Jo më Snapchat dhe TikTok, Greqia do të ndalojë rrjetet sociale për nën 15-vjeçarët

Kryeministri Kyriakos Mitcotakis ka njoftuar se Greqia pritet të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç nga 1 janari 2027, kjo për shkak të rritjes së ankthit, problemeve me gjumin dhe varësinë e platformave online, transmeton Portalb.mk.

Mitsotakis tha se fëmijët që kalojnë shumë orë para ekraneve nuk i lejojnë mendjes së tyre të pushojë dhe përballen me presion në rritje nga krahasimet e vazhdueshme dhe komentet online.

Një sondazh i opinionit nga ALCO, i publikuar në shkurt, tregoi se rreth 80% e të anketuarve e mbështesin një ndalim të tillë.

Qeveria greke tashmë ka ndaluar telefonat mobilë në shkolla dhe ka vendosur platforma të kontrollit prindëror për të kufizuar kohën e ekranit për adoleshentët.

“Greqia do të jetë ndër vendet e para që ndërmerr një iniciativë të tillë. Megjithatë, jam i sigurt se nuk do të jetë e fundit. Qëllimi ynë është të shtyjmë edhe Bashkimin Evropian në këtë drejtim”, ka thënë Mitcotakis.

Kujtojmë se Sllovenia, Britania e Madhe, Austria dhe Spanja gjithashtu kanë deklaruar se po punojnë në ndalime të ngjashme, pasi Australia u bë vendi i parë në botë që bllokoi qasjen për fëmijët nën 16 vjeç vitin e kaluar.