Edith Durham mbi gjuhën e shqiptarëve

Nëse dikush ka shpalosur të vërtetën e gjuhës dhe shkollës shqipe në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit XX, ajo është z. Edith Durham, shkrimtarja dhe antropologja angleze, që la pas vetes vepra nëpërmjet të cilave Evropa njohu kombin e quajtur nga Xhorxh Gordon Bajroni: Raca më fisnike që lindi nga klimat më të ashpra.

Në librin “20 vjet ngatërresa ballkanike”, Durham shkruan se, në dallim prej shqiptarëve, gjithë racat tjera (Bullgarët, Serbët, Grekët…) kishin shkollat e tyre, që shndërroheshin shpejt në qendra propagandash dhe kryengritjesh kombetare, të cilat përkraheshin nga Rusia dhe mundësonin shkëputjen e copave të reja të Përandorisë Turke. Këtë rrezik e kuptoi vonë Qeveria turke, ndaj, që të mos përsëritej e njëjta edhe në Shqipëri, ndaloi me ndëshkimet më të rënda botimin e librave shqip dhe mësimin e shqipes. Në vend të tyre, në viset me shqiptarë muslimanë, u hapën shkolla turke dhe u bë çdo përpjekje që fëmijët të rriteshin duke besuar se ishin turq. Kurse në viset jugore ku jetonin shqiptarët e besimit ortodoks, u inkurajuan grekët të hapin shkolla dhe të zhvillonin propaganda greke. Kështu turqit shpresonin të ndalonin formimin e një partie të fortë kombëtare shqiptare.

Në këso rrethanash kisha e privilegjuar greke shkishëronte gjithkë që përdorte në shkollë dhe në kishë gjuhën e mallkuar shqipe.

Ndryshe ndodhi në veri të Shqipërisë me të krishterët katolikë të mbrojtur nga austriakët, të cilët hapën shkolla fetare në gjuhën shqipe. Por, duke dashur të kthente të krushterët e Veriut nga ana e saj, Austria synoi më tepër npërçarjen e të krishterëve me myslimanët, gjë që më shumë dobësoi se sa forcoi ndjenjën kombëtare shqiptare…

Mëgjithatë, thotë zonja Durham: Asnjëra nga përpjekjet armike nuk mundi të shuajë  të shqiptari  instinktin e fuqishëm të racës së tij, që i ka dhënë forcën t’i qëndrojë Perandorisë Romake dhe rënies së Bizantit, të dalë i gjallë nga rrebeshi i perandorive mesjetare bullgare e serbe dhe në fund nga gërmadhat e perandorisë shekullore turke, të ruajë gjuhën, zakonet dhe burërinë e lashtë, si një shkëmb të cilin valët e shkelësve të huaj, më kot kanë dashur ta hanë.

Mrekullia për të cilën shkroi me aq përkushtim Edit Durhami qe frut i përpjekjeve mbinjerëzore të titanëve, që e shndërruan Shqipen në armë për ringjalljen e vetëdijes së shfytyruar nëpër katrahurat e historisë. Ata e dinin se gjuha e nënës është sinonim i etnisë, vatanit, gjakut, farës e fisit, është vullnet Zoti, është identitet, është kod mbrojtës, që s’i lë kuçedrat t’na zhbëjnë. Ata e dinin se gjithë tmerret e pushtuesve janë prirë nga ideja e mposhtjes dhe ndalimit të përdorimit të gjuhës, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e qytetërimi i të mundurit.

Dhe vërtet: sa herë që kemi braktisur Gjuhën tonë të bukur shqipe dhe kemi pranuar gjuhën dhe frymën e tjetrit, na i kanë gardhuar hapësirat e jetesës, i kanë pagëzuar me emra të tjerë, po na kanë lënë ta vazhdojmë jetën po aty, të bindur se jeniçerizmi politik, kulturor e shpirtëror, që si metodë sundimi është praktikuar që nga perandoritë e antikitetit, do ta grimcojë më pariparueshëm se cilido armik substancën shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.