Ësht rritur në 7.028 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Me 481 viktima në 24 orët e fundit është rritur në 7.028 numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës të cilën Izraeli e mban nën sulme intensive prej 20 ditësh, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra në një konferencë për media në qytetin e Gazës tha se në sulmet që vazhdojnë që nga 7 tetori e deri më tani kundër Rripit të Gazës, Izraeli ka vrarë 7.028 persona, përfshirë 2.913 fëmijë, 1.709 gra dhe 397 të moshuar si dhe ka plagosur 18.484 persona.

“Nga dje e deri më sot Izraeli ka kryer 43 masakra”, tha Al-Qudra duke shtuar se në 24 orët e fundit në Gaza janë vrarë 481 palestinezë. Al-Qudra tha se ushtria izraelite ka vrarë 5.224 persona nga 731 familje në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

Ai bëri të ditur se ende ka persona që ndodhen nën ndërtesat e shembura nga sulmet e Izraelit në Gaza. Al-Qudra shtoi se janë raportuar 1.650 të zhdukur prej të cilëve 940 fëmijë.

– Kanë mbetur jashtë shërbimit 12 spitale dhe 32 qendra mjekësore

Zyrtari palestinez tha se forcat izraelite kanë shënjestruar shërbimet shëndetësore, ku si pasojë janë vrarë 101 punonjës shëndetësie dhe se kanë mbetur jashtë funksionit edhe 25 ambulanca.

“Izraeli ka vendosur në objektiv 57 institucione shëndetësore. 12 spitale dhe 32 qendra mjekësore kanë mbetur jashtë shërbimit për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite ose mungesës së karburantit. Izraeli ka shkaktuar rënien plotësisht të sistemit shëndetësor në mënyrë të qëllimshme, duke penguar hyrjen e karburantit dhe nevojave urgjente mjekësore”, tha Al-Qudra.

Duke paralajmëruar për katastrofë shëndetësore, Al-Qudra tha: “Paralajmërojmë për një fatkeqësi shëndetësore pasi spitalet po kthehen në qendra strehimi ku jetojnë dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur të cilët jetojnë në kushte jo të shëndetshme që shkaktojnë përhapjen e epidemive dhe sëmundjeve infektive”.

Ai bëri thirrje të ndërmerren masa urgjente për të siguruar trajtimin e mijëra të sëmurëve dhe të plagosurve me rindërtimin e sistemit shëndetësor të rrënuar. Al-Qudra përsëriti thirrjen e tij ndaj Egjiptit për hapjen e pikës kufitare Rafah, dërgimin në Gaza të ndihmës mjekësore, karburantit dhe punonjësve shëndetësorë dhe trajtimin e të plagosurve jashtë Gazës.

– Situata e fundit në sulmet e Izraelit ndaj Gazës

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”.

Ushtria izraelite më pas nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Raportohet se mbi 1.400 izraelitë, përfshirë 309 ushtarë humbën jetën ndërsa 5.132 u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Raportohet se mbi 100 palestinezë janë vrarë në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar. Në rajonet e konfliktit kanë humbur jetën 25 gazetarë, shumica nga bombardimet izraelite.

Në përleshjet që nisën mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin më 8 tetor, humbën jetën 45 anëtarë të Hezbollahut si dhe 4 civilë, përfshirë një gazetar.

Në sulmet e kryera nga Libani kanë humbur jetën 3 ushtarë izraelitë dhe një civil izraelit.