Është gënjeshtër që do ta lëshojmë Maqedoninë në këmbim të euros, deklaroi kryediplomati bullgar Georgiev

Eurodeputetët bullgarë kërkuan hetim për raportuesin për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Tomas Vajc, duke e akuzuar për njëanshmëri në draft-raportin, raporton TV21.

Debati për Raportin u shty për më datë 24 të këtij muaji, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski është i sigurt se teksti i Vajc do të miratohet.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë bullgarë kritikuan edhe komisioneren evropiane për zgjerim, Marta Kos.

Kreu i diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, e vlerësoi si gënjeshtër tezën e opozitës bullgare se Sofja zyrtare do ta lejojë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së në këmbim të dritës së gjelbër nga Brukseli për pranimin e euros si valutë në Bullgari.

Ndryshe, deputetët bullgarë në fillim të muajit qershor në Parlamentin Evropian kanë ushtruar presion për të shtyrë votimin e një raporti të rëndësishëm mbi përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ata akuzojnë raportuesin, eurodeputetin austriak Thomas Waitz (nga grupi i të Gjelbërve), se është shumë i afërt me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe se ka injoruar problemet e minoritetit bullgar në RMV, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe dhunën ndaj tyre. Politico raporton se e ka parë raportin dhe i njëjti përfshinte në fakt edhe kërkesa për mbrojtjen e minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut nga gjuha e urrejtjes.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.