Eurodeputeti austriak akuzohet nga Bullgaria për afërsi me Shkupin, çka ndodhi në Parlamentin Evropian për raportin e RMV-së?

Deputetët bullgarë në Parlamentin Evropian kanë ushtruar presion për të shtyrë votimin e një raporti të rëndësishëm mbi përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ata akuzojnë raportuesin, eurodeputetin austriak Thomas Waitz (nga grupi i të Gjelbërve), se është shumë i afërt me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe se ka injoruar problemet e minoritetit bullgar në RMV, përfshirë gjuhën e urrejtjes dhe dhunën ndaj tyre. Politico raporton se e ka parë raportin dhe i njëjti përfshinte në fakt edhe kërkesa për mbrojtjen e minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut nga gjuha e urrejtjes, transmeton Portalb.mk.

Raporti ishte dakordësuar nga katër grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian dhe përfshinte thirrje për mbrojtjen e minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, për shkak të presionit të 17 eurodeputetëve bullgarë, votimi u shty për në fund të qershorit.

Thomas Waitz mohoi akuzat dhe tha se po sulmohet politikisht për shkak se nuk pranoi të ndryshonte pjesë të raportit që njohin identitetin e veçantë maqedonas, gjë që kundërshtohet nga pala bullgare. Ai shtoi se është përballur me kërcënime pasi numri i tij i telefonit u publikua në rrjete sociale të ekstremit të djathtë në Bullgari.

Kjo çështje nxjerr edhe një herë në pah tensionet historike midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë penguar në mënyrë të përsëritur procesin e integrimit evropian të Shkupit.

Bullgaria prej kohësh ka akuzuar fqinjën e saj perëndimore për pastrim të historisë së përbashkët dhe për mohimin e rrënjëve bullgare të gjuhës dhe identitetit maqedonas. Bullgaria ka përdorur më shumë se një herë të drejtën e vetos për të penguar bisedimet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, duke kërkuar reforma kushtetuese dhe arsimore si kushte për përparim.

Waitz ka thënë se akuzat filluan pasi ai u kundërvu kur eurodeputetët bullgarë u përpoqën të dobësonin njohjen nga Parlamenti të identitetit të veçantë maqedonas në Maqedoninë e Veriut.

Çështja u përshkallëzua shpejt në Sofje, ku zyrtarët kërkuan që raporti të hiqej krejtësisht.

Kryeministri bullgar kontaktoi presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, para votimit, për të kërkuar vonesë, sipas tre ndihmësve parlamentarë që folën nën kusht anonimiteti. Zëdhënësi i Metsolës dhe qeveria bullgare nuk kanë konfirmuar nëse ka pasur një telefonatë të tillë.

Raporti që nuk u votua, i dakordësuar nga katër grupet kryesore politike në Parlament dhe që Politico e ka parë, përfshinte në fakt edhe kërkesa për mbrojtjen e minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut nga gjuhë urrejtjeje dhe krime të urrejtjes.

Zyrtarët e qeverisë bullgare dhe anëtarët e Parlamentit Evropian akuzuan Waitz për fshehjen e takimeve lobuese me zyrtarët e Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar se ai favorizonte kërkesat e Maqedonisë së Veriut, ndërsa u kishte rrjedhur atyre informacione konfidenciale dhe kishte injoruar kontributin bullgar.

Eurodeputeti bullgar Andrey Kovaçev tha se letra u shkrua në përgjigje të deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut “i cili në disa deklarata të njëpasnjëshme pranon vetë se ka punuar me raportuesin në muajt e fundit”.

Zyra e Waitz mohon çdo bashkëpunim të veçantë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Waitz për Politico tha se është standarde të takohesh me zyrtarë nga vendi për të cilin flet raporti, jo nga fqinji i tij.

Politikanët bullgarë po bëjnë gjithçka që munden për të rrëzuar raportin, tha Waitz, “duke përfshirë fushata shpifjesh, akuza të rreme për korrupsion, akuza të rreme për anshmëri”.

Ai përmendi disa mesazhe kërcënuese që mori pasi numri i tij i telefonit u zbulua në llogaritë e mediave sociale të ekstremit të djathtë bullgar.

Fushatat e shpifjeve, tha ai, po përpiqen “të ngadalësojnë procesin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE”.

Kovaçev tha se “ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore, duam që (Maqedonia e Veriu) të mos humbasë më kohë… dhe të fillojë menjëherë negociatat e anëtarësimit (në BE).”

Drafti i raportit të progresit për vendin për vitin 2023 dhe 2024, i përgatitur nga eurodeputeti Weitz, duhej të ishte në seancën e 4 qershorit të AFET. Dokumenti thekson nevojën për të ruajtur vrullin dhe vëren se vendi vazhdon të demonstrojë angazhim për integrimin evropian dhe përafrimin me politikat e BE-së. Në të njëjtën kohë, ai bën thirrje për përparim të shpejtë në negociatat dhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.

Përpara seancës së AFET-it, kryeministri Hristijan Mickoski tha se një eurodeputet bullgar do të përpiqet ta përkufizojë identitetin dhe gjuhën maqedonase si “aktuale”, dhe jo siç deklaroi Weitz – shekullore. Ai u bëri thirrje eurodeputetëve të dëgjojnë me kujdes mesazhet nga Bullgaria, duke vlerësuar se propozimi për të shtuar fjalën “aktuale” është një përpjekje për të krijuar një komb të ri, artificial maqedonas.

Mickoski tha se kishte informacion se si do të votonin partitë simotra të VMRO-DPMNE-së për raportin e Parlamentit Evropian mbi progresin e vendit, por nuk donte ta zbulonte atë dhe këshilloi të pritej deri kur raporti të diskutohej nga eurodeputetët.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.