“Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave”, funksionarët e RMV-së: Mundemi dhe duhet t’i mbrojmë gratë dhe vajzat

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski sot, në ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, mbajti fjalim në kuadër të projektit të Odës për Siguri Private “Shuplaka portokalli – të bashkuar në aktivizëm kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave”, transmeton Portalb.mk.

“Paragjykimet rreth dhunës ndaj grave dhe vajzave, janë shkatërruar në masë të madhe vitet e fundit në botë dhe në vendin tonë. Sa më shumë ballafaqoheshim me këtë problem, aq më shumë rritej vetëdija për kompleksitetin e përgjithshëm, specifikën, kushtëzimin e problemit, gjegjësisht sa dhe në çfarë mase ky fenomen socio-patologjik ndikon objektivisht pothuajse në të gjitha segmentet e jetës dhe funksionimit shoqëror”, theksoi Spasovski, duke shtuar se në prizmin e praktikës policore në aspektin e dhunës ndaj gruas, përballemi jo vetëm me mosfunksionim familjar, por me një sërë faktorësh të rëndë social-ekonomikë.

Spasovski shtoi dhuna në familje, është problem serioz dhe kërkon vëmendje dhe veprim nga ana e institucioneve përkatëse pasi të dorëzohet denoncim, të gjitha me një qëllim të vetëm, mbrojtja e viktimave dhe ndëshkimi i autorëve të dhunës.

“Në pritje të aksionit global të Kombeve të Bashkuara – 16 ditë aktivizim kundër dhunës me bazë gjinore, është e nevojshme që të gjithë së bashku si shoqëri, por në radhë të parë si njerëz solidarë dhe të dhembshur ndaj njëri-tjetrit, të vazhdojmë në mënyrë më ambicioze dhe të organizuar në eliminimin e kësaj të keqeje – dhunës ndaj grave dhe vajzave”, u shpreh Spasovski.

Ministri e përfundoi fjalimin e tij me citate nga Deklarata e Përgjithshme e OKB-së për të Drejtat e Njeriut duke theksuar se ne mund dhe duhet të mbrojmë gratë dhe vajzat.

Edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, për këtë çështje foli në manifestimin e parë që nis 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, të quajtur “Enigma” organizuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe zyrat e UNFPA-së në Maqedoninë e Veriut.

„Sonte është ngjarja e parë me të cilën fillojmë 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore dhe mendoj se shumë simbolikisht kjo ngjarje është quajtur “Enigma” nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, vetëm një sistem i mirëstrukturuar, gjithëpërfshirës, kompleks dhe i përkushtuar nga shumë pjesë mund të përgjigjet në mënyrë adekuate, të parandalojë dhe mbrojë”, tha Bytyqi.

Në këtë “Enigmë” çdo pjesë është e rëndësishme, shtoi Bytyqi, të gjithë e dimë zhgënjimin kur mungon një pjesë e enigmës që kemi bërë me durim.

“Dje fola në hapjen e konferencës vjetore të Platformës së Sipërmarrësisë së Grave ku theksova se gjysma e grave në vendin tonë janë jashtë tregut të punës. Kjo është diçka që të gjithë duhet ta adresojmë dhe të punojmë për ta zvogëluar. Duke rritur ndërgjegjësimin, duke krijuar mundësi dhe sigurisht duke krijuar kushte që nuk do t’i lejojnë ata të jenë të varur ekonomikisht, gjë që në enigmën tonë i bën ata të rrezikuara. Pikërisht për këtë, politikat me ndjeshmëri gjinore nuk janë çështje ekskluziviteti, por fokusi është te potenciali i pashfrytëzuar i grave dhe është e drejtë e tyre. Ato gjithashtu duhet të përfshihen në planifikimin dhe zbatimin e politikave tona”, tha Bytyqi.