Marigona Bekteshi Ferati: Arti nuk i shëron plagët psikologjike, por krijon empati dhe mund ta bëjë shoqërinë të ndjejë përgjegjësi dhe të mos harrojë

Nga Mitrovica deri në skenat dhe institucionet kulturore të Los Angelesit, Helsinkit e Gjermanisë, Marigona Bekteshi Ferati ka ndërtuar një rrugëtim ku teatri, kërkimi shkencor dhe edukimi ndërthuren në një mision të përbashkët. Si regjisore, profesoreshë dhe studiuese, ajo ka sjellë në vëmendje tema të ndjeshme, si trauma e luftës, përvoja e grave të dhunuara dhe roli i artit në thyerjen e heshtjes kolektive. Për Portalb.mk, Bekteshi Ferati foli për përgjegjësinë e artistit përballë dhimbjes njerëzore, fuqinë e teatrit për të krijuar empati, sfidat e kulturës në Kosovë dhe nevojën për institucione që e mbështesin talentin në mënyrë të vazhdueshme. 

Portalb.mk: E keni çuar teatrin nga Mitrovica deri në Los Angeles, Helsinki e Gjermani. Cili ka qenë momenti kur e keni kuptuar se arti juaj tashmë i kishte kaluar kufijtë e Kosovës?

Marigona Bekteshi Ferati: Nuk besoj se arti e kalon kufirin në momentin kur udhëton artisti, por në momentin kur historia që rrëfen fillon të prekë njerëz që nuk e kanë jetuar atë realitet. Për mua, ky moment erdhi kur universitetet, akademitë dhe institucionet ndërkombëtare nisën ta shohin Kosovën jo vetëm si objekt studimi, por si një vend që ka çfarë t’i japë botës përmes artit dhe kërkimit shkencor. Atëherë e kuptova se nuk po përfaqësoja vetëm veten, por një vend të tërë dhe historitë e tij.

Portalb.mk: Në punën tuaj keni trajtuar traumën e grave të dhunuara gjatë luftës. Sa është e vështirë të kthesh një plagë kaq të rëndë njerëzore në art, pa e banalizuar dhimbjen?

Marigona Bekteshi Ferati: Kur punon me një plagë të tillë, duhet të heqësh dorë nga egoja artistike. Nuk ke të drejtë të “zbukurosh” dhimbjen e dikujt. Për vite kam dëgjuar, kam heshtur, kam regjistruar rrëfime dhe vetëm më pas kam shkruar. Për mua, arti nuk duhet ta konsumojë dhimbjen, por ta mbrojë atë. Nëse publiku del nga salla me respekt më të madh për viktimën sesa me admirim për regjisorin, atëherë mendoj se ke bërë punën e duhur.

Portalb.mk: A mund të shërojë vërtet teatri, apo artistët ndonjëherë i japim artit më shumë fuqi sesa ka realisht?

Marigona Bekteshi Ferati: Teatri nuk zëvendëson terapinë dhe nuk i shëron plagët psikologjike. Por ai mund të bëjë diçka që pak fusha të tjera e arrijnë: të krijojë empati. Mund ta bëjë një shoqëri të ndjejë përgjegjësi, të dëgjojë, të mos harrojë. Ndonjëherë shërimi fillon pikërisht aty ku mbaron heshtja. Nëse teatri arrin ta thyejë atë heshtje, ai tashmë ka bërë një ndryshim të madh.

Portalb.mk: Ju jeni regjisore, profesoreshë dhe studiuese. Cila prej këtyre Marigonave është më e ashpra me veten dhe cila është më e lirë?

Marigona Bekteshi Ferati: Studiuesja nuk më fal asnjë gabim. Ajo kërkon prova, burime dhe e sfidon vazhdimisht çdo ide. Regjisorja është ajo që më lejon të ëndërroj dhe të krijoj botë të reja. Ndërsa profesoresha më kujton çdo ditë se dija ka vlerë vetëm kur ndahet me të tjerët. Në fund, nuk janë tri Marigona të ndryshme. Janë tri mënyra për t’i shërbyer të njëjtit mision.

Portalb.mk: Keni punuar jashtë vendit dhe keni parë modele të ndryshme kulturore. Çfarë i mungon më së shumti teatrit në Kosovë: talenti, institucionet apo guximi për të thyer tabutë?

Marigona Bekteshi Ferati: Talenti nuk na ka munguar kurrë. Në Kosovë kemi artistë që mund të konkurrojnë në çdo skenë ndërkombëtare. Sfida jonë është krijimi i një sistemi që i mbështet ata në mënyrë të vazhdueshme. Na duhet më shumë investim në kërkim artistik, në edukim dhe në bashkëpunime ndërkombëtare. Dhe mbi të gjitha, na duhet guximi për të mos i ikur temave të vështira. Arti që nuk sfidon, rrallëherë mbetet në kujtesë.

Portalb.mk: Në një shoqëri ku kultura shpesh trajtohet si luks, si bindet një i ri se arti mund të jetë profesion, mision dhe mënyrë jetese?

Marigona Bekteshi Ferati: Nuk bindet me fjalë, por me shembuj. Kur një i ri sheh se një artist nga Kosova mund të publikojë në revista shkencore ndërkombëtare, të japë mësim në universitete prestigjioze apo të prezantojë vendin në skena botërore, ai fillon të besojë se edhe arti mund të ndërtojë një karrierë. Arti nuk është rrugë e lehtë, por është një nga profesionet që të jep privilegjin të lësh gjurmë në shoqëri.

Portalb.mk: Me gjithë këtë energji, përvojë dhe arritje ndërkombëtare, çfarë projekti po përgatitni dhe çfarë mund të presë publiku nga ju në periudhën e ardhshme?

Marigona Bekteshi Ferati: Jam në një fazë ku arti dhe kërkimi shkencor po ecin paralelisht. Po punoj në projekte ndërkombëtare që lidhen me teatrin, kujtesën dhe etikën në trajnimin e aktorëve, ndërsa në të njëjtën kohë po zhvilloj projekte artistike që synojnë ta çojnë zërin dhe historinë e Kosovës në skena ndërkombëtare. Besoj se vitet që vijnë do të jenë vitet kur Kosova do të jetë më e pranishme në hartën kulturore botërore, dhe unë dua të jem pjesë e këtij rrugëtimi, jo për sukses personal, por sepse besoj se arti ynë dhe historia jonë meritojnë të dëgjohen.