm veçanërisht në qëndrimet e kandidatëve në çështjet që kishin të bënim me politikën e jashtme amerikane.

Një nga çështjet kryesore në debatin e parë të kandidatëve republikanë për president, ishin paditë kundër ish Presidentit Donald Trump, kandidatit kryesor për emërimin e partisë Republikane, që refuzoi të merrte pjesë në debat.

Por tetë kandidatët i kushtuan shumë kohë edhe asaj që ata e përshkruan si krizë në rritje të migrantëve përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

I pyetur nëse do të mbështeste dërgimin e Forcave Speciale amerikane në Meksikë për të goditur laboratorët e fentanilit dhe operacionet e karteleve të drogës, guvernatori i Floridës Ron DeSantis tha se do ta bënte një gjë të tillë në ditën e tij të parë në detyrë.

Çështja që nxorri në pah dallimet më të mëdha midis kandidatëve, ishte mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.

Vivek Ramaswamy, një figurë e re në politikë, tha se është pro ndërprerjes së ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.

“Sepse nuk i çon përpara interesat amerikane. Unë nuk po kandidoj për president për ndonjë rol tjetër, veçse të kujdesem për interesat e amerikanëve. Megjithatë, plani im për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me siguri do të jetë më i mirë për Ukrainën. Të paktën qëndrimi im përfshin sovranitet dhe integritet, gjë që nuk është pjesë e planit të tanishëm”, tha zoti Ramaswamy për Zërin e Amerikës.

Gjatë debatit ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i përdorin ato fonde për të parandaluar krizën në kufirin jugor amerikan.

Me qëndrimin e tij nuk pajtohet ish-Guvernatori i Askansasit, Asa Hutchinson.

“Shtetet e Bashkuara po mbështesin përpjekjet e Ukrainës dhe unë jam mbështetës i kësaj ndihme. Duhet të sigurohemi se Ukraina është e pajisur mirë, se ka mjetet e nevojshme për të luftuar agresionin rus”, tha zoti Hutchinson për Zërin e Amerikës.

Ndërsa ish Nënpresidenti Mike Pence tha se ka vizituar Ukrainën dhe ka parë me sytë e tij veprimet e ushtrisë ruse kundër civilëve ukrainas.

“Amerika duhet të jetë atje për të mbështetur ushtrinë ukrainase. Nuk kam asnjë dyshim se nëse do ta lejonim Putinin ta pushtonte Ukrainën, do të ishte vetëm çështje kohe para se ai të kalonte kufirin për të cilin do të duhej të luftonim”, tha zoti Pence për Zërin e Amerikës.

Kandidati dhe ish Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie vizitoi Ukrainën në fillim të këtij muaji dhe tha se Shtetet e Bashkaura duhet të qëndrojnë përkrah Kievit për aq kohë sa është e nevojshme.

Së fundmi në një tubim, ish Presidenti Trump kritikoi Presidentin Biden për, siç u shpreh ai, “dërgimin e trupave në Evropë për të acaruar këtë konflikt të përshkallëzuar” në Ukrainë. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se politika e jashtme izoluese e zotit Trump, ka shkaktuar ndarjet në Partinë Republikane.

“Kjo nuk është një gjë e re brenda Partisë Republikane. Çështjet e politikës së jashtme tani janë më të theksuara, sepse ka shumë fraksione të ndryshme si rezultat i katër viteve në detyrë të Donald Trumpit”, thotë Britan Katulis nga Instituti i Lindjes së Mesme.

Një tjetër ekspert tha se kandidati Ramaswamy ishte më afër me qëndrimet e zotit Trump.

“Mendoj se ai po përhap argumentat e Trump-it. Nganjëherë, duket sikur ai po konkurron për rolin e nënpresidentit të Trumpit, duke pasur parasysh qëndrimet e tyre të ngjashme”, thotë Michael Kimmage, Universiteti Katolik i Amerikës.

Debati i ardhshëm republikan do të mbahet më 27 shtator në Kaliforni, ku pritet të marrin pjesë më pak kandidatë.