Dorëheqjet e Kovaçevskit dhe Xhaferit nesër, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit më 26 janar, qeveria teknike me 28 janar
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot shpalli datat e seancave për dorëheqjet dhe zgjedhjen e qeverisë teknike. Më 28 janar do të caktohet seanca për zgjedhjen e qeverisë teknike dhe më pas do të zhvillohet seanca e dytë për zgjedhjen e zëvendësministrave shtesë, si dhe për verifikimin e mandatit të një deputeti, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe ai i Kuvendit, Talat Xhaferi, mandatar i qeverisë teknike, nesër do të dorëzojnë dorëheqje, duke filluar kështu afatet për formimin e qeverisë kalimtare, e cila mbahet. njëqind ditë para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.
Në një takim me gazetarët sot, Xhaferi ka shpjeguar se si do të vijojë procedurat, por ka thënë se nëse ka propozime, nuk ka asnjë pengesë që ministrat e VMRO-DPMNE-së të mos jenë pjesë e Qeverisë teknike.
Ai nuk ka dashur të thotë nëse në këtë Qeveri do të ketë ndryshime kadrore te ministrat e BDI-së dhe Aleancës së Shqiptarëve. Tashmë dihen propozimet e LSDM-së.
“Nesër është dita “D” për dorëzimin e dorëheqjeve. Qeveria do të më njoftojë mua si kryetar i Kuvendit se po jep dorëheqjen dhe unë si kryetar i Kuvendit do ta informoj Presidentin e Shtetit se Qeveria ka dhënë dorëheqje. Do ta autorizoj nënkryetarin e Kuvendit, Goran Misovskin, që ta udhëheqë seancën të premten, më 26 janar, dhe pastaj do të jap dorëheqje”, theksoi Xhaferi.
Në seancën e së premtes, që është seanca e parë e radhës, do të konstatohen dorëheqjet e kryeministrit dhe e tij, e më pas para votimit të rendit të ditës do të propozohet një pikë e re – zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Pas zgjedhjes, në këtë rast të Jovan Mitreskit për kryetar të Kuvendit, ai do ta njoftojë Presidentin se është zgjedhur kryetar në emër të koalicionit shumicë në Kuvend.
Më 26 janar, siç ka sqaruar Xhaferi, kryetari i shtetit Stevo Pendarovski duhet t’ia besojë Qeverisë teknike mandatin e kryeministrit dhe afatet do të fillojnë të ecin.
Më 27 paradite, Xhaferi duhet të paraqesë në Kuvend programin dhe përbërjen e Qeverisë dhe seanca zgjedhore të thirret më 28 janar.
Siç sqaroi ai, për kompletimin e qeverisë teknike do të thirret një seancë tjetër për të votuar zëvendësministrat shtesë dhe për të verifikuar mandatin e një deputeti.
Xhaferi thotë se ndonëse janë planifikuar dy ditë debat, sipas praktikës së krijuar, ai ka përfunduar brenda një dite.
Në lidhje me njoftimet se VMRO-DPMNE nuk do ta votojë, ai thotë se nuk e shqetëson kush dhe si do ta votojë. Lidhur me deklaratat e përfaqësuesve të opozitës shqiptare, ai thotë se nuk i komenton ato.
Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.
Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.