Dimitriev: Kushtet në spitalin e Koçanit për trajtim të të lënduarve nga zjarri nuk janë të kënaqshme
Fotografitë shqetësuese të të lënduarve në Koçan i publikojmë në rrjetet sociale si një alarm, thotë Marko Dimitriev nga “Support Koçani” në një intervistë për Radio Evropa e Lirë. Dimitriev thekson se këto fotografi nuk janë të atyre që janë më rëndë të lënduar, por të atyre me lëndime mesatarisht të rënda dhe që janë në proces rehabilitimi, transmeton Portalb.mk.
“Aktualisht në Koçan ka mbi 50 fëmijë që kanë nevojë për shërim dhe rikuperim. Ne kemi biseduar me njerëz nga Holanda, Gjermania dhe Bullgaria për prodhimin e veshjeve kompresuese, si dorashka, pajisje për këmbët, gjoksin, fytyrën dhe qafën. Këto janë ndihmesa që u duhen tani për t’u shëruar më shpejt. Nga spitali i Koçanit erdhën tek ne dhe patëm një bisedë ku së bashku u përpoqëm të gjejmë një mënyrë për t’i ndihmuar këta fëmijë. Prandaj, gjithçka që bëjmë në këtë moment, e bëjmë për të mirën e këtyre fëmijëve dhe për të parë se si mund t’i ndihmojmë, duke qenë se shohim që, në një farë mënyre, janë lënë pas dore,” tha Dimitriev.
Sipas tij, në fillim të gjithë mjekët, nga institucione të ndryshme shëndetësore, ndihmuan shumë dhe e kryen punën e tyre në mënyrë profesionale. Por tani, sipas tij, kushtet për trajtimin e disa të lënduarve në spitalin e Koçanit nuk janë të kënaqshme.
“Pra, ka fëmijë me plagë të hapura, kemi informacion se ka fëmijë me baktere dhe disa me infeksione. Ne mund t’i ftojmë të gjitha institucionet të vijnë dhe të shohin vetë, t’i shëtisim nëpër spital, të shohin situatën dhe mënyrën se si trajtohen këta fëmijë. Të shohin tualetet e spitalit, të shohin gjendjen e infrastrukturës atje dhe nëse ka nevojë për rikonstruksion. Ne kemi pasqyrën reale, jemi atje, komunikojmë me fëmijët, prindërit, të prekurit dhe të gjithë. Prandaj, të gjithë mund të vijnë dhe së bashku të shohim si mund të ndihmojmë, sepse e dimë që kushtet nuk janë ashtu siç paraqiten,” tha ai.
Dimitriev theksoi se që nga fillimi kanë deklaruar se janë të hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan të ndihmojnë, pavarësisht se nga cila parti, strukturë apo funksion vijnë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Katër pacientë të tjerë që u lënduan në zjarrin e Koçanit më 16 maj u kthyen nga jashtë vendit dhe do të mbahen nën vëzhgim në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohrit”. Në qendrat mjekësore të huaja për trajtim kanë ngelur edhe 11 pacientë të tjerë të lënduar në zjarrin e Koçanit.