RMV, në faturat e janarit për rrymë nuk do të ketë tarifë prej 200 denarë për qasje në rrjet

Nga faturat e janarit do të hiqet tarifa e sapo futur për qasje në rrjet prej 200 denarë, sepse qytetarët tashmë e kanë këtë tarifë në faturat e tyre nga dhjetori, informoi sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) Marko Bislimoski. Kjo, siç ka theksuar ai, bëhet për të “hequr të gjitha dyshimet se është tarifë apo fitim shtesë për dikë”, transmeton Portalb.mk.

“KRRE po e bën këtë për të bindur të gjithë se tarifa e re nuk do të jetë fitim shtesë për asnjë kompani. Thjesht duhet të promovojmë dhe rrisim besimin që duhet të ndërtohet mes konsumatorëve nga njëra anë dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes nga ana tjetër dhe në këtë drejtim theksoj edhe një herë se në faturat e janarit që qytetarët do marrin në muajin shkurt nuk ka kompensim prej 200 denarë”, tha Bislimoski.

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, siç tha ai, ka vepruar sipas vendimit të KRRE-së.

“Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 janar. Në vetë faturat tashmë ka konsum që i referohet edhe janarit dhe për këtë e kanë futur, ndaj nuk kanë gabuar, por për të rritur besimin në faturën e janarit, nuk do të ketë tarifë të tillë, në mënyrë që qytetarët ta dinë se askush nuk po bën fitime shtesë dhe ja ku jemi. Ne e bëjmë këtë thjesht për të rritur besimin midis konsumatorëve dhe ndërmjet operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim”, tha Bislimoski dhe ka shtuar se kjo tarifë do të vazhdojë të bëhet në faturat e rrymës në vijim, për shkurt, mars, prill etj.

Ai apeloi qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë për vetëlexim të njehsorëve.

“KRRE ka pranuar nga 10 deri në 15 ankesa nga qytetarët për faturat e energjisë elektrike. Ne i trajtojmë si ankesa dhe më tej kërkojmë informacion nga operatori i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, i cili është i detyruar të na përgjigjet dhe në bazë të këtyre kundërshtimeve, KRRE më pas merr vendime. Ndaj edhe një herë apelojmë tek qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë për vetë-raportim. Ne e kemi prezantuar atë disa vite më parë. Ajo gjendje e njehsorit, të cilën e raporton qytetari, është e detyrueshme që EVN ta zbatojë në llogaritë e saj”, tha Bislimoski.

KRRE në fund të dhjetorit të vitit të kaluar mori vendim për uljen e çmimit të energjisë elektrike për familjet nga 1 janari me 5.16 për qind për bllokun e parë, për bllokun e dytë dhe që tarifa e lirë të mbetet e njëjtë, për bllokun e tretë rritje me 2.88, dhe për bllokun e katërt me 1.86 për qind.

Siç njoftoi Bislimoski në një konferencë për media, nga 1 janari është marrë vendim që të vendoset tarifa për qasje në rrjet prej 200 denarë në muaj. Nëse nuk do të vendosej kjo tarifë, theksoi Bislimoski, do të kishte rritje të çmimit të energjisë elektrike për 3,4 përqind në bllokun e parë, për 8,62 në të dytin, për 9,46 në të tretën dhe për 4,92 përqind në bllokun e katërt, ndërsa çmimi i energjisë elektrike me tarifë të lirë do të rritej me 15.42 përqind. Po ashtu, siç ka thënë kryetari i KRRE-së, me këtë lëvizje është bërë e mundur zvogëlimi i tarifës së rrjetit për gati 23 përqind.