Prokuroria nisi hetim për ndotjen e ujit të pijshëm në Strugë

Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka hapur lëndë për të hetuar ndotjen e madhe të ujit të pijshëm në zonën e Strugës dhe veprat e mundshme penale kundër mjedisit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, është urdhëruar inspektim në fshatin Shum, ku ndodhen burimet e ujit. Në kontroll do të marrin pjesë edhe institucionet kompetente për mjedisin, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me informacionin për ndotjen e madhe të ujit të pijshëm dhe nevojave themelore në zonën e qytetit të Strugës, Prokuroria Themelore Publike e Strugës ka hapur lëndë për të hetuar shkaqet dhe veprat e mundshme penale të kryera kundër mjedisit dhe natyrës”, thonë nga Prokuroria.

Ata shtojnë se në koordinim me Ministrinë e Brendshme – NjPB Strugë, është lëshuar urdhër që policia gjyqësore të inspektojë një vendndodhje në fshatin Shum, ku ndodhen burimet nga të cilat furnizohet me ujë të pijshëm zona e qytetit të Strugës. Gjatë inspektimit duhet të jenë të pranishme edhe shërbimet inspektuese kompetente në fushën e mjedisit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Qendra për Shëndetin Publik. Do të ndërmerren edhe veprime të tjera inspektuese.