Edhe ASh Taravari e ankimoi ‘Qytetin e Sigurt’ në Gjykatën Kushtetuese

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit sot e ka ankimuar ligjin me të cilin hyn në fuqi sistemi ‘Qyteti i Sigurt’, raporton Portalb.mk.

“Sot në ditën kur e njëjta hyn në fuqi dorëzuam iniciativën tonë me çka i ankimojmë ligjet e pakos ‘Safe City’. Konsiderojmë se çdo ligj duhet të vlejë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe për tërë territorin e Republikës së MAqedonisë. Me këto ndryshime ligjore ligji vlen vetëm për tre qytete”, tha avokati i ASh Taravari.

Në ndërkohë në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar edhe dy nisma për sistemin ‘Qyteti i Sigurt’, për të cilat ka ngritur dy lëndë. E para është dorëzuar nga deputetët e Aleancës për ShqiptarëtZiadin Selës. E dyta nga Ylli Paçuku, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së.

Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ do të fillojë të zbatohet nga 1 shkurti. Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ funksionon vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.

Gjatë vitit 2026 parashihet që sistemi të fillojë të funksionojë në gjithë territorin e shtetit.

Megjithatë nuk ka ende datë konkrete se kur do fillojë në qytetet tjera.

Sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyn në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje.

Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit.