“Edhe kështu, edhe ashtu”: Gjyqësori në RMV mes reformave, ndikimit politik dhe mungesës së besimit

Ekspertët juridikë vazhdojnë të kritikojnë sistemin gjyqësor, duke theksuar mungesën e pavarësisë së gjyqësorit, si në organizimin e brendshëm, ashtu edhe në aspektin financiar, që pa këto dy elemente, sistemi gjyqësor e ka të vështirë të funksionojë si duhet dhe të rikthejë besimin e qytetarëve te drejtësia. Edhe BE-ja vlerëson se vendi ndodhet mes një niveli të caktuar dhe atij të moderuar në fushën e gjyqësorit, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe pavarësi të institucioneve gjyqësore. Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë thotë se po punon intensivisht për përmbushjen e kërkesave të BE-së dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me atë evropian, shkruan Portalb.mk.

Ish-anëtari i Këshillit Gjyqësor, tani avokat, Milazim Mustafa, për Portalb.mk tha se sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është në një gjendje të mjerueshme në të gjitha aspektet e mundshme të kuptimit të fjalës. Fillimisht, siç tha ai, rregullativa ligjore është e pa azhurnuar, e pakoordinuar dhe e papërputhshme me realitetin ekzistues.

“Kemi ligje jo kualitative, ligje që janë konfuze mes vete dhe ky është një nga faktorët kryesor që krijon pasiguri juridike për qytetarët. Opsionet ‘mundet edhe kështu, edhe ashtu’ janë të dëmshme dhe japin hapësirë subjektive për zbatuesit e tyre. Ligjet duhet të jenë të qarta dhe koncize. Çështja e pavarësisë është problem më vete; gjyqësori asnjëherë nuk do të jetë i pavarur përderisa për gjithçka që ka të bëjë me të, vendos pushteti tjetër: punësimet, buxheti, sistemimet, lëvizjet në karrierë e kështu me radhë. Aktualisht kemi rastin e shkeljes eklatante të ligjit për rrogat e gjykatësve dhe të prokurorëve, ku pushteti ekzekutiv disa herë me radhë e anashkalon ligjin për rrogat, edhe përkundër mendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është forma klasike e presionit dhe interferimit të pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor”, tha Mustafa. 

Ai gjithashtu shtoi se çështja e besimit është një nga problemet e tjera, që edhe më shumë do të bie me gjendjen e krijuar. Duke forcuar këtë argument, Mustafa, shtoi se rastet e fundit me amnistimin e të dënuarve, si rasti i 27 Prillit, janë tjetër fakt se pse qytetarët nuk u besojnë më institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, problemi tjetër është mungesa e kapacitetit të institucioneve bartëse si Ministria e Drejtësisë, për menaxhimin e sistemit të drejtësisë 

“Ne për disa herë me radhë po i lëshojmë ndihmat që vijnë nga BE-ja në kuadër të Planit të Rritjes, si rezultat i mosrespektimit të afateve për miratimin e ligjeve. Kjo është një pasqyrë e qartë për atë që po them. Pastaj, 35 vite pas pavarësisë së vendit, akoma nuk është bërë një analizë e mirëfilltë se çka dhe ku çalon sistemi. Janë bërë mbindërtime ligjesh pa analizuar esencën. Nevojitet një ‘skrining’ serioz dhe shumë nga reformat e ndërmarra duhet të zhbëhen, në mënyrë që të kthehemi në sistemin bazë e më pas ta shohim se ku ta shpien atë. Më parë mendohej se kemi ligje të mira, por po dështojmë në implementim. Tani, me sigurinë më të madhe, them se ligjet nuk na bëjnë”, u shpreh Mustafa.

Ai nënvizoi se në vendin tonë nevojitet një përmbysje e paradigmës aktuale përmes një reforme thelbësore që i jep fund epokës së ndikimit politik, ku ky vizion artikulohet përmes një narracioni, ku gjyqësori në vend që të jetë një shtojcë e pushtetit, duhet të jetë pushtet real.

Sipas tij, pavarësia mbetet një iluzion nëse gjyqësori duhet të jetë “lypsar” për fonde në dyert e qeverisë për çdo projekt apo rritje rroge.

“Një reformë e mirëfilltë duhet të garantojë që gjyqësori të ketë buxhetin e tij të garantuar me Kushtetutë, një burim i paprekshëm që i lejon sistemit të investojë në kuadro, infrastrukturë dhe teknologji pa pasur frikën e shkurtimeve në çdo rebalanc nga ekzekutivi. Kur gjyqësori mban vetë ‘kuletën’, ai fiton dinjitetin për t’i parë pushtetet e tjera në sy si i barabartë. Së fundi, ky sistem duhet të ketë fuqinë të vetë menaxhohet në të gjitha nivelet. Kjo do të thotë që nga emërimet e reja, te masat disiplinore e deri te menaxhimi ditor i gjykatave, gjithçka të rregullohet nga brenda sistemit përmes organeve kolegjiale transparente. Vetë menaxhimi eliminon nevojën për ‘ndërmjetës’ politikë dhe krijon një mjedis ku llogaridhënia kthehet në normë morale”, nënvizoi në fund Mustafa.

Nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, për Portalb.mk kanë deklaruar se BE-ja vazhdimisht nënvizon se një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe efikas është një gur themeli i sundimit të ligjit dhe një element thelbësor i rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Siç thonë nga atje forcimi i besimit publik në institucionet gjyqësore mbetet çelësi. 

“BE-ja inkurajon zbatimin e vazhdueshëm të reformave gjyqësore, siç është zotuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut në kuadër të agjendës së reformave, në përputhje me standardet evropiane, rekomandimet e Komisionit Evropian dhe opinionet e Komisionit të Venedikut. Kjo përfshin sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies, emërimet bazuar në meritë dhe burimet e mjaftueshme për të siguruar funksionimin efektiv të institucioneve gjyqësore. progresi në reformën gjyqësore kërkon vullnet dhe vendosmëri politike, punë legjislative, institucione të forta gjyqësore me staf të trajnuar dhe përpjekje të vazhdueshme për zbatimin e ligjeve, rregullave dhe procedurave”, thonë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup. 

Në fund, nga atje shtuan se pavarësia dhe integriteti gjyqësor duhet të mbështeten nga ndarjet buxhetore në kohë dhe në mënyrë adekuate. 

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk thozë se fokusi i tyre në këtë periudhë është në masat me afat deri në qershor 2026 ku po punohet intensivisht, në këtë drejtim dhe rezultate të matshme. 

“Ligji për Këshillin Gjyqësor, u miratua në fund të vitit 2025, tashmë po jep rezultate. Ne kemi futur kritere të qarta, standarde të matshme dhe llogaridhënie aty ku mungonin më parë. Anëtarët e rinj tashmë janë zgjedhur sipas këtyre rregullave, kjo është provë konkrete se reformat nuk mbeten vetëm në letër. Parlamenti gjithashtu miratoi Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë. Zgjidhja ligjore e propozuar prezanton risi thelbësore që synojnë forcimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës në punën e Këshillit dhe të shërbimit të prokurorisë publike në tërësi. Komisioni i Venecias dha një mendim pozitiv për këtë ligj. Procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë po reformohet. Po futen kritere të qarta dhe transparente. Ekspertiza, përvoja dhe integriteti i tyre janë të garantuara, duke ndjekur shembullin e kritereve të parashikuara në Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor. Në këtë mënyrë, garantohet përzgjedhja e kandidatëve me cilësinë më të lartë. Përmes këtij ligji po forcohet roli i Këshillit në procedurën për përzgjedhjen dhe shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë. Ligji është pjesë e procesit më të gjerë të reformës dhe është në përputhje me standardet dhe rekomandimet evropiane, gjë që përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian. Ligji thelbësor që lidhet me funksionimin e shërbimit të Prokurorisë Publike, projektligji për Prokurorinë Publike, është gjithashtu në procedurë parlamentare. Ky ligj, si dhe Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, morën mendim pozitiv nga Komisioni i Venecias, që është një sinjal i qartë i përputhshmërisë së tyre me standardet evropiane”, thanë nga Ministria e Drejtësisë. 

Siç thanë nga Ministria e Drejtësisë, ligji për Shërbimin Gjyqësor dhe ligji për Shërbimin e Prokurorit Publik trajtohen në mënyrë sistematike dhe në korrelacion me reformën e administratës publike.

“Si Ministri e Drejtësisë, ne po ndërmarrim edhe aktivitete për të forcuar kapacitetet njerëzore të gjyqësorit. Plani i Veprimit për Luftimin e Korrupsionit në Gjyqësor 2026–2029. Forcimi i kapaciteteve për të luftuar krimin e organizuar, përmes punësimit të planifikuar të ekspertëve financiarë dhe forenzikës digjitale. Me rëndësi të veçantë është përgatitja e Kodit të ri Penal, i cili është në proces harmonizimi me direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian, duke përfshirë fushat e luftimit të korrupsionit, konfiskimit të pronës dhe krimit mjedisor. Paralelisht, po përgatitet një Ligj i ri i Procedurës Penale, i cili do të harmonizohet me standardet evropiane dhe praktikën ndërkombëtare. Të dy ligjet do t’i dërgohen Komisionit Evropian për mendim. Në dy vitet e fundit, Ministria e Drejtësisë ka hartuar gjithsej 32 ligje”, shtuan në fund nga Ministria e Drejtësisë.

Kujtojmë se Raporti i fundit i Bashkimit Evropian (BE), për Maqedoninë e Veriut, thekson se vendi ynë në fushën e Gjyqësorit dhe të drejtave themelore është mes një niveli të caktuar dhe një niveli të moderuar përgatitjeje në zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe standardeve evropiane. 

Raporti shton se Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan vetëm në një masë të kufizuar dhe për këtë arsye mbeten kryesisht të vlefshme. Për këtë vit, Raporti i Progresit, ka sugjeruar se Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të miratojë një Ligj të ri për procedurën civile, në përputhje me standardet evropiane, dhe të përshpejtojë zbatimin e Strategjisë për Reformën Gjyqësore.