Eko svest: Publiku duhet të dijë se si do të shpenzohen tre miliardë euro për tranzicionin energjetik

Organizatat ekologjike nga vendi duan që publiku të shohë projektet në të cilat do të duhet të investohen tre miliardë euro për tranzicionin energjetik të vendit, të cilat u shpallën në Konferencën e fundit për Ndryshimet Klimatike të mbajtur në Dubai, transmeton Portalb.mk.

Anëtarët e Koalicionit Kombëtar për Klimën shprehen se janë të pakënaqur me jotransparencën e procesit dhe faktin që Plani i Investimeve për Tranzicionin e Përshpejtuar nga Qymyri nuk përmban projekt propozime specifike që duhet të realizohet në rrugën drejt një vendi neutral ndaj karbonit, kështu që mbetet e paqartë se si do ta bëjnë transformimin dy rajonet më të prekura të qymyrit, Manastiri dhe Kërçova.

Krahas jotransparencës, ata besojnë se fakti që plani është publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë vetëm në gjuhën angleze dhe vetëm dy ditë para debatit publik, nuk u lë mundësinë banorëve të këtyre qarqeve të prezantojnë pikëpamjet e tyre.

Plani i investimit është pjesë e Platformës së Investimeve për Tranzicion të Drejtë Energjetik, e cila u prezantua në COP28 dhe e cila pritet, me ndihmën e institucioneve financiare ndërkombëtare, nga ku duhet të mobilizohen deri në tre miliardë euro, për vendin, që është historikisht i varur nga qymyri për të transformuar sektorin e tij energjetik dhe ekonominë në një sektor me karbon të ulët.

“Ky plan është një dokument strategjik për sektorin e energjisë që duhet të sigurojë pjesëmarrjen e publikut, veçanërisht të popullatës lokale në rajonet e qymyrit. Anëtarët e Koalicionit Nacional për Klimën vendosën që të mos marrin pjesë në prezantimin publik të draft-planit investues, sepse nuk janë plotësuar kushtet për konsultim të duhur”, thotë Elena Nikolovska nga Eko Svest.

Organizata mendon se dokumenti duhet të përkthehet në gjuhën maqedonase dhe të vihet në dispozicion të të gjithë palëve të interesuara, veçanërisht banorëve të dy rajoneve, me një afat të arsyeshëm për të dorëzuar komentet, jo vetëm dy ditë para debatit publik. Ambientalistët kërkojnë që plani të përmbajë projekte specifike dhe për të të bëhet një Vlerësim Strategjik Mjedisor, për të cilin të organizohen edhe debate publike.

Platforma duhet të ndihmojë në mobilizimin e fondeve të investimeve si dhe asistencës politike dhe teknike për të përshpejtuar tranzicionin energjetik të vendit dhe vendosjen e 1.7 GW të kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030 me rrjetin shoqërues dhe infrastrukturën e magazinimit. Përpara COP28, Ministritë e Ekonomisë dhe Mjedisit njoftuan se paketa mbështetëse duhet të sigurojë rezultate pozitive nga tranzicioni i gjelbër, duke mbrojtur njëkohësisht vendet e punës dhe jetesën e komuniteteve të prekura.

Platforma e investimeve u krijua bazuar në Strategjinë Afatgjatë për Veprimin Klimatik dhe politikat ambicioze të vendit për të reduktuar emetimet neto të gazeve serrë me 82% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990.