Interesim për hetimet, telefonata dhe porosi të drejtpërdrejta, si po hyn ekzekutivi i RMV-së në territorin e drejtësisë
Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një nga shtyllat bazë të funksionimit të shtetit, ndërsa ndarja mes pushtetit ekzekutiv dhe organeve të ndjekjes penale konsiderohet parim kyç demokratik. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë hapur debat mbi kufijtë e komunikimit dhe ndikimit politik ndaj prokurorisë. Pas vendimit për ndërprerjen e hetimit për prokurimin e mazutit për termocentralin e Negotinës, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi publikisht se ishte i befasuar dhe i shokuar, duke zbuluar se kishte zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Prokurorin Publik të Shtetit, Nenad Saveski, raporton Portalb.mk.
Prokuroria Publike sqaroi se kjo ishte telefonata e parë e kryeministrit dhe se gjatë bisedës nuk janë diskutuar detaje konkrete të rastit. Sipas këtij institucioni, Saveski vetëm ka përcjellë informacionin që tashmë ishte bërë publik, se rasti nuk i ishte referuar Prokurorisë së Republikës dhe se kryeprokurori ishte informuar për vendimin pasi ai ishte marrë.
“Në asnjë moment të bisedës nuk u përmendën detajet e një rasti specifik, përfshirë rastin për të cilin po tregoni interes. Kur u pyet nga Kryeministri, atij iu tha e njëjta gjë që u njoftua publikisht nga Prokuroria në media dje – se rasti nuk i është referuar Prokurorisë së Republikës dhe se Prokurori i Shtetit mësoi për vendimin pasi ai u mor”, thotë Prokuroria Publike.
Mickoski dje tha se lidhur me vendimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), ka folur me prokurorin Nenad Saveski, nga i cili u informua se nuk ishte në dijeni të këtij vendimi të PTHP NKOK të kryesuar nga Islam Abazi.
“Ai më informoi se nuk ishte i informuar për këtë vendim të Prokurorisë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe supozoj se pas ankesës së paraqitur nga EMV, çështja do të rishikohet dhe do të kthehet për rianalizë. Ne kemi komentuar për Prokurorinë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe nuk kam asgjë më shumë për të thënë, publiku e di se çfarë lloj prokurori është ky”, tha Mickoski.

Këshilli i Prokurorëve Publikë nga ana tjetër tha se do të kërkojë shpjegim nga kryeprokurori Nenad Saveski.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, tha në një deklaratë për “360 Gradë” se ata mësuan për këtë bisedë përmes raportimeve të mediave. Ai shtoi se situata po monitorohet nga afër dhe se do të flasë me Saveskin para se të vendosë për një seancë të mundshme ose hapa të tjerë.
“Do të duhet të flasim me prokurorin Saveski për të rrumbullakësuar gjërat. Si Këshill, ne nuk kemi autorizim për të ndërhyrë në raste, por po i ndjekim deklaratat”, tha Besimi.
Megjithatë, debati nuk lidhet vetëm me telefonatën. Pas zgjedhjes së Saveskit në postin e kryeprokurorit, Mickoski kishte shprehur publikisht pritje të larta ndaj tij, duke deklaruar se disa lëndë të paraqitura në Prokurori ndodhen “në sirtar” ose në fund të prioriteteve. Ai kishte kërkuar që këto raste të aktivizohen dhe të shqyrtohen.
Mickoski tha se pret që të gjitha këto lëndë të nxirren dhe të vihen në procedurë, për të parë nëse ekziston dyshim i bazuar për kryerje të veprave penale nga ato institucione, përkatësisht nga personat që i kanë udhëhequr ato.
Ai shtoi se personalisht pret nga Saveski të veprojë edhe për të paktën dy çështje të tjera, të cilat, sipas tij, janë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit, përkatësisht mënyra se si Katica Janeva nga burgu ka aktivizuar lëndë, bonuset e PSP-së dhe cilat janë dëshmitë për “27 Prillin”.
Nga foltorja e Kuvendit, ai i bëri thirrje Saveskit që të hapë hetim dhe ta çojë deri në fund për këdo për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer krim, përfshirë edhe anëtarët e qeverisë aktuale.
Këto adresime të drejtpërdrejta të Mickoskit ndaj Saveskit u vlerësuan nga opozita dhe një pjesë e ekspertëve si ndërhyrje e kryeministrit në punën e prokurorisë dhe ushtrim i presionit politik, pasi prokurori publik shtetëror është organ i pavarur dhe sipas ligjit nuk i përgjigjet kryeministrit për punën e tij.

LSDM-ja opozitare madje sot kërkoi edhe një herë që kryeprokurori Saveski të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij, pasi, siç thonë ata, u zbuluan negociatat skandaloze telefonike me kryeministrin Hristijan Mickoski për rastet dhe proceset hetimore.
“E dëgjuam Mickoskin duke shpërndarë detyra nga foltorja e parlamentit, e dëgjuam duke eliminuar prokurorët e pavarur nga një procedurë në televizion, dhe tani po shpërndan detyra përmes telefonit. Kështu duket gjyqësori dhe prokuroria partiake në Maqedoni. Kështu duken ‘reformat’ e Mickoskit dhe VMRO-OKG-së”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, në konferencën e sotme për shtyp.
Prandaj, ata vlerësojnë se për shkak të kësaj situate në gjyqësorin në vend, nuk ka pasur asnjë reagim nga Prokuroria për 160 ditë në lidhje me, siç thonë ata, tenderët kriminalë që u shpallën publikisht nga Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së.
“Për shkak të dyshimeve në lidhje me pavarësinë e prokurorisë, LSDM nuk votoi për të. Tani të gjithë e shohin se kishim të drejtë. Ne e dimë paraprakisht se gjithçka që lidhet me Mickoskin nuk është e pavarur. Kushdo që është fajtor duhet të mbajë përgjegjësi, por një kryeministër nuk mund të ndërhyjë në punën e prokurorisë dhe të ndajë detyra përmes telefonit. Kjo është arsyeja pse ne këmbëngulim në një prokurori evropiane, sepse vetëm në këtë mënyrë gjyqësori në Maqedoni mund të fitojë besimin e qytetarëve”, shtoi Dimitrijeviç.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kur iu kërkua një koment në lidhje me bisedën telefonike. Ajo tha se mbase janë miq dhe janë dëgjuar në mënyrë miqësore.
“Ndoshta janë miq, kështu që e kanë dëgjuar njëri-tjetrin – “përshëndetje, si je, si po të shkon puna”. Nuk mund të them se çfarë lloj komunikimi telefonik është sepse nuk kam njohuri për komunikimet telefonike. Mendoj se duhet t’i pyesni të dy për këtë. Tani, nuk e di nëse biseda ishte private. Nuk mund të gjykoj sepse nuk di për çfarë kanë folur. Pra, nuk mund të vlerësoj diçka që nuk e di, por ju si gazetarë keni të drejtë të pyesni se çfarë natyre ka qenë biseda”, deklaroi Siljanovska-Davkova, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
Edhe kur bëhet fjalë për bisedat e përgjuara, Presidentja thotë se ajo që është e natyrës personale nuk publikohet kurrë, por vetëm ajo që lidhet me punën që bëjnë zyrtarët.
“Përndryshe, dihet përgjithësisht se ndarja e pushteteve duhet të respektohet, ky është themeli, këto janë kriteret e Kopenhagenit – ndarja e pushteteve, kompetenca e secilit në zonën e tij duke përdorur kontrollet dhe balancat që na lejohen”, tha presidentja.
Saveski tha se nuk planifikon të ndërhyjë në lëndë konkrete
Në një intervistë për “360 Gradë”, të dhënë menjëherë pas zgjedhjes së tij, prokurori publik shtetëror Nenad Saveski tha se nuk planifikon të ndërhyjë në punën e prokurorëve publikë në lëndë konkrete, por se secili prokuror duhet ta bëjë punën në mënyrë të pavarur, pa ndjerë presion prej tij apo nga ndonjë epror tjetër.
Ai rikujtoi se në prokurori ekziston sistem hierarkie dhe subordinimi, por shtoi se synimi i tij është që kjo të relativizohet deri në atë masë që çdo prokuror publik të vendosë në mënyrë të pavarur dhe autonome, ndërsa vendimet të burojnë nga hetime efikase të bazuara në prova.
“Sigurisht, edhe prezantimi i provave para gjykatës në mënyrë profesionale dhe efikase, që secili i pranishëm në sallën e gjyqit, përfshirë palën kundërshtare, mbrojtjen dhe të akuzuarit, të kenë para vetes qartësi se prokuroria publike disponon me prova të mjaftueshme dhe se ka ngritur aktakuzë të bazuar”, tha Saveski.
Në intervistë, Saveski u pyet edhe nëse do të bisedonte me kryeministrin për lëndë konkrete. Përgjigjja e tij ishte: “Sigurisht që jo, sigurisht që jo”.
- LEXO: Përzierje në sistemi e drejtësisë? Mickoski biseda në telefon me Saveskin, Këshilli i Prokurorëve: Po e monitorojmë situatën
- LEXO: Saveski: Do të veprohet ndaj çdo rasti që ka bazë ligjore
- LEXO: Mickoski pret që Saveski të sqarojë se si Katica Janeva aktivizoi lëndë nga burgu, për bonuset e PSP-së dhe provat për “27 Prillin”