Doli numri i parë i revistës studimore “Journal Kosovo Music and Culture”
Doli në dritë revista “The Journal of Kosova Music and Culture”, kjo është revistë akademike që synon të botojë studime shkencore mbi muzikën dhe kulturën në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Revista synon të botohet dy herë në vit (maj-nëntor) me qasje të hapur, botuar nga Genc Bilge (Young Wise) Publishing Ltd në Isparta, Turqi, shkruan Portalb.mk.
Kjo revistë fokusohet në kërkime lidhur me kulturën muzikore, historinë dhe traditat e Kosovës, duke trajtuar edhe diversitetin kulturor e muzikor të Ballkanit. Ajo do të përmbajë artikuj origjinalë mbi muzikologjinë, etnomuzikologjinë, studimet kulturore dhe edukimin muzikor, duke paraqitur qasje teorike dhe praktike.
Krenar Doli, etnomuzikolog në Institutin Albanologjik-Prishtinë njëherit dhe përgjegjës i revistës “The Journal of Kosova Music and Culture”, për Portalb.mk tha se qëllimi i kësaj pune është që përmes punimeve analitike studimore të kujtohet, ruhen dhe mbrohen veprat e kompozitorëve kosovar.
“Qëllimi i kësaj pune është që përmes punimeve analitike studimore të kujtohet, ruhen dhe mbrohen veprat e kompozitorëve kosovar. Vlera këto që përmes analizave t; detajuara do të japin një dimension lidhur me muzikën tradicionale dhe atë të kultivuar. Pra me një fjalë përmes këtyre punimeve me karakter studimor do të përpiqemi t’i ruajmë, mbrojmë dhe t’i afirmojmë vlerat e mirëfillta të artit muzikor”, tha Doli.
Doli tha se në këtë revistë lexuesit mund të gjejnë tema të ndryshme nga muzikologjia dhe etnomuzikoligjia.
“Në numrin e parë studiuesit dhe lexuesit gjejnë tema të larmishme nga muzikologjia dhe etnomuzikoligjia. Janë katër punime analitike dhe dy recensione librash që para studiuesve dhe lexuesve vijnë nga studiues të dështuar, ruajtës dhe mbrojtës të kulturës muzikore shqiptare.
Në numrin e parë gjejmë punimin e prof.ass.dr.Rreze Kryeziu Breznica që flet për muzikën e kultivuar të skenës muzikore kosovare prej periudhes 1975 deri në periudhën 2015. Gjithashtu gjejmë punimin e prof.asoc.dr. Bekim Ramadanit që lidhet me kontributin shumëplanësh e Lorenc Antonit në muzikën shqiptare.
Në punimin e tretë paraqitem unë me një punim për këngët që lidhen me tematikën e mërgimit. Janë pikërisht modelet e përzgjedhura që pasqyrojnë si është më së miri plagën e mërgimit. Punimi i katërt vjen nga studiuesja e muzikologjisë prof.asoc.dr. Holta Kilica Sina që lidhet me figurën e Avni Mulës.
Gjithashtu për studiuesit dhe lexuesit e apasionuar në revistë do të gjejnë edhe dy recensione për librat e sapo botuar. Recensionin e prof.asoc.dr. Albin Sadikut për monografinë “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”, si dhe të prof.asoc.dr Hasan Said Tortop që lidhet me librin e Aluş Nuşit për jetën dhe vepramtarinë e tij të frytshme muzikore”, tha Doli.
Nuk do të mungojnë edhe punime nga antropologjia kulturore dhe letërsia si dhe lëmi të tjera, tha Doli.
“Revista fokusin e saj e ka në muzikologji, në muzikologjinë krahasuese dhe në etnomuzikologji po nuk do të mungojnë edhe punime nga antropologjia kulturore dhe letërsia dhe me disiplinat e ndryshme që lidhen me muzikën”, tha Doli.
Ai tha se e kanë parë ta botojnë në gjuhën angleze, që të jetë referencë e rëndësishme pë të gjithë ata studiues të vendit dhe të huaj që duan të dinë më shumë për artin muzikor.
“E kemi parë ta botojmë në gjuhën angleze sepse qëllimi ynë kryesor është që këto materiale që do të botohen të jenë të qasshme për studiuesit ndërkombëtarë dhe për të gjithë ata që duan të njihen më afër me kulturë muzikore të vendit tonë. Qëllimi kryesor i revistës që për një kohë të shkurtër ajo të indeksohet nëpër platformat e ndryshme akademike dhe që të jetë referencë e rëndësishme pë të gjithë ata studiues të vendit dhe të huaj që duan të dinë më shumë për artin muzikor”, tha Doli.
Doli edhe më tej shtoi se pjesë e kësaj reviste mund të jenë të gjithë studiuesit kredibil që punojnë në prezantimin e kulturës shqiptare.
“Të gjithë ata studiues kredibil që punojnë në prezentimin e kulturës shqiptare janë të hapur të dërgojnë hulumtimet e tyre dhe të jenë promovues të vlerave universale që mbartë kultura në përgjithësi dhe muzika në veçanti”, tha Doli.
Revista në fjalë si synim primarë ka që të iu shërbejë studiuesve dhe studentëve si burim kredibil shkencor, duke kontribuar kështu në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe përhapjen e shprehisë muzikore dhe jo vetëm.