Dështoi themelimi i Qendrës për kulturë “Mehmet Pashë Deralla” në Tetovë, BDI nuk e përkrahi, VMRO-ja “tradhtoi” Besën

Këshilli i Komunës së Tetovës nuk arriti të sigurojë votat për themelimin e Institucionit Publik Komunal Qendra për Kulturë “Mehmet Pashë Deralla”. Këshilltarët e VMRO-së që janë pjesë e shumicës në Këshill nuk ishin në sallë gjatë diskutimit dhe votimit për këtë pikë, ndërkaq 12 votat e Lëvizjes Besa dhe 1 e Alternativës nuk mjaftuan që kjo pikë të kalojë, 11 këshilltarët e BDI-së, 2 të LSDM-së dhe 1 i PDSH-së votuan të përmbajtur, shkruan Portalb.mk.

Përpara se kjo pikë të vihej në diskutim, këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Angell Karapetrov kërkoi pauzë, Këshilli shkoi në pauzë disa minuta, ndërkaq kur rifilloi seanca pas pauze dhe filloi diskutimi dhe votimi për këtë pikë, këshilltarët e VMRO-së nuk u futën në sallë. Pika nuk kaloi, ndërsa menjëherë pas kësaj këshilltarët e VMRO-së u futën në sallë.

Kamera e Portalb.mk e kapi këtë moment.

Valedin Ademi nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës sqaroi se pasi të gjithë institucionet kulturore janë në kompetencë të Ministrisë së Kulturës kanë vendosur që të krijojnë institucion që do përfshijë çdo aktivitet kulturor artistik ku hapësirat do mund të shfrytëzohen nga çdo organizatë, institucion dhe qytetarë pa pagesë.

“Komuna e Tetovës nuk ka pasur institucion kulturor në suazat e saja kështu që vendosëm të bëjmë themelim të tij. Kjo drejtori do të financohet nga Komuna e Tetovës dhe njëkohësisht nga projektet që do realizohen me ambasadat e huaja”, tha Ademi.

Kundër kësaj pike dolën këshilltarët e LSDM-së. Gligorije Stojanovski theksoi se nuk ka nevojë për të hapur institucione tjera kulturore kur vetëm ka të tilla.

“Mendoj se nuk ka nevojë për të hapur institucion t tillë… mendoj se ka punë më të rëndësishme që duhet të bëhen se sa të hapen institucione paralele”, tha Stojanovski.

Këshilltari nga BDI-ja, Veton Murati tha se materiali për këtë pikë ishte shumë i thatë.

“Nuk ka asnjë projekt se çka do bëhet si do bëhet, as organogram si do funksionojë ky institucion, Mendoj se është i ngutshëm”, tha Murati, i cili mes tjerash shtoi se nuk është problem për tu përkrahur por që duhet të diskutohet mirë.

Pasi kjo pikë nuk kaloi, këshilltarët e Lëvizjes Besa dhe ata të BDI-së filluan me akuza të ndërsjella.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi theksoi se kjo pikë do të vendoset përsëri në rend të ditës në një nga seancat e ardhshme të këshillit.

Debatin për këtë pikë mund ta gjeni në videon e mëposhtme duke filluar nga 02:21:49