MPB me apel për qytetarët: Përditësoni të dhënat për ‘Qytetin e Sigurt’
Ministria e Punëve të Brendshme apeloi që qytetarët t’i përditësojnë të dhënat e tyre për “Qytetin e Sigurt” në sportelin e posaçëm në MPB ose në stacionet e kontrollit teknik, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Punëve të Brendshme i rikujton qytetarët se në sportelin e posaçëm në Sektorin për Punë Qytetare, në ndërtesën e MPB-së (kati përdhes) në Shkup, i cili funksionon çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 17:00, mund të parashtrojnë kërkesë për ndryshimin e të dhënave të kontaktit që i kanë dhënë gjatë regjistrimit të automjeteve, nëse ka pasur ndryshim ose në rast se kanë marrë njoftim me të dhëna të pasakta.
E njëjta procedurë mund të kryhet edhe nëpër stacionet e kontrollit teknik të automjeteve në vend, ku është i angazhuar referent i deleguar i MPB-së.
Kujtojmë se më 23 janar deputetët e Maqedonisë së Veriut miratuan ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin sistemi “Qyteti i Sigurt” hyn në fuqi më 1 shkurt.
Sipas partive në pushtet, ky sistem synon të rrisë sigurinë në trafik dhe deri në vitin 2030 të zvogëlojë numrin e aksidenteve. Deputetët e BDI-së dhe LSDM ishin kundër këtij ligji, duke thënë se ka shumë mangësi. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, dy lëndë janë formuar për të. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit, si dënimet e larta, keqpërdorimi i të dhënave personale dhe dilemat për zbatim selektiv.
Kamerat “Qytet i Sigurt” janë të instaluara në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë dhe në korridoret 8 dhe 10.