Zgjerimi i ardhshëm ose revolucioni evropian në ndërtim e sipër

Nuk është çështja të dimë nëse Bashkimi Evropian do të zgjerohet, as kur, por si do ta arrijmë deri te ajo që të forcojmë Evropën tonë.

Shtojcë e doktrinës së Lorans Bun-it, Sekretare e Shtetit për Evropën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës

Në pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme, Bashkimi Evropian do të pësojë ndryshime të rëndësishme, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht. Rruga nuk është ende e qartë, e as destinacioni, por ky është ndryshimi i radhës – ekzistencial – në kontinentin tonë, i cili po ndërtohet dhe ravijëzohet. Në fakt, vendet anëtare bënë një zgjedhje të qartë politike në qershor të vitit 2022: t’i jepnin statusin e kandidatit të BE-së Ukrainës dhe Moldavisë. Duke votuar unanimisht, të 27 shtetet anëtare përdëftuan se këto dy vende, si dhe vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, kanë synimin dhe shestimin t’i bashkohen projektit evropian. Pyetja sot nuk është më nëse duhet ta zgjerojmë Bashkimin Evropian, as kur duhet ta bëjmë atë – ne duam që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur – por si ta bëjmë një gjë të tillë.

Pyetja “si” mund të konsiderohet nga disa aspekte: aspekti historik, gjeopolitik dhe, më thelbësor, ai politik.

Fillimisht, konteksti historik në të cilin do të ndodhë ky zgjerim i ri është krejtësisht i ndryshëm nga vala e fundit e madhe e zgjerimit që ndodhi në vitin 2004, kur dhjetë vende iu bashkuan Bashkimit Evropian. Njëzet vjet më parë, epoka postkomuniste na bëri të besojmë se më në fund demokracia kishte mbizotëruar një herë e përgjithmonë dhe se lufta ishte bërë e pamundur në kontinentin tonë. Gjithashtu, në një kontekst më të gjerë, besohej se me zhvillimin ekonomik dhe me valën e përndritjes, demokracia e informuar do të mbizotëronte mbi njëfarë obskurantizmi (errësire), që shkonte tok paralelisht, krah për krah me regjimet autokratike. Jetonim atë që quhej iluzioni i Fundit të Historisë.

Çështja sot nuk është më nëse duhet ta zgjerojmë Bashkimin Evropian, as kur duhet ta bëjmë një gjë të tillë – duam ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur – por si ta bëjmë.

Sot jetojmë në një konfiguracion gjeopolitik krejtësisht të ndryshëm. Kjo është bota e krizës së shumëfishtë dhe ndërqeverisjes (interregnum-it), do të shërbehem me terminologjinë e revistës “Kontinenti i Madh”. Tensionet globale dhe agresioni janë vazhdimisht në rritje, ndërkaq buxhetet ushtarake po rriten me shpejtësi fluturuese. Në Izrael, në Arktik, në Siri, Libi, Armeni dhe sigurisht në Ukrainë, zonat e konfliktit po shumohen. Së këndejmi, zgjerimi i radhës i BE-së do të ndodhë në një kontekst gjeopolitik që është larg fundit të historisë dhe shumë më afër frikës së konflikteve në rritje e sipër, kthimit të urrejtjes antisemite dhe fetare, intolerancës dhe rritjes së autokracisë. Fakti që këtu mund të përfshihen vende që kanë mosmarrëveshje territoriale të pazgjidhura, si Kosova dhe Serbia, është gjithashtu tejet shqetësues.

Mbi të gjitha, zgjerimi na thërret të reflektojmë mbi vetë natyrën e Bashkimit Evropian dhe të përcaktojmë qëllimin e tij politik. Historikisht, misioni i Bashkësisë Europiane ka qenë i bazuar në parimin e “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë, gjegjësisht më të afërt”, i cili tani është i përfshirë në nenin 1 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Ligjërimi i arkitektëve të parë evropianë shkonte në atë drejtim, që e shikonte gjithmonë të ardhmen si një burim integrimi të mëtejshëm. Prandaj, ndërtimi evropian u zhvillua përmes një procesi të thellimit të lidhjeve, me një qëllim afatgjatë federal. Por kohërat kanë ndryshuar. Sa nga 27 vendet e shohin ende këtë gjë si parimin e tyre udhërrëfyes, si busull orientuese? Tanimë po diskutohet për shtrirjen e kompetencave të transferuara në Bashkimin Evropian. Dhe ajo që mund të planifikohet me 6, 12 apo 15 shtete anëtare është gjithnjë e më pak e mundur me secilin zgjerim të mëpasshëm. Prandaj ne duhet të mendojmë për natyrën e bashkimit të ardhshëm. Siç theksoi Aleksandar Adam në punimin e tij rishtar, zgjerimi është një moment “sqarimi”, që duhet të na shtyjë të mendojmë për qëllimin përfundimtar të projektit evropian.

Ky zgjerim do të ndryshojë natyrën e Bashkimit Evropian. Për dallim nga viti 2004, nuk bëhet fjalë më vetëm për t’u bashkuar me tregun e brendshëm, që do të thotë bashkim ekonomik që do të ishte hapi i parë drejt federalizmit klasik. Ky zgjerim i ri do të krijojë bashkim me një diversitet më të madh të vendeve, kulturave, standardeve të jetesës dhe ambicieve gjeopolitike, andaj është i ndryshëm nga federalizmi. Do të jetë një bashkim unik në qëllimin dhe organizimin e tij. Për të qenë të suksesshëm në këtë transformim, në radhë të parë duhet të sqarojmë se çfarë presim nga zgjerimi duke përcaktuar qëllimet tona. Kjo kërkon që ne t’i bëjmë vetes tre lloje pyetjesh e që ndërlidhen me: qëllimet politike, qeverisjen dhe buxhetin.

Anna-Eva Bergman, « La grande montagne », 1957. © Adagp, Paris, 2023
Anna-Eva Bergman, « La grande montagne », 1957. © Adagp, Paris, 2023

Si duhet të na ndihmojë zgjerimi që ta shqyrtojmë natyrën e bashkimit të ardhshëm

 

Kemi shumë punë përpara që të ndërtojmë themelet e këtij Bashkimi Evropian të transformuar. Ne nuk mund ta bëjmë këtë pa ngritur pyetjen se si kontribuon zgjerimi në këtë gjë. Duke pasur këtë në mendje, unë do të identifikoj tre kontribute kryesore: sigurinë, fuqinë ekonomike dhe dixhitale, si dhe kohezionin ekonomik dhe social.

Kontributi në garantimin e sigurisë së kontinentit evropian

Njëri nga objektivat parësorë të zgjerimit është garantimi i sigurisë së kontinentit evropian. Të gjithë treguesit tregojnë se peizazhi ndërkombëtar vazhdon të karakterizohet nga ngritja e lëvizjeve autoritare dhe nacionaliste, përderisa peizazhi evropian do të vazhdojë të goditet nga luftërat dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme territoriale, në një nivel më të ulët. Për të shmangur ndërhyrjen e huaj, që do të nxiste këto mosmarrëveshje dhe konteste dhe do të përpiqeshte të destabilizonte kufijtë tanë, ne duhet t’u ofrojmë këtyre vendeve perspektiva më të mira ekonomike dhe të sigurisë.

Megjithatë, kjo nuk do të mjaftojë dhe Evropa duhet të zhvillojë aftësitë e saj mbrojtëse. Agresioni rus na ka shtyrë të përforcojmë zhbindjen tonë kolektive, në mënyrë që të sigurojmë kufijtë tanë dhe të ndërtojmë një kapacitet të fortë diplomatik të aftë për ndikim në nivel global.

Duke e pasur parasysh këtë, evropianët duhet të japin një kontribut më të madh në mbrojtjen e tyre kolektive. Për të arritur këtë, shtetet anëtare duhet të rrisin investimet në aftësitë e tyre mbrojtëse dhe pajisjet operacionale. Është bërë përparim i vërtetë në këtë fushë, ndërkaq Bashkimi tani ka një busull strategjik. Të gjitha shtetet anëtare po riinvestojnë në mbrojtjen e tyre dhe janë të vetëdijshëm për cenueshmërinë e tyre ndaj kërcënimit për një tërheqje amerikane. Ne duhet të shkojmë më tej, veçanërisht duke forcuar bashkëpunimin tonë në industrinë e mbrojtjes, kibernetike, dixhitale dhe hapësinore, si dhe në drejtim të strategjisë dhe ndërveprueshmërisë.

Agresioni rus na ka shtyrë të forcojmë kapacitetet tona për parandalim kolektiv me qëllim të sigurimit të kufijve tanë dhe në drejtim të ndërtimit të një diplomacie të fortë.

Shumë shpesh mungon përgjigja evropiane në këto fusha. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të punojmë më konkretisht në një paket synimesh për një Evropë të zgjeruar: garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe vendet e tjera kandidate jo-anëtare të NATO-s, objektivat për kapacitetet që ofrojnë mbështetje evropiane me pajisje evropiane, objektivat për ndërveprueshmërinë dhe kulturën strategjike dhe dialog të forcuar për çështje që lidhen me mbrojtjen kundërraketore dhe kundërajrore. Për të gjitha këto, ne duhet të shqyrtojmë mandatin dhe funksionet e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes.

Zhvillimi i fuqisë ekonomike dhe dixhitale

Nuk mund të flasim për fuqi gjeopolitike, as për kapacitet ndikues, pa fuqi ekonomike dhe dixhitale. Le të jemi të qartë: diplomacia jonë e ardhshme do të bazohet në asetet (mjetet) tona. Kjo është arsyeja se pse zgjerimi duhet të kontribuojë në ndërtimin e fuqisë ekonomike dhe dixhitale të Bashkimit Evropian.

Në këtë temë, është bërë shumë përparim kohët e fundit dhe dinamika evropiane është e fortë, e nxitur nga një ndjenjë e urgjencës që lind nga rivaliteti në rritje midis SHBA-së dhe Kinës, lufta në Ukrainë dhe zhvillimi i shpejtë rishtar i inteligjencës artificiale. Nuk do të hyj në listën e masave, sepse ekzistojnë shumë të tilla, por besoj se mund të dallojmë ndryshime të mëdha doktrinore në politikën industriale, në nocionin e sigurisë ekonomike dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik, me theks në tranzicionin dhe sigurinë. Ashtu siç edhe është thënë, ne do të duhet të përfundojmë ndërtimin e tregut të vetëm të energjisë dhe të shtojmë përpjekjet tona në sektorin dixhital, ku nuk jemi mjaft të fortë. Kjo mund të jetë objekt i një akti të dytë unik evropian. Raportet e Enriko Letas dhe Mario Dragit mbi tregun e përbashkët dhe konkurrencën evropiane do të na mundësojnë të bëjmë përparim në këtë temë. Qëllimi ynë kryesor duhet të jetë të bëhemi më konkurrues ndaj SHBA-ve dhe Kinës. Ne duhet të jemi më strategjikë në marrëveshjet tona të tregtisë dhe investimeve me Afrikën, Amerikën Latine dhe Jugore dhe Indo-Paqësorin. Portali global ishte leva e parë e veprimit, por ai nuk shkon aq larg sa duhet.

Forcimi i kohezionit ekonomik dhe social

Fundja, që secili të ndihet plotësisht si qytetar evropian, duhet të punojmë në drejtim të kohezionit ekonomik dhe social, sepse siguria afatgjatë e atij Bashkimi të ri do të varet nga mbështetja e qytetarëve të tij. Duhet thënë se në këtë fushë, zgjerimi mund të dobësojë kohezionin e Bashkimit Evropian, nëse evropianët dështojnë të vendosin politika që do t’i mundësojnë anëtarëve të rinj t`i arrijnë më të vjetrit, ose nëse politikat e tilla kanë një çmim jashtëzakonisht të lartë për këto të fundit. Në të vërtetë, përveç në kohë krizash të mëdha, vrulli i solidaritetit midis shteteve anëtare po bie shpejt.

Kohezioni është gjithashtu thelbësor për të shmangur lëvizjet e popullsisë në dëm të vendeve që përgatiten për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Shqipëria është shembull eklatant. Në vetëm pak dekada, një e treta e popullsisë së saj është larguar nga vendi; e në Moldavi – gjysma e popullsisë.

Foto: Anna-Eva Bergman, « La grande montagne », 1957. © Adagp, Paris, 2023
Foto: Anna-Eva Bergman, « La grande montagne », 1957. © Adagp, Paris, 2023

Siguria afatgjatë e këtij Bashkimi të ri do të varet nga mbështetja e qytetarëve të tij.

Për më tepër, kulturat sociale midis vendeve tona janë shumë të ndryshme. Ne duhet të trajtojmë qartë çështjen e kohezionit social dhe një sërë elementesh të politikës fiskale në kontekst të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe kapitalit. Dallimet midis vendeve janë shumë të mëdha për të injoruar këtë pyetje, e cila, sinqerisht, është e vështirë.

Revolucioni i ardhshëm në politikat evropiane, buxhetin e saj dhe – krejt në fund– në udhëheqjen e BE-së

Në thelb, ne po përgatisim një revolucion evropian. Kur shtrojmë këtë panoramë, shohim qartë se është shtrirja dhe thellësia e politikave ekzistuese, segmentet që duhet të jenë objekt reflektimi për reformën e Bashkimit Evropian. Aktivitetet e grupit të punës franko-gjermane bënë të mundur fillimin e një diskutimi në nivel ministror mbi Evropën, duke theksuar kostot e mungesës së reformave dhe duke propozuar një sërë opsionesh, që synojnë forcimin e kapacitetit për veprim të Bashkimit të zgjeruar. Kjo punë është frymëzuese. Ne kemi nevojë për një debat mbi përmbajtjen dhe shtrirjen e politikave evropiane. Këto politika duhet të rishikohen përmes prizmit të tensioneve gjeopolitike dhe synimeve transformuese të BE-së.

Rishikimi i politikave të Komisionit, i planifikuar për në muajin mars mund të japë disa përgjigje fillestare. Do të shtrohet edhe çështja e respektimit të politikave të reja: euroja, ashtu si edhe zona Shengen, na tregon se është e mundur të përparohet me shpejtësi të ndryshme, pa vështirësi, në varësi të vullnetit dhe kapaciteteve të secilës palë.

Një revolucion i tillë do të tronditë politikën buxhetore të Bashkimit Evropian. Duhet të braktisim tendencat aktuale të shprehjes së zgjedhjeve politike në nivel të BE-së, kryesisht përmes shpenzimeve dhe subvencioneve, pa i kushtuar vëmendje serioze financimit të tyre. Ne duhet të ndërtojmë një politikë reale buxhetore për Bashkimin, e cila do të kërkojë nga ne të shikojmë çështjen e të ardhurave të qëndrueshme, të cilat nuk janë taksa, por burime përkatëse tona. Bashkimi nuk ka punuar mjaftueshëm për këtë dhe nuk mund më ta shmangë dhe injorojë këtë çështje.

Për të gjitha këto politika, si dhe për t’iu përgjigjur “etjes” së madhe të publikut europian për pjesëmarrje demokratike, duhet menduar edhe për reforma të mundshme në qeverisjen e Bashkimit. Për cilat politika duam përfshirje më të madhe të Bashkësisë? Ku arsyetohet të ketë më shumë aktivitete ndërqeveritare? Dhe përderisa jemi në temën e demokracisë, si mund ta përfshijmë publikun në debatin rreth zgjerimit, ose më mirë në formësimin e Bashkimit të ardhshëm? Ne nuk mund të lejojmë që barra e Konventës së “dështuar” të 2005-ës të na pengojë dhe frenojë; duhet të punojmë me parlamentet, me shoqërinë civile dhe të krijojmë një proces që do të na mundësojë të ecim përpara.

Evropa nuk mund të ndërtohet në kabinet ofiqar; Angazhimi i qytetarëve dhe parlamenteve është më se i nevojshëm dhe do t`ia dalim që së bashku të ndërtojmë Bashkimin e ri. Një shumicë solide e francezëve tani mbështesin pranimin e Ukrainës. Por ky raport është në rënie. Sipas IFOP, 58% e francezëve mbështetën anëtarësimin në qershor të vitit 2023, krahasuar me 63% në mars të vitit 2022. Pjesa më e madhe e kësaj rënie është për shkak të frikës, që shpesh është e pabazuar ose që i referohet zgjerimit të mëparshëm. Megjithatë, fakti mbetet se ne do të duhet të adresojmë këto frika dhe shqetësime.

Miratimi i metodës së përshtatshme përmes së cilës vendet kandidate do të kenë sukses në rrugën e anëtarësimit në BE

Dhe së fundi, që zgjerimi të jetë i suksesshëm, lind pyetja e metodës. Në afat të shkurtër, ne duhet të ofrojmë një përgjigje koherente, të ekuilibruar dhe të besueshme ndaj aspiratave të vendeve kandidate. Për të gjithë ata, ne duhet të nxisim reforma të mëtejshme dhe të menaxhojmë lodhjen nga zgjerimi, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë thelb metodologjisë së re të anëtarësimit. Propozimet e Komisionit, të formuluara në paketën e tij të zgjerimit të 8 nëntorit, janë një hap në drejtimin e duhur. Në dhjetor, do të bëhet fjalë për t’i dhënë shtysë procesit, duke inkurajuar vendet që të negociojnë dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme të politikave.

Një shumicë solide e francezëve tani mbështesin anëtarësimin e Ukrainës. Por ky raport është në rënie.

Unë besoj fuqishëm se “integrimi gradual (shkallor)” është mënyra e duhur për të shpërblyer progresin dhe për të inkurajuar vendet kandidate në drejtim të rritjes së ritmit të reformave. Kjo është një qasje premtuese që duhet vënë në praktikë, me kushte të qarta për vendet kandidate, edhe atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Këto janë fushat kryesore të veprimit që do t`i theksoja në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Politika, qeverisja, buxheti dhe metodat e punës kombinohen për të krijuar një ambicie të paprecedentë për Evropën tonë. Është gjithashtu një mundësi unike për të ndërtuar një Bashkim Evropian që është në përputhje dhe në pajtim me ambiciet e tij gjeopolitike.

Që kjo sipërmarrje e re dhe kantier i ri të ketë sukses, do të na duhet mbështetja e ekspertëve dhe mobilizimi i shoqërisë civile. Zgjedhjet e ardhshme evropiane në qershor janë një mundësi që nuk duhet humbur nëse duam të rrisim ndërgjegjësimin e qytetarëve për këtë çështje vendimtare.