Të rinjtë e “Zhurkaq” në pesë muajt e ardhshëm do të investojnë në pastrimin e parkut të Shkupit

Projekti ekologjik “Zhurkaq për pjesën e vjetër të parkut” është nisma e disa të rinjve që në pesë muajt e ardhshëm do të investojnë në pjesën e vjetër të parkut të Shkupit duke siguruar kontejnerë për mbeturina me qëllim të ruajtjes së mjedisit jetësor. Ata gjithashtu apelojnë te të gjithë që dëshirojnë të kyçen, atë mund ta bëjnë duke dhuruar online në “Go Get Funding”, raporton Portalb.mk.

“Zhurkaq” përbëhet nga një grupi i ri shqiptarësh me iniciativë për të zhvilluar kulturën urbane dhe për të mbështetur artistët e rinj në skenën muzikore të Maqedonisë së Veriut. Emërtimi i tyre “Zhurkaq” vjen nga fraza “zhurk” që domethënë mbrëmje zbavitëse.

Sipas projektit të tyre ekologjik ata do të sigurojnë 40 kontejnerë për mbeturina me kapacitet prej 30 deri në 50 litra në pjesën e vjetër të parkut të Shkupit.

Të rinjtë, për Portalb.mk thanë se me qëllim që të kontribuojnë në shoqëri, “Zhurkaq” ka anketuar disa të ri, përgjigjet e të cilëve kanë treguar se në pjesën e vjetër të parkut të Shkupit ka mungesë të kontejnerëve për mbeturina.

“Ne vendosëm të fillojmë me këtë projekt, pas përgjigjeve që morëm  nga të rinjtë në një pyetësor që u’a parashtruam, ku ata treguan se njëri prej problemeve që i shqetëson ata janë mbeturinat në pjesën e vjetër të parkut të qytetit të Shkupit. Meqenëse parku i qytetit është vendi ku të rinjtë mblidhen çdo ditë, ne si komunitet vendosëm të  sigurojmë 40 kontejnerë për mbeturina” thanë të rinjtë nga Zhurkaq.

Shuma që të rinjtë e kanë paraparë për realizimin e këtij projekti është mbi 600 mijë denarë, një shumë që ata planifikojnë ta plotësojnë duke i ndarë përfitimet që ata marrin nga ngjarjet që i organizojnë por edhe nga donacionet e kompanive me të cilët ata bashkëpunojnë. Ndërkaq, për të gjithë që dëshirojnë të kyçen në këtë projekt, atë mund ta bëjnë duke dhuruar online në këtë link.