Disa maturantë bullgarë nëpërmjet fushatës “Me një bluzë në mbrëmjen e maturës” paratë e kursyera i dhuruan për jetimët dhe të rinjtë që nuk kanë mundësi të studiojnë. Ata dhanë mesazhin se nuk janë të pasur ata që blejnë veshje të shtrenjta. Të pasur shpirtërisht janë ata që shprehin përgjegjësi, solidaritet dhe dhembshuri për ata që vuajnë.
Nuk është turp të jesh i varfër. Turp është të jesh i pandershëm. Nuk ka pse të turpërohet i varfri kur mbijeton me djersën e tij. Duhet të turpërohet ai që pasurohet duke e shfrytëzuar mundin e të tjerëve. Nuk është turp të luftosh çdo ditë për të ushqyer familjen me punë të ndershme. Turp është të jetosh në luks me punë të pandershme. “Secili fitim që nuk e pasqyron punën është i pandershëm”, tha Tolstoi.
Një shoqëri është e sëmurë moralisht kur aty humbet ndjenja e turpit; kur paturpësia ngrihet në vlerë dhe ndershmëria përçmohet.
Mit’hat Frashëri thoshte se i pasuri duhet të kujdeset për të varfrin. Por, kur gjithçka përmbyset, atëherë i varfri punon që të shtojë pasurinë e të pasurit. Është e mjerë shoqëria ku të pasurit pasurohen dhe të varfrit varfërohen më shumë.
I vlerësoj të pasurit që janë të dobishëm për shoqërinë, që krijojnë vende pune dhe u japin mundësi të tjerëve të jetojnë me dinjitet, por jam kundër shfrytëzimit të njerëzve dhe të pronës publike. Shoqëria ku keqpërdoret prona publike për përfitime personale, ka probleme me emancipimin e saj.
I pasur është ai që ka dhembshuri për të varfrin. Shoqëria që humbet ndjenjën e solidaritetit dhe të dhembshurisë, bëhet e padurueshme.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.