Ekspertë nga katër vende diskutuan për përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në shoqëri
Në kuadër të projektit ndërkombëtar “ID:CITIZEN”, më 27 maj u mbajt konferenca online “Si të krijojmë një shoqëri pa barriera?”, ku pjesëmarrës nga disa vende diskutuan për përmirësimin e aksesueshmërisë dhe përfshirjes së personave me nevoja të veçanta në jetën publike dhe në komunitet, shkruan Portalb.mk.
Konferenca e realizuar përmes platformës ZOOM, mblodhi përfaqësues nga organizatat partnere Shoqata për Barazi nga Maqedonia e Veriut, “Hand in Hand” nga Hungaria, Fondacioni i Integrimit nga Polonia dhe Shoqata “Tenenet” nga Sllovakia. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, pushtetit lokal, organizatave civile, si dhe profesionistë nga fusha e urbanizmit, arkitekturës dhe kulturës.
Ngjarja shërbeu edhe si aktiviteti përmbyllës i projektit, ku u prezantuan rezultatet e vizitave studimore të realizuara në Poloni dhe Sllovaki, si dhe praktika që mund të zbatohen në vende dhe komunitete të ndryshme. Pjesëmarrësit vlerësuan se nuk ekziston një model i vetëm ideal për aksesueshmërinë, por se secili shtet ofron përvoja të vlefshme për ndërtimin e sistemeve më funksionale dhe gjithëpërfshirëse.
Në fokus të konferencës ishte publikimi “Rekomandime për Politika për Përmirësim të Përfshirjes”, i cili synon të shërbejë si udhërrëfyes praktik për institucionet, autoritetet lokale, planifikuesit urbanë, organizatat civile dhe aktorët e tjerë që punojnë për krijimin e komuniteteve të aksesueshme për të gjithë.
Dokumenti përfshin rekomandime për krijimin e aksesueshmërisë sistemike, përmirësimin e lëvizjes në qytete dhe promovimin e hapësirave publike gjithëpërfshirëse në Maqedoni, Poloni, Hungari dhe Sllovaki. Botimi është përgatitur në pesë gjuhë dhe është i qasshëm në faqen zyrtare të projektit.
“Aksesueshmëria shpesh mbetet e fragmentuar dhe zbatohet në mënyrë jokonsistente. Nevojiten koordinim më i fortë institucional, monitorim dhe financim për ta bërë atë pjesë reale të jetës së përditshme dhe jo vetëm zotim deklarativ”, deklaroi Gere Tripkov nga Shoqata për Barazi.
Nga konferenca u theksua se aksesueshmëria duhet të trajtohet si standard i domosdoshëm për qeverisje demokratike, zhvillim të qëndrueshëm dhe pjesëmarrje të barabartë në jetën publike. Pjesëmarrësit kërkuan aksesueshmëri më sistematike në planifikim, financim dhe zbatim të politikave për përfshirje sociale.
Projekti “ID:CITIZEN”, i mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit, synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të nxisë ndryshime konkrete drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme për të gjithë.
Ndryshe, çdo vit e ardhmja e rreth 80 të rinjve varet nga ajo nëse dikush në ministritë përkatëse do të ketë vullnetin politik ta shtypë butonin e duhur dhe të pranojë se tre vitet e shkollimit të tyre nuk janë thjesht “kohë e humbur”, por një bazë legjitime dhe e vlefshme për jetën e tyre profesionale.