Dëshmi nga të rinjtë në diskotekën e djegur në Koçan: U dogj për dy minuta, u bë rrëmujë, më ka humbur motra

Familjarët e fëmijëve të lënduar në diskotekën e Koçanit, në një prononcim për 360 Gradë, treguan gjendjen e të lënduarve. Branko Mitev nga Koçani, përballë Spitalit“8 Shtatori” pret të shohë nipin e tij 23-vjeçar, transmeton Portalb.mk.

Ai thotë se nipi i tij është plagosur lehtë, por është i traumatizuar.

“Një numër i madh të rinjsh, 51 kanë vdekur, të gjitha spitalet janë plot me të lënduar. E sollën këtu nipin me ambulancë, ne i ndoqëm. Nuk mund të hyj për ta parë tani. Kam informacione se shoku i tij i ngushtë ka ndërruar jetë, i lutem Zotit që të mos jetë kështu”, tha Mitev.

Edhe bashkëqytetari i tij nga Koçani po pret të shohë nipin 21-vjeçar. Dhe ai ishte mirë, i thirri vetë për t’i njoftuar se ishte në spital.

Në një prononcim, ai tha se në diskotekë kishte fëmijë të moshës 15 deri në 23 vjeç.

Një vajzë e cila ishte brenda në diskotekë dhe e cila po pret para spitalit “Shën Naumi i Ohrit” për të informuar për gjendjen e miqve të saj, në një deklaratë për media ka thënë se për dy minuta ka rënë zjarri dhe se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, dhe se zjarri ka filluar në çati.

“Ata u përpoqën të rianimojnë njerëzit në vend. Zjarrfikësit dhe ambulanca mbërritën në kohë, por nuk mjaftuan. Në dalje pati rrëmujë. Për momentin pres një shok këtu, ka djegie në dorë. Në fillim nuk mund të besonim se kishte tym dhe zjarr, dhe më pas pati panikë të madhe mes të pranishmëve dhe pati rrëmujë në dalje nga klubi”, tha vajza e cila nuk deshi të filmohet.

Nga ana tjetër, Marija Taseva ishte një nga të lënduarat nga zjarri në diskotekën në Koçan. Ajo theksoi se në momentin që filloi zjarri të gjithë filluan të vrapojnë jashtë për të shpëtuar veten.

“Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha Taseva.

Babai i saj theksoi se nuk kanë informacion për vajzën e dytë, e cila është 25 vjeçe.

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur. Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 25 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.

LEXO MË SHUMË NË:

Fëmijët nga mosha 14 deri në 24 vjeç janë viktimat e tragjedisë në Koçan

51 persona kanë vdekur dhe mbi 100 janë lënduar nga zjarri në një diskotekë në Koçan, prokuroria po heton rastin