Çolloviq Leshoska: Nëse ndotet burimi Rashçe, uji nuk do të mund të përdoret as për qëllime teknik
Deponia me qindra mijë metra kub zgjyë kromi tek ish “Jugohrom”-i me vite theksohet si rrezik potencial për burimin Rashçe, nga i cili furizohet Shkupi me ujë të pijshëm. Ana Çolloviq Leshoska, biologe nga organizata civile “Eko-svest” në intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se në qoftë se vjen deri në ndotje me krom gjashtëvalent, uji nga ky burim nuk do të mund të përdoret as për qëllime teknike, që do të thoshte humbje e pakthyeshme e resursit më të rëndësishëm të ujit në kryeqytet, njofton Portalb.mk.
“Sinqerisht shpresojmë se shteti seriozisht e kupton këtë çështje. Ajo çfarë duhet të potencoj se Rashçja është një nga shembujt e rrallë ku e kemi vendosur mbrojtjen, por është fakt se ujërat nëntokësor komunikojnë mes vete. Për këtë arsye paraqitet problemi se rreziku nga ndotja e ujit nëntokësor nga ‘Jugohrom’-i mund të ndikojë në pellgjet nëntokësore të Rashçes dhe këtu të shkaktojë ndotje të burimit të ujit të pijshëm. Është shumë e rëndësishme të përmendet se Ministria e Mjedisit Jetësor duhet të sjellë vendim konkret se si do të ballafaqohet me deponinë që ta eliminojë këtë rrezik nga ndotja e ujit të pijshëm”, deklaroi Çolloviq Leshoska.
Lidhur me atë se aty ka mbeturina prej 882.000 metra në kub zgjyrë nga kromi, ajo thotë se sasia është serioze por më serioze është përbërja e deponisë.
“Kromi gjashtëvalent është kancerogjen dhe vdekjeprurës për njerëzit dhe gjithçka përreth. Në qoftë se shkaktohet ndotje e ujit, ne nuk do të mundemi ta përdorim atë ujë madje as për qëllime teknike – në mënyrë të pakthyeshme do ta humbnim burimin Rashçe, për shkak se shkakton rrjedhje të këtij elementi kimik në ujërat nëntokësore, gjithashtu tani për tani, për fat të keq, ai ujë që derdhet nga vetë zgjyra, hyn edhe nëpër lumenj.
Lidhur me problemet në burimin Shum nga i cili furnizohen me ujë qytetarët e Strugës, Çolloviq Leshoska theksoi se ekzistojnë disa arsye se pse mund të kenë ndodhur probleme. Potencoi se një prej tyre është statusi ilegal i sistemeve ujësjellëse me të cilët shfrytëzoet uji i pijshëm nga burimet, për shkak të mospërfundimit të procedurës për legalizimin e tyre, ndërsa me këtë, siç tha, edhe mosveprim sipas Ligjit për konfirmim të regjimeve të mbrojtjes së atyre objekteve ose burimeve ujësjellëse.
“Ndërsa tjetra është – aktivitete kryesisht ilegale të cilët mund të ndodhin në vendin ku nxirret uji i pijshëm. Për fat të keq, në Maqedoni kemi shumë mjedise rurale, fshatra dhe lagje të cilat nuk kanë sistem legal ujësjellës. Gjegjësisht, në kohën kur kanë qenë të ndërtuara, nuk ka pasuar legalizim i tyre sipas ligjit të ri dhe regjistrimin e tyre në kadastër, kështu ato objekte dhe sisteme ujësjellëse nuk ekzistojnë në pajtueshmëri të dokumentacionit. Kështuqë, ekziston rreziku që të vendoset objekt ose të përdoret uji për dedikime tjera – prodhim energjie elektrike, gërmim të zhavorrit, nxjerrje rëre e kështu me radhë – mbi vendin ku merret uji i pijshëm, gjë që do të rezultojë në humbje të ujit të pijshëm. Kemi shumë raste të tilla në Maqedoni: në Makedonski Brod, në fshatin Krapa, është ndërtuar një hidrocentral që merr pothuajse të gjithë ujin dhe nuk ka mbetur asgjë për të pirë sepse marrja është poshtë hidrocentralit”, theksoi Çolloviq Leshoska.
- LEXO: Guroret në “Shum” kanë turbulluar ujin e Strugës, dy kompani po gërmonin në afërsi të burimit
- LEXO: Prokuroria nisi hetim për ndotjen e ujit të pijshëm në Strugë
- LEXO: OKB: Dy miliardë njerëz konsumojnë ujë të pasigurt
- LEXO: Qytetarët e RMV-së po harxhojnë gjithnjë e më shumë ujë, ndërkohë që paguajnë gjithnjë e më pak fatura