Vazhdon të rritet sasia e mbetjeve komunale të përziera të deponuara në rajonin e Shkupit (Infografik)
Në vitet e fundit (2020–2023) është arritur niveli më i lartë i mbetjeve të deponuara nga rajoni i Shkupit, me vlera prej rreth 160.000 deri mbi 170.000 tonë në vit. Në faqen zyrtare të deponisë Drislla mund të gjenden dy klasifikime të mbetjeve: mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, transmeton Portalb.mk nga RadioMof.
Me mbetje të rrezikshme nënkuptohet mbetja mjekësore që krijohet në institucionet shëndetësore (spitale, klinika, ambulanca, ordinanca stomatologjike, institucione që ofrojnë shërbime shëndetësore, laboratorë kërkimorë, institute, shoqëri veterinare etj.) e cila lind si rezultat i përdorimit të mjeteve dhe materialeve gjatë diagnostikimit, trajtimit dhe parandalimit të sëmundjeve te njerëzit dhe kafshët.
Situata me mbetjet jo të rrezikshme është edhe më alarmante, pasi në Drislla dërgimi i tyre po rritet vazhdimisht nga viti në vit. Me mbetje jo të rrezikshme nënkuptohet mbetja komunale e përzier, që është më e përhapura në sasi, por edhe mbetjet ndërtimore, mbetjet industriale jo të rrezikshme dhe mbetjet e azbestit.
Procesi i pranimit dhe trajtimit të mbetjeve komunale dhe teknologjike jo të rrezikshme fillon që në hyrje të deponisë. Automjetet komunale peshohen në peshoren që ndodhet në hyrje të instalimit, bëjnë të ditur nga Drislla.

Vetëm gjatë muajit mars janë deponuar 14.086 tonë mbetje komunale të përziera nga amvisëritë në territorin e qytetit të Shkupit.
Gjithashtu janë larguar 2.315 metra kub mbetje komunale të përziera, mbetje të mëdha dhe mbetje ndërtimore të hedhura në mënyrë të parregullt në hapësira publike dhe sipërfaqe rrugore në të gjitha komunat e Shkupit.
Sasia më e madhe e mbetjeve të hedhura në mënyrë të parregullt – 540 metra kub – është mbledhur në komunën e Karposhit, bëjnë të ditur nga NP Higjiena Komunale e Qytetit të Shkupit.