Qytetarët e RMV-së po harxhojnë gjithnjë e më shumë ujë, ndërkohë që paguajnë gjithnjë e më pak fatura

Qytetarët e Maqedonisë konsumojnë më shumë ujë çdo vit, por mbledhja e faturave po zvogëlohet. Nga ana tjetër, humbjet e ujit në nivel kombëtar janë rritur në 64 përqind për shkak të rrjetit të vjetëruar, por në vend të investimeve, kompanitë e shërbimeve publike kanë rritur numrin e të punësuarve. Çmimi i ujit më shpesh nuk mbulon as kostot themelore operative, por pavarësisht kësaj, një pjesë e madhe e kompanive të shërbimeve nuk kanë kërkuar çmime të reja, transmeton Portalb.mk.

Arsyeja për këtë është se metoda aktuale e përcaktimit të çmimit është komplekse, financiarisht e paqëndrueshme dhe shërbimi është i pamjaftueshëm, prandaj humbjet e ujit janë vazhdimisht në rritje. Analizat nga Komisioni Rregullator për Energjetikë tregojnë se nga 79 kompani që ofrojnë shërbime uji, janë miratuar vendime rregullatore për 20 prej tyre, ndërsa këshillat komunale nuk kanë dhënë pëlqim për 11 prej tyre.

Siç u theksua në tryezën e rrumbullakët “Iniciativa për ndryshimin e procedurës për përcaktimin e tarifave të shërbimeve të ujit dhe ndikimin e tarifave përkatëse në problemet më urgjente me të cilat përballen kompanitë e shërbimeve” të organizuar nga Shoqata e Ofruesve të Shërbimeve – ADKOM, nëntë kompani të shërbimeve publike as nuk paraqitën kërkesë për çmim të ri. Prandaj, KRRE duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për përcaktimin e çmimit përfundimtar të ujit.

“Qëllimi i kësaj iniciative është të krijojë një sistem më të thjeshtë, transparent dhe të qëndrueshëm për përcaktimin e tarifave të shërbimeve të ujit përmes ndërhyrjeve në zgjidhjet ligjore. Ne ofrojmë një proces të qartë dhe të thjeshtë për përcaktimin e çmimit përfundimtar. Ne propozojmë shkurtimin e procesit burokratik nga gjashtë në dy hapa, me paraqitjen e një kërkese dhe përcaktimin e çmimit përfundimtar. KRRE ka kohë që ka dhënë alarmin se metoda aktuale e përcaktimit të çmimeve është joefikase: cilësia e shërbimit po vihet në dyshim, defektet po rriten dhe kompanitë e shërbimeve publike po luftojnë për likuiditet”, tha Lirim Sulejmani, zëvendëskryetar i KRRE-së.

Analizat tregojnë se nga viti në vit konsumojmë sasi më të mëdha uji, ndërsa mbledhja po zvogëlohet dhe numri i punonjësve po rritet. Tarifat aktuale të ujit nuk i mbulojnë kostot reale dhe për këtë arsye kompanitë e shërbimeve publike operojnë me humbje, kështu që komunat detyrohen t’i subvencionojnë ato. Pasojat janë shumëdimensionale, dhe ajo që është më shqetësuese është se për shkak të mungesës së fondeve, nuk ka investime, ndërsa përqindja e humbjes së ujit po rritet nga viti në vit, dhe e gjithë kjo është rezultat i rrjetit të vjetër të furnizimit me ujë.

“Zbatimi i kësaj iniciative do të krijojë parakushtet që KRRE të zbatojë vendime dhe masa rregullatore që do të sigurojnë vetëmbështetjen e kompanive të shërbimeve publike në planin afatgjatë. Ne përcaktojmë një çmim përfundimtar, por gjithashtu parashikojmë fonde të detyrueshme për investime dhe kufizojmë numrin e punonjësve”, tha Faton Ambari, anëtar i KRRE-së.

Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” muajin qershor vuri re një rritje të madhe të konsumit të ujit, veçanërisht në orët e pasdites. Sipas sistemit për monitorimin dhe matjen e konsumit ditor të ujit, u përcaktua se më 23 qershor, konsumi ditor i ujit arriti në 356 mijë metra kub, ose 700 litra për kokë banori.

Për shkak të konsumit të rritur, “Ujësjellës dhe Kanalizime” u bëri thirrje qytetarëve që ta përdorin ujin me ndërgjegje dhe në mënyrë racionale. Prandaj, ata thonë se duhet të shmanget shpërdorimi i panevojshëm i ujit për ujitje të gjelbërimit, kopshteve dhe fushave, për larjen e makinave dhe për mbushjen e pishinave.

Ndërmarrja gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që nëse vërejnë një lidhje të paligjshme, ta raportojnë atë në numrin e telefonit: 02 3070 010, ose në adresën e email-it: [email protected], si dhe në faqen e internetit: www.vodovod-skopje.com.mk.

Lidhjet e paligjshme, shton ndërmarrja, shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta në sistem dhe në cilësinë e furnizimit me ujë.