Drejt rendit moral

“Për ne, i drejti qëndron lart, sado i dobët qoftë dhe i padrejti qëndron poshtë, sado i fuqishëm qoftë.”

Fjalët e mësipërme janë të Nexhmettin Erbakan-it (1926-2011), një nga figurat intelektuale, publike më të thella dhe më të rëndësishme që ka dhënë Turqia e shekullit të kaluar, një aktor, lider karizmatik që zë vend të privilegjuar e kulmor në analet e historisë bashkëkohore të botës islame. Politikan, inxhinier, akademik, kryeministër (1996-1997), i cili ka lënë gjurmë në zhvillimet shoqërore me “Pikëpamjen Kombëtare” (Milli Görüş) që gufoi më 1969 si një aksion dijeje e mendimi, si një bashkëdyzim i traditës me modernitetin (Baykal, 2017: 14). Botëvështrimi i tij shënjon një nacionalizëm dhe respekt të shenjtërive (Bali, 1999), është antipod i varësisë, zë i fuqishëm kundër segregacionizmit, supremacizmit,  imperializmit dhe ‘westernizimit të panatyrshëm’ që shkel dhe fshin nativen.

Ai përtej identitetit politik, ka afirmuar vlerat dhe përshpirtësinë, ka treguar se si duhet të jetë një besimtar i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm. Sipas tij jeta është besim dhe përpjekje permanente: “mosveprimi për mbizotërimin e të vërtetës është i barabartë me veprimin për dominimin e të pavërtetës”. Nëse sot ankohemi për rentierizëm, ryshfet e favoritizëm, për paqëndrueshmëri e abuzim në jetën tregtare, për komisione në tenderë e fitim të padrejtë, të gjitha këto janë pasoja të plagëve që ka shkaktuar në organizmin e shëndoshë të kombit mendësia që e shpërfill rendin moral. Sipas tij, institucionet zyrtare e jozyrtare që ndërtohen pa moral janë defektoze. Fëmijët tanë “do të piqen kur t’u mësojmë jo vetëm sistemin riprodhues të bretkosave, por edhe etikën, turpin e dinjitetin.”

Libri Kauza ime (Logos-A, 2023), rrëfen përpjekjen jetike të tij për një rend vendor dhe global më ndryshe, me drejtësi sociale, sistem shembullor për sa u përket paqes dhe vëllazërisë, të drejtave dhe lirisë, drejtësisë, mirëqenies dhe dinjitetit, që përbëjnë ‘pesë kushtet e lumturisë’. Në të ai tregon se feja është një udhëzim gjithëpërfshirës si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Erbakani pohon se asgjë e mirë nuk mund të burojë nga një shkencë dhe teknologji që nuk frymëzohet nga libri hyjnor. Edhe socializmi edhe kapitalizmi bazohen në parime materialiste, kanë humbur ndërgjegjen njerëzore, andaj nuk mund të japin shpresë për të ardhmen e njerëzimit. Neve na nevojitet një botë  “që mban lart jo forcën, por të Vërtetën e të Drejtën”, një sistem që ndërtohet mbi  parimet e paqes, dialogut, drejtësisë, barazisë, bashkëpunimit, të drejtave njerëzore, lirisë dhe demokracisë.

Vepra në fjalë që përbëhet nga kapituj për njeriun dhe krijimin, kauzën dhe bashkimin islamik, Qipron, industralizimin, kulturën e të tjera, pasqyron shpirtin e këtij njeriu të urtë me kulturë shkencore, të këtij njeriu të invencionit.  Aty i mbiquajturi “Hoxha” (Profesori) tregon peshën e pjesëmarrjes në punët e qeverisje: besimtarët që nuk merren me politikë, udhëhiqen nga politikanë që s’i përfillin besimtarët. (DB, 2021) Erbakani ka zgjedhur aksionin, jo hedonizmin, shërbimin e jo karrierën. Një radhë e kishin pyetur se si një gjeni, si kuadër që të gjitha nivelet e shkollimit i ka kryer me dekoratat më të larta, që ka bërë zbulime teknologjike, pse nuk ka mbetur në shkencë e hulumtim që përmes tyre t’i shërbente njerëzimit por ka kaluar në politikë. Përgjigjja e tij ishte se mund të bëhesh profesor në universitet, mund të fitosh “Nobelin”, por nëse populli vuan nga varfëria, nëse qindra mijëra njerëz në botë vdesin urie, ç’dobi ka nga karriera, nga shpërblimet e dekoratat?

Fjalët dhe bëmat e tij flasin për sinqeritetin dhe drejtësinë e tij. Ai si dëshmitar i historisë së re konstaton se ka zgjidhje për shtrembërimet dhe patologjitë e kohës. Sipas tij “shfrytëzimi, varfërimi, pengimi i një shoqërie nga një shoqëri tjetër, në fund është i dëmshëm edhe për këtë të fundit”. (Erbakan, 2016:208) Filozofia e tij politike, që synon t’i bëjë dritë njerëzimit mbarë, njeriut të shekullit të 21-të që përpëlitet në krizë, mund të përmblidhet në termat “Pikëpamja Kombëtare”, “Rendi i Drejtë”, “Rendi i Drejtë Ekonomik”, “Qytetërimi Paqësor e Solidar”. Botëkuptimi i tij nga njëra anë është lokalist-kombëtarist, nga ana tjetër planetar-islamist-humanist.

Ai kundërshton mendësinë imituese dhe vë theks mbi rëndësinë e krijimit të industrisë nacionale, ka pohuar se varësia ekonomike sjell edhe varësi kulturore dhe tjetërsim. Përmes kësaj ka dhënë recetën për kombet e botës së pazhvilluar ose në zhvillim e sipër: investoni në dije, në shkencë, në teknologji nëse doni liri të plotë, vetërealizim, përndryshe mbeteni robër të përjetshëm. Nëse sistemi arsimor thotë fli gjumë, ne themi ngrihu, puno! Ai ka detektuar synimet dhe agjendën e eksploatuesve dhe ka punuar për t’u radhitur në kategorinë e prodhuesve në sektorët primarë: “Të tjerët duan që ne të prodhojmë pjeshkë e jo motorë” – shprehet Erbakani. Industria, kultura e re turke e prodhimit i kanë shumë borxh këtij njeriu.

Ai nxit kreativitetin, mpleksjen e etikës dhe besimit që janë të barabarta me ndërgjegjen kombëtare që do t’i japë fund “hegjemonisë së gënjeshtrës”. Ai bën një përkufizim tjetërfare të xhihadit, të këtij të një koncepti fluid, herë herë të keqinterpretuar: “Të gjitha përpjekjet që bëjmë për ta përmirësuar e pjekur veten dhe për të qenë të dobishëm për të tjerët, quhen xhihad.” Për fuqizimin e shoqërive të eksploatuara me rëndësi është edhe organizimi: Bashkësitë shumë të vogla por të organizuara, janë më të fuqishme masat milionëshe pa lidhje mes tyre.

Kauza ime është një tekst me mesazh, që hap sy e dyer, është një tërësi leksionesh përvojore, një nga librat që duhet lexuar nga çdo student dhe hulumtues i sociologjisë, i shkencave politike, në veçanti i atyre që merren me islamizmin si filozofi jete apo si pikëpamje politike!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.