Diskriminimi ndaj grave rome në punësim është problem shumështresor në RMV, tregon raporti i KPMD-së
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) prezantoi sot raportin tematik mbi diskriminimin ndaj grave rome në fushën e marrëdhënieve të punës, në prag të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Raporti synon të na kujtojë rëndësinë e barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të grave, veçanërisht atyre që përballen me diskriminim të shumëfishtë dhe ndërsektorial, transmeton Portalb.mk.
Raporti analizon situatën me diskriminimin në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2024 dhe ofron rekomandime për masa institucionale dhe sistemike për të kapërcyer pengesat strukturore në punësim.
Sipas të dhënave, romët përbëjnë rreth 2.53 përqind të popullsisë në vend, sipas regjistrimit të vitit 2021. Në vitin 2023, shkalla e përgjithshme e papunësisë ishte 13 përqind, ndërsa në mesin e popullsisë rome arriti në rreth 67 përqind. Përveç kësaj, vetëm 8 përqind e grave rome janë të punësuara, duke treguar përjashtim serioz strukturor nga tregu i punës. Gratë rome shpesh punojnë në sektorin informal, pa mbrojtje sociale dhe shëndetësore dhe me qasje të kufizuar në masat e punësimit.
“KPMD ka autoritetin për të vepruar në rastet e diskriminimit ndaj grave rome në punësim në sektorin publik dhe privat. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi njeh diskriminimin e shumëfishtë dhe ndërsektorial, i cili është thelbësor për mbrojtjen e grave rome në fushën e marrëdhënieve të punës”, tha anëtari i Komisionit Zekir Abdulov.
Ai theksoi se numri i ankesave të paraqitura për diskriminim është shumë i ulët. “Nga 407 raste të sapohapura në vitin 2024, afërsisht 40 përqind janë për diskriminim të mundshëm në vendin e punës ose në punësim, ndërsa vetëm tre janë për diskriminim ndaj romëve në fushën e punësimit, nga të cilat vetëm në një rast u vërtetua diskriminim”, tha Abdulov.
Ai shpjegoi se Komisioni vepron mbi ankesat e qytetarëve, duke u përballur me argumentet e të dyja palëve – ankuesit dhe personit ose entitetit të cilit i drejtohet ankesa, pas së cilës përcaktohet nëse ka elementë diskriminimi.
“Bazuar në atë veprim, Komisioni përgatit mendim që sugjeron heqjen e mangësive dhe heqjen e pozicionit të padrejtë në të cilin ndodhet personi i diskriminuar”, konfirmoi Abdulov.
Kur u pyet se si gjykatat e vlerësojnë mendimin e Komisionit, ai theksoi se në raste të caktuara gjykata konfirmon mendimin e KPMD-së, por ka edhe raste kur vendimi është në kundërshtim me mendimin e Komisionit.
“Megjithatë, gjykata është organ i pavarur dhe juridiksioni ynë përfundon me fillimin e një procedure kundërvajtëse nëse rekomandimet tona nuk ndiqen”, shtoi Abdulov.
Fuqizimi ligjor dhe ekonomik i grave rome do të kontribuojë në rritjen e përdorimit të mekanizmave për mbrojtje nga diskriminimi dhe pjesëmarrjen e tyre në konsultime mbi politikat që i prekin drejtpërdrejt ato.
“Raporti rekomandon së pari mbledhjen e të dhënave të ndara sipas etnisë dhe gjinisë që do të ndihmojnë në identifikimin dhe vërtetimin e diskriminimit, masa specifike për të kapërcyer sfidat e identifikuara, forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e qytetarëve nga diskriminimi për forma të ndryshme të diskriminimit, përmirësimin e standardeve të provave në procedura dhe futjen e procedurave të qarta për raportimin e diskriminimit”, tha Sevgi Idriz Muratoglu, drejtore e Departamentit për Parandalimin e Diskriminimit dhe Promovimin e Parimit të Barazisë, në prezantim.
Sa i përket mbrojtjes gjyqësore, në periudhën 2022–2023, u dhanë 19 vendime nga gjykatat themelore civile në lidhje me diskriminimin në punësim, nga të cilat vetëm tre u paraqitën nga gratë.
Përfundimi i raportit është se diskriminimi ndaj grave rome në punësim është një problem strukturor dhe shumë-shtresorë, zgjidhja e të cilit kërkon veprim të koordinuar nga institucionet, gjykatat, inspektoratet, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë komunitetet.
Kujtojmë se së fundmi, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) arriti në përfundimin se Maqedonia e Veriut ka zbatuar pjesërisht rekomandimin për të adresuar çështjen e dokumenteve personale dhe numrat e amzës për romët që nuk kishin prova të mjaftueshme identiteti, ndërsa nuk e ka zbatuar rekomandimin për t’i dhënë autonomi financiare Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Zyrës së Avokatit të Popullit.