EPIDEMITË

Lloji jonë e ka emërtuar veten fare pa modesti “homo sapiens”, që në përkthim nga latinishtja do të thotë: “njeriu i mençur apo i ditur”. Ky emërtim është bërë në bazë të logjikës së zhvilluar të njeriut si qenje që dallon nga qeniet tjera në natyrë në bazë të intelektit që qeniet tjera nuk e kanë, ndërsa ne e kemi.

Por dita ditës lloji jonë e demanton këtë emërtim. Mençuria, dituria, dhe logjika e shëndoshë sikur mungojnë gjithnjë e më shumë dhe të njëjtat zëvendësohen me veprime stihike, të pamenduara, të bazuara në gjithçka tjetër përveç se në logjikë të shëndoshë. Fundja autorë të shumtë kanë vërtetuar se homo sapiensi, edhe pse me një intelekt për t’ia pasur lakmi, jo gjithmonë i bazon veprimet e tija në arsye, por shpesh ndërmerr veprime emocionale, në bazë të informatave të kufizuara që i ka, dhe shpesh në mënyrë stihike, duke ndjekur turmën pa u ndalur që në mënyrë kritike t’i analizojë veprimet e asaj turme.

Në botën e sotme, veprimet e njeriut janë të ndikuara nga shumë burime, më së shumti nga algoritmet e ndryshme që depërtojnë thellë në psikën tonë dhe i ngacmojnë emocionet që pastaj na bëjnë të ndërmarrim veprime, që mendojmë se i bazojmë në zgjedhje të informuar, por në fakt vetëm i kryejmë veprimet që dikush i ka paracaktuar për ne. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për euforitë e ndryshme parazgjedhore si këto që po i shohim tani, edhe kur ka mjaft kohë deri tek zgjedhjet e dyfishta të këtij viti, e megjithatë gjakrat janë trazuar dhe narrativi shkon gjithnjë e më afër patetikes. E kam fjalën për veprime të homo sapiensit të cilat ai beson se i ndërmerr me logjikë të shëndoshë, e në fakt janë gjithçka tjetër përveç logjikës së shëndoshë.

Qyteti i Shkupit është shumë afër shpalljes së epidemisë së kollit të keq tek fëmijët. Ngjashëm me këtë, edhe në shtete tjera në rajon po paraqiten epidemi të sëmundjeve të cilat duhej të ishin zhdukur me kohë, si tuberkulozi ose morbili. Njeriu si qenie e mençur dhe e ditur është munduar gjatë gjithë ekzistencës së vetë të gjejë zgjidhje kreative për problemet. Sëmundjet ngjitëse kanë qenë njëri ndër problemet më të mëdha të njerëzimit. Në kohën e paditurisë, kur homo sapiensi nuk ka ditur për viruset e bakteriet që i shkaktojnë këto sëmundje, ka kërkuar zgjidhje irracionale për këto probleme. Qasja ka qenë që njeriun e sëmurë e ka magjepsur ndonjë demon dhe ky është dashur të shërohet me metoda yshtjeje e egzorsizmi. Me kalimin e kohës dhe zhvillimin e shkencës, është zbuluar shkaku i sëmundjes dhe më pas edhe ilaçi. Me vite e dekada njerëzit më të mençur të llojit tonë kanë punuar që të krijojnë imunizimet që sot i njohim si vaksina. Në kohën kur fëmijët kanë vdekur nga difteria, pertusis, fruthi e tuberkulozi, vaksinat e kanë shpëtuar njerëzimin nga këto sëmundje dhe kanë kontribuar dukshëm në rritjen e kualitetit të jetës për fëmijët që tani me vetëm disa pika ilaç mbrohen nga një sëmundje e frikshme si që është poliomiliti. Dhe tani, në këto kohëra moderne, kur mendohet se këto sëmundje nga të cilat kanë humbur jetën shumë fëmijë duhet të ishin zhdukur përgjithmonë, të njëjtat riparaqiten dhe i rrezikojnë sërish fëmijët tanë. Përse? Sepse ka prindër të cilët janë bërë doktorë duke lexuar në Google dhe kanë marrë vendim se fëmijët e tyre nuk do të vaksinohen, sepse me vaksinë rezikoheshkan nga sëmundje tjera si që është autizmi! Tani duke dashur t’i mbrojmë fëmijët nga autizmi, rrezikojmë që ata të na vdesin nga pertusis apo kolli i keq. Bukur shumë, arritje e madhe e llojit homo sapiens!

Prindët që refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre bartin përgjegjësi për përhapjen e këtyre sëmundjeve. Kur popullata është tërësisht e vaksinuar, i mbron jo vetëm të vaksinuarit, por i mbron edhe ata që ende nuk mund të vaksinohen, duke pasur parasysh që fëmijët e posalindur vaksinën e parë DiTePer e marrin në moshën tremujore. Kur paraqiten epidemi të tilla, ata që janë më së shumti të rrezikuar janë pikërisht të posalindurit të cilët pa fajin e tyre përballen me sëmundje të cilat moti duhej të ishin zhdukur. E drejta e dikujt për të shprehur mendimin e vet dhe për të vendosur lidhur me shëndetin e fëmijës së vet, nuk guxon ta shkelë të drejtën e prindit tjetër për ta mbrojtur fëmijën e vetë nga sëmundjet nga të cilat rrezikohen për shkak se ata të parët refuzojnë të vaksinohen. Kjo vërtet është shumë absurde dhe e pakuptimtë, sepse fëmija i dikujt, tërësisht i pafajshëm dhe i sapoardhur në këtë botë, rrezikohet nga neglizhenca e dikujt tjetër që refuzon t’i shohë pasojat e veprimeve të veta.

Homo sapiensi jo gjithmonë i sjell vendimet e bazuara në logjikë të shëndoshë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.