Edhe Brukseli e pa presionin e Qeverisë së Mickoskit mbi gjyqësorin

Pavarësia e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut është shumë e ulët, presionet politike vazhdojnë, ndërsa rastet e korrupsionit të profilit të lartë rrallë herë përfundojnë me vendime të plotfuqishme, gjë që e përforcon ndjenjën e pandëshkueshmërisë. Këto janë disa nga vlerësimet kryesore në Raportin e fundit për sundimin e të drejtës për Maqedoninë e Veriut nga Komisioni Evropian, transmeton Portalb.mk.

KE thekson se zyrtarët e zgjedhur dhe përfaqësuesit e Qeverisë i kanë intensifikuar kritikat personale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, duke i akuzuar ata për korrupsion. Nga nivelet më të larta të Qeverisë, thuhet në raport, janë bërë edhe deklarata për “pastrimin” e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Komisioni paralajmëron se deklarata të tilla rrezikojnë ta dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe parimin kushtetues për ndarjen e pushtetit.

Rënie prej shtatë pikësh procentuale në një vit

Vetëm 21 përqind e qytetarëve e vlerësojnë pavarësinë e gjykatave dhe gjykatësve si “mjaft të mirë” ose “shumë të mirë”. Në vitin 2025 28 përqind e qytetarëve dhanë një vlerësim të tillë, që do të thotë një rënie prej shtatë pikësh procentuale në një vit.

Një rënie identike është regjistruar edhe tek kompanitë. Në vitin 2026 vetëm 19 përqind e tyre e kanë vlerësuar pozitivisht pavarësinë e gjyqësorit, krahasuar me 26 përqind në vitin 2025.

Si arsye kryesore për mosbesimin qytetarët e theksojnë ndërhyrjen dhe presionin nga Qeveria dhe politikanët. Si qytetarët ashtu edhe kompanitë e theksojnë presionin nga interesat ekonomike dhe interesat e tjera të veçanta.

Gjyqësor, gjykata, drejtësi
Gjyqësor, foto: Meri Jordanovska

Këto të dhëna zyrtare të KE-së tregojnë se nuk bëhet fjalë për një rënie prej dy pikësh procentuale, siç u raportua në disa media, por një rënie prej shtatë pikësh procentuale si tek qytetarët ashtu edhe tek kompanitë.

KE thekson edhe se gjykatësit dhe prokurorët po përballen me presion të shtuar përmes fushatave publike të shpifjes, të cilat zhvillohen në internet dhe përmes mediave, ku përfshihen përfaqësues të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe politikanë.

Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme dhe Shoqata e Gjykatësve tashmë kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët ndaj kritikave të vazhdueshme dhe të pabazuara ndaj gjyqësorit, duke vlerësuar se ato e minojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe i shkelin parimet demokratike të ndarjes së pushtetit.

Shkarkimi i Prokurorit të Shtetit krijoi rrezik nga politizimi

Procedura që e nisi Qeveria për ta shkarkuar Prokurorin e atëhershëm Publik të Shtetit, Ljupço Kocevski, sipas Komisionit Evropian i tregoi dobësitë në rregullat për shkarkim dhe krijoi rrezik nga politizimi.

Kocevski dha dorëheqje më 16 dhjetor të vitit 2025 para seancës parlamentare në të cilën do të shqyrtohej propozimi i Qeverisë për shkarkimin e tij. Propozimi bazohej në akuzat se ai e kishte dëmtuar reputacionin e gjyqësorit, megjithëse Këshilli i Prokurorëve Publikë dha një mendim negativ.

Palët e interesuara, siç u tha nga KE, e vlerësuan procedurën si një precedent negativ me pasoja potencialisht serioze për autonominë e Prokurorisë Publike. U ngritën edhe pyetje në lidhje me sundimin e së drejtës, konsistencën e procedurave institucionale dhe bazën jo mjaftueshëm të qartë faktike dhe ligjore për shkarkim.

Prokurori i shtetit Lupço Kocevski, Foto: Printscreen nga video
Prokurori i shtetit Lupço Kocevski, Foto: Printscreen nga video

Prokurori i ri Publik i Shtetit, Nenad Saveski, u zgjodh më 18 mars të këtij viti, përpara miratimit të shpallur të Ligjit të ri për Prokurorinë Publike.

Nga KE shtojnë se janë propozuar ndryshime në Ligjin për Prokurorinë Publike dhe janë miratuar ndryshime në Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, por vlerësojnë se nevojiten korrigjime shtesë. Ndër të tjera, Komisioni Evropian përkujton se rekomandimet e Komisionit të Venedikut për një përcaktim të qartë të bazave për shkarkimin e Prokurorit të Shtetit dhe për sigurimin e pluralizmit në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit ende nuk janë zbatuar plotësisht.

Raporti nuk e përmend me emër ish-prokuroren Lençe Ristoska, por është e qartë se kujt i referohet Komisioni Evropian kur flet për presion dhe kritika personale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve publikë. Në prill të këtij viti ajo dha dorëheqje nga pozicioni i prokurorit pasi Saveski ia mori autorizimin për përfaqësim në disa lëndë të profilit të lartë, përfshirë këtu “Talir 1” dhe “Talir 2” kundër ish-kryeministrit dhe të arratisurit, Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-së.

Ristoska më pas njoftoi se nuk kishte më kushte për kryerjen e pavarur dhe parimore të detyrave të prokurorisë dhe paralajmëroi se marrja e lëndëve bart rreziqe konkrete për procedurat që lidhen me korrupsionin dhe krimin në nivel të lartë.

Gjyqësori merr pothuajse tre herë më pak para sesa parashikohet me ligj

Komisioni Evropian vlerëson se pavarësia e gjyqësorit dhe autonomia e prokurorisë dëmtohen edhe përmes financimit të pamjaftueshëm.

Buxhetet si të gjyqësorit ashtu edhe të Prokurorisë Publike mbeten nën minimumin e përcaktuar me ligj, ndërsa në vitin 2025 fondet u ulën për 4,3 përqind shtesë krahasuar me vitin e kaluar.

Për sistemin gjyqësor në vend të 0,8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të parashikuar me ligj, në Buxhetin e vitit 2026 janë ndarë mjetë që arrijnë vetëm në 0,28 përqind të PBB-së.

Për Prokurorinë Publike janë ndarë 0,21 përqind e buxhetit të përgjithshëm të shtetit, krahasuar me 0,4 përqind të parashikuara me ligj.

prokuroria
Prokuroria Publike, Shkup. Foto: Portalb.mk

Gjykatat dhe prokuroritë edhe më tej duhet të marrin miratim formal nga Ministria e Financave për ndarjen e brendshme të fondeve, punësimin dhe vendime të tjera për kuadrin. Sipas KE-së kjo nuk u mundëson atyre autonomi të vërtetë buxhetore.

Në shkurt të këtij viti në një procedurë të shkurtuar Kuvendi i uli koeficientët për përllogaritjen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve. Më 8 prill Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi këto ndryshime, duke theksuar se pavarësia financiare e gjyqësorit është e garantuar me Kushtetutë.

Mungon një e treta e gjykatësve dhe 63 përqind e kuadrove ndihmëse

Mungesa e kuadrove në gjyqësor po përkeqësohet edhe më tej, thuhet në Raportin e KE-së. Sistematizimi i Këshillit Gjyqësor parasheh 636 vende për gjykatës, ndërsa deri në fund të muajit tetor të vitit 2025 ishin plotësuar vetëm 432.

Kjo do të thotë se gjyqësorit i mungojnë rreth 32 përqind e gjykatësve të planifikuar. Përveç kësaj, deri në fund të vitit 2028 84 gjykatës të tjerë do i plotësojnë kushtet për dalje në pension.

Mungesa e kuadrove profesionale dhe ndihmëse arrin në 63 përqind. Sipas informacionit të cilin e përcjell KE në disa gjykata  gjykatësit janë të detyruar që vetë t’i kryejnë detyrat administrative dhe teknike, ndërsa disa shërbime themelore gjyqësore mirëmbahen me ndihmën e donatorëve.

Sallë gjykimi në Gjykatën Themelore të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Sallë gjykimi në Gjykatën Themelore të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për shkak të mungesës së fondeve pranimi i 130 kandidatëve në gjeneratën e nëntë të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë në dhjetor të vitit 2025 u anulua. Meqenëse aktualisht nuk ka një gjeneratë të re në trajnimi fillestar, kandidatët e rinj për gjykatës dhe prokurorë nuk do të jenë në dispozicion para vitit 2028.

KE vëren edhe se në prokurorinë e specializuar për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit punojnë 13 prokurorë, edhe pse me sistematizim janë paraparë 18.

Ndryshimet në Kodin Penal lënë përsëri hapësirë ​​për parashtrim të lëndëve

Vlerësimet për ndryshimet në Kodin Penal janë posaçërisht shqetësuese.

Më 28 janar të vitit 2026 Kuvendi miratoi ndryshime të reja, të menduara si një zgjidhje e përkohshme për eliminimin e disa nga pasojat e ndryshimeve të diskutueshme nga shtatori i vitit 2023. Paralelisht po përgatitet një Kod Penal krejtësisht i ri dhe një Ligj i ri për Procedurë Penale.

Megjithatë, palët e interesuara të intervistuara nga Komisioni Evropian vlerësuan se edhe zgjidhja e re ka disa dobësi krahasuar me kornizën ligjore që ishte në fuqi para vitit 2023.

Zbatimi i veprës penale të shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar kufizohet në situata që në praktikë hasen jashtëzakonisht rrallë. Me këtë praktikisht dekriminalizohen situata të tjera dhe krijohet pasiguri juridike.

Gjykata Themelore Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykata Themelore Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Dënimet maksimale për format më të rënda të veprës penale janë ende më të ulëta se ato që zbatoheshin para ndryshimeve të vitit 2023. Dënime më të ulëta automatikisht nënkuptojnë kufizime më të shkurtra, duke u dhënë prokurorëve dhe gjykatave më pak kohë për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht lëndët komplekse të korrupsionit.

KE-ja përkujton se pas ndryshimeve të vitit 2023 disa hetime dhe lëndë gjyqësore u desh të ndërpriteshin për shkak se kishin kaluar afatet e parashkrimit ose për shkak se akte konkrete ishin fshirë nga Kodi Penal.

Korrupsioni i nivelit të lartë rrallë herë përfundon me një vendim të plotfuqishëm

Pavarësisht përpjekjeve të fundit për ta hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin, vonesat gjyqësore, vendimet e rralla të plotfuqishme dhe burimet e kufizuara e pengojnë krijimin e rezultateve të besueshme në luftën kundër korrupsionit të lartë.

Gjatë periudhës së raportimit janë hapur disa hetime kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të lartë, disa prej të cilave rezultuan në padi dhe procedura gjyqësore. Megjithatë, sipas KE-së, rastet e korrupsionit të profilit të lartë rrallë kanë si rezultat vendime të plotfuqishme, duke kontribuar më tej për një ndjenjë pandëshkueshmërie.

Prokuroria Publike dhe Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin po përballen me një ngarkesë në rritje të lëndëve, mungesë të prokurorëve, pajisje të vjetruara dhe mungesë fondesh.

Gjykatës, foto: Nejron në Canva
Gjykatës, foto: Nejron në Canva

Në të njëjtën kohë, 92 përqind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut besojnë se korrupsioni është i përhapur, krahasuar me një mesatare prej 71 përqind në Bashkimin Evropian. Në mesin e kompanive, 91 përqind besojnë se korrupsioni është i përhapur, krahasuar me 65 përqind në BE.

Vetëm 32 përqind e qytetarëve besojnë se ka mjaftueshëm ndjekje penale të suksesshme për t’i penguar njerëzit nga praktikat korruptive. Në mesin e kompanive, vetëm 22 përqind besojnë se individët dhe kompanitë e kapur duke i dhënë ryshfet një zyrtari të lartë marrin një ndëshkim adekuat.

“Talir 2” dhe “Total” si konteksti më i fundit

Raporti i KE-së nuk i përmend rastet “Talir 2” dhe “Total”. Rezultatet e tyre u publikuan vetëm pak ditë para publikimit të dokumentit, por ato i adresojnë drejtpërdrejt problemet e identifikuara nga Komisioni: ndryshimet në Kodin Penal, parashkrimin e lëndëve, procedurat e gjata dhe vendimet e rralla të plotfuqishme në rastet e profilit të lartë.

Gjykata Themelore Penale e Shkupit më 14 korrik e liroi nga akuzat ish-kryeministrin dhe të arratisurin nga drejtësia, Nikolla Gruevski, në rigjykimin për rastin “Talir 2”. Gjykata gjithashtu e hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e pronës së VMRO-DPMNE-së, përfshirë këtu selinë e partisë të njohur si “Pallati i Bardhë”.

Gjykatësja Daniella Aleksovska-Stojanovska tha se lirimi nga akuzat ishte vetëm pasojë e ndryshimeve të vitit 2023 në Kodin Penal. Gjykata deklaroi se provat dhe faktet e vërtetuara mbetën të njëjta si në procedurën e parë, në të cilën Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg, por se ato nuk vërtetuan se vepra penale ishte kryer me veprimet e reja të parashikuara në ligjin e ndryshuar.

Nikolla Gruevski, foto: Profili i tij në Facebook
Nikolla Gruevski, foto: Profili i tij në Facebook

Ristoska, e cila e hapi lëndën dhe e përfaqësoi atë për shtatë vjet e gjysmë, theksoi kontradiktën që të njëjtat prova çuan në dy vendime të kundërta. Ajo beson se lënda iu mor për ta shmangur konfiskimin e pronës së VMRO-DPMNE-së dhe paralajmëroi se afati i parashkrimit po afron në muajin gusht.

Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, deklaroi se drejtësia ishte vënë në vend në pjesën që kishte të bënte me VMRO-DPMNE-në, ndërsa e fajësoi LSDM-në dhe BDI-në dhe ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në vitin 2023 për lirimin e Gruevskit.

Dy ditë më vonë gjykata njoftoi se edhe lënda “Total” kundër gazetarit dhe ish-redaktorit të TV Sitel, Dragan Pavlloviq-Llatas, kishte përfunduar. Siç raportoi Meta.mk, prokurori hoqi dorë plotësisht nga akuzat në fjalën e tij përfundimtare.

Për Llatas dhe një nga personat juridikë të akuzuar u bë parashkrim absolut, ndërsa për dy kompanitë e tjera prokurori përcaktoi se nuk ishin përmbushur elementet ligjore të evazionit fiskal. Procedura filloi në tetor të vitit 2017 dhe u rifillua disa herë për shkak të ndryshimeve në juridiksion dhe transferimit të lëndës midis prokurorive. Ndryshimet në Kodin Penal nga janari i vitit 2026 duket se kanë luajtur një rol në vendimin e kësaj gjykate, si dhe superekspertiza e re.

KSHPK më pak aktive për lëndë politikisht sensitive

Komisioni Evropian i kushton vëmendje edhe krizës në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

KE-ja përkujton se ish-kryetarja Tatjana Dimitrovska dha dorëheqje në korrik të vitit 2025, pasi u akuzua për zbulimin e sekreteve zyrtare dhe falsifikimin e procesit të provimit të kërkuar për të marrë certifikatën e sigurisë. Ky rast, së bashku me dorëheqjen e një anëtari tjetër për shkak të dyshimeve për konflikt interesi, e ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucionit.

Në Raport thuhet se gjykimi kundër Dimitrovskës është në vijim. Por, tre ditë para publikimit të dokumentit, Gjykata Penale e shpalli atë fajtore dhe i dha një dënim të vetëm me kusht prej një viti burg, të cilin ajo nuk do ta vuajë nëse nuk kryen një vepër penale të re brenda tre viteve. Vendimi nuk është i plotfuqishëm.

KE vlerëson se KSHPK ka ndërmarrë hapa për ta rivendosur besimin, por kryesisht ka vazhduar të merret me rritjen e ndërgjegjësimit, kontrollin e financimit të zgjedhjeve dhe kontrollin e fletëve anketuese për gjendjen pasurore. Komisioni është më pak aktiv në zbulimin dhe raportimin e pavarur të korrupsionit dhe në veprimin në raste politikisht sensitive, thonë nga KE.

Printscreen nga seanca e KSHPK-së më 23.01.2025
Printscreen nga seanca e KSHPK-së më 23.01.2025

Në vitin 2025 KSHPK hapi 462 lëndë në fushën e parandalimit të korrupsionit, por vetëm shtatë, ose 1,5 përqind, u iniciuan me iniciativën e saj.

Zbatimi i ulët i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit tregon më tej për mungesën e angazhimit institucional. Nga 137 aktivitete të planifikuara për vitin 2025, vetëm 31, ose 23 përqind, janë zbatuar plotësisht. 46 aktivitete janë në vijim, ndërsa 60, ose 44 përqind, nuk janë zbatuar aspak.

Komisioni e thekson si një hap pozitiv përgatitjen e strategjisë së re kundër korrupsionit për periudhën 2026–2030 të zhvilluar me përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile. Ajo përqendrohet në sektorët në të cilat rreziku i korrupsionit është më i madh: gjyqësori, mbrojtja shëndetësore, transporti dhe infrastruktura, urbanizmi, mjedisi jetësor, energjetika dhe burimet natyrore.

Përmirësime legjislative ka, por rezultatet mbeten të kufizuara

Raporti gjithashtu përmban disa vlerësime pozitive. Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor e ka përmirësuar transparencën dhe justifikimin në përzgjedhjen e gjykatësve dhe në procedurat disiplinore. Tani çdo anëtar i Këshillit duhet ta elaborojë gojarisht qëndrimin e tij ose të saj mbi kandidatët, ndërsa vendimet për përzgjedhjen ose mospërzgjedhjen duhet të individualizohen dhe të bazohen në kritere të krahasueshme.

Në vitin 2025 janë zbatuar 57 përqind e aktiviteteve të parashikuara në Strategjinë e reformës së sektorit të drejtësisë, që është një rritje prej 14 pikësh procentuale. Por, Këshilli përgjegjës për monitorimin e reformës u mblodh vetëm dy herë, ndërsa bashkëpunimi i dobët midis institucioneve dhe mungesa e fondeve dhe kuadrit vazhduan ta ngadalësonin reformën.

KE vëren një përmirësim edhe në efikasitetin e lëndëve penale në vitin 2024, por efikasiteti i përgjithshëm i sistemit të drejtësisë ka vazhduar të bjerë për shkak të kohëzgjatjes më të gjatë të pothuajse të gjitha kategorive të tjera të procedurave.

Pasqyra e përgjithshme në raport është se po bëhen ndryshime ligjore dhe institucionale, por ato ende nuk po japin rezultate mjaftueshëm të dukshme në pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Presionet politike, mungesa fondeve dhe kuadrit, procedurat e gjata dhe afatet më të shkurtra të parashkrimit vazhdojnë ta nxisin ndjesinë se lëndët e profilit të lartë nuk po përfundojnë me llogaridhënie efektive.