‘Poshtë qeveria’: Në Teatrin e Tetovës u dha premiera e “Anatomisë së Revolucionit”, shfaqja do të jepet edhe sonte (Video)
Mbrëmë në Teatrin e Tetovës, u dha premiera e shfaqjes “Anatomia e Revolucionit”, bazuar në veprën “13” të Mike Bartlett, nën regji të Butrint Pashës. Edhe pse në numër të kufizuar të karrigeve, skena ishte e stërmbushur me artdashës, shkruan Portalb.mk.
Shfaqja ishte kamertale dhe i gjithë procesi ndodhi në skenë, edhe publiku edhe aktorët ishin në skenë.
Kjo dramë shtroi një pyetje të ngutshme dhe shqetësuese: Çfarë do të mund të ndodh pas hedhjes së bombës atomike, jo vetëm si armë, por si ide?
Regjisori nga Kosova, Butrint Pasha për Portalb.mk tha se kjo shfaqje ka për synim të motivojë secilin shikues të mos besojë në mrekulli, por të gjejë heroin brenda vetës, dhe tu ringjallet gjykimi kritik vetanak.
“Me kënaqësi të veçantë kam zgjedhur të punoj këtë shfaqje në Teatrin e Tetovës, një vepër që e kisha ndër vite në sirtar, pasi që konsideroj që ky qytet e ka të njohur protestën dhe konsideroj që më shumë se kurrë më parë e ka të nevojshme që ta thërras prapë. Motivi për të bërë këtë shfaqje vie nga një thënie e Frojdit: “Rritja ndodh prej çlirimit”. Jodomosdoshmërisht protesta nënkupton kaos, apo mosbindje, por një nevojë për ndryshim”, tha Pasha.
“Anatomia e Revolucionit” shqyrton peshën ekzistenciale të shkatërrimit, fuqinë e pranisë njerëzore, dhe tensionin filozofik mes qenies dhe asgjësë. Bomba atomike shfaqet si një forcë simbolike në rrëfim, ku ajo është një prani psikologjike dhe emocionale, një metaforë për një kërcënim të vazhdueshëm që ekziston në mendjet dhe ëndrrat e personazheve.
Drama vë në pikëpyetje ideologjitë dominonte-kapitalizmin, racionalizmin dhe marksizmin-duke ekspozuar kufizimet e tyre në arritjen e një lirie të vërtetë njerëzore.
Në shfaqje luajtën aktorët: Adrian Aziri, Linda Shabani, Arsim Kaleci, Elmir Sejfullai, Arta Zejneli,Blerim Ismani, Mona Mustafa, Sanije Bekteshi, Burhan Amiti, Sheqerie Iljazi, Merita Limani, Altrim Mamuti, Berat Saliu, Bekim Smaili, Sami Mustafa, Jetmir Arifi, Shpresa Hashimi, Bekim Jahiu, Mia Katarxhieva, Andi Aliji dhe Ermal Çanga.
Për shkak të numrit të kufizuar premiera e shfaqjes “Anatomia e Revolucionit”, do të jepet edhe më sontë më (11 qershor) dhe nesër më (12 qershor).
Biletat mund të merren te biletaria e teatrit.