ShGM dhe UNDP ndanë çmimet për storjet gazetareske për vitin 2023 lidhur me ndotjen e ajrit në vend

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot solemnisht ndau çmimet për vitin 2023 për storje gazetareske me temë: “Përballja me ndotjen e ajrit në Maqedoninë e Veriut”. Çmimi i parë iu nda gazetares Katerina Topalova Dejanovska për storjen me titull “Dimër i vështirë”, publikuar në “Doma.edu.mk”. Bëhet fjalë për produkt gazetaresk i përbërë nga pesë artikuj radhazi, të cilët përfshijnë hulumtime cilësore dhe gjithëpërfshirëse gazetareske, duke iu referuar rregulloreve ligjore dhe intervistave, transmeton Portalb.mk.

Çmimi i dytë iu nda gazetares së “Vidi Vaka” Angela Petrovska për produktin gazetaresk me titull “Vend pa zgjidhje për ajër të pastër”, ndërsa çmimi i tretë iu nda gazetarëve Toni Mihailov dhe Igor Stojanov për temën “Mbeturinat tekstile – nga ndotësi në lëndë të parë dhe produkt me vlerë të re” publikuar në “Goce.mk”.

Përveç të shpërblyerve, sot mirënjohje të veçantë iu dha edhe gazetarëve Bojan Blazhevski, Martin Pushevski dhe Hristina Gjorgjievska për qasjen e tyre inovative dhe kreative dhe kontributin në ngritjen e vetëdijes publike për mjedisin.

Në këtë ngjarje solemne, fjalën morën kryetari i ShGM-së, Mladen Çadikovski, ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Jain dhe përfaqësuesi aktual i UNDP-së në vend, Armen Grigoryan, si dhe gazetarë dhe përfaqësues të komisioni për vitin 2023.

Kryetari i ShGM-së Mlladen Çadikovski në fjalimin e tij para të pranishmëve theksoi:

“Çdo ditë jemi dëshmitarë të efekteve shkatërruese të ndotjes së ajrit në shëndetin e njerëzve, mjedisin dhe shoqërinë në tërësi. Nga qytetet e mbytur nga smogu e deri te vendet industriale që nxjerrin gazra helmues, provat e kësaj krize janë të pamohueshme. E megjithatë, shumë shpesh, mbetet i anashkaluar ose i nënvlerësuar në diskursin publik. Si gazetarë, ne duhet të njohim fuqinë e medias, të vendosim problemin para qytetarëve, të kërkojmë llogari nëpërmjet përfaqësimit tonë në media dhe vendosjes së përmbajtjes. Në këtë mënyrë, ne kemi mundësinë të inkurajojmë ndryshime të rëndësishme duke forcuar ndërgjegjësimin e publikut, duke u angazhuar në gazetarinë investigative. Nëpërmjet punës tonë ne mund dhe duhet të shpjegojmë ndikimet e ndotjes së ajrit dhe t’i sjellim më pranë qytetarëve”.

Ambasadorja e Suedisë, Ami Larson Jain theksoi se rezultatet e punës së gazetarëve të shpërblyer dëshmojnë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut “ka gazetarë të aftë të raportojnë me integritet dhe përkushtim për tema komplekse dhe sfiduese si ndotja e ajrit.”

“Suedia mbetet një partneri i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut në drejtim të përballimit të sfidave mjedisore dhe luftës së përbashkët kundër ndotjes së ajrit”, theksoi Larson Jain.

Armen Grigoryan, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend, theksoi se roli i gazetarëve në ngritjen e vetëdijes për nevojën për t’u përballur me sfidën e ndotjes së ajrit është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Për zbatimin efektiv të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit” është i nevojshëm një partneritet i fortë me të gjithë faktorët me ndikim në shoqëri. Në këtë drejtim, ne vlerësojmë shumë kontributin e gazetarisë investigative të lirë dhe të pavarur. Gazetarët po kërkojnë përgjigje për pyetjet më të rëndësishme – çfarë e ndot ajrin që thithin qytetarët dhe çfarë masash duhen marrë? UNDP së bashku me Suedinë në projektin që zbatohet në pesë qytete të vendit, me ndihmën e shkencës dhe ekspertizës, fokusohet në të njëjtat çështje. Ndotja e jashtme dhe e brendshme e ajrit matet në dy shkolla dhe kopshte në secilin prej qyteteve. Studimet për shpërndarjen e burimeve të ndotjes së ajrit do të mundësojnë zhvillimin dhe zbatimin e planeve më të përshtatshme për përmirësimin e tij”, tha Grigorjan.

Qëllimi i thirrjes publike për histori hulumtuese ishte rritja e ndërgjegjësimit për problemet ekzistuese të ndotjes së ajrit dhe inkurajimi i mbulimit më të madh të këtyre temave nga gazetarët vendas dhe kombëtarë, si një kontribut në gjetjen e mënyrave më të mira për zgjidhjen ose zbutjen e tyre.