Çka premtojnë Erkan Arifi dhe Nexhmedin Sadiku në programet e tyre për Komunën e Likovës?
Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Likovës garojnë dy kandidatë, kryetari aktual i komunës Erkan Arifi nga AKI, dhe Nexhmedin Sadiku nga VLEN. Në Komunën e Likovës këto zgjedhje të drejtë vote kanë 26,362 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e Arifit dhe Sadikut nga programet e tyre.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 22.1 % shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 18.5 % mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 17.3% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 16.3 % korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 14.3% arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit) dhe probleme tjera me 11.5 %.

Infrastruktura
Premtimet në programine Nexhmedin Sadikut për infrastrukturën:
Programi “Bekatonizim i Drejtë”, asfaltimi ose shtrimi i 50 km rrugë në të gjitha lagjet, duke filluar nga zonat më të neglizhuara. Asfaltimi dhe ndriçimi i rrugës Mateç – Llopat. Mateç – rregullimi i rrugës që dërgon për në Manastir. Asfaltim i rrugës Hotël-Llopat. Në fshatin Mateç – ndërtimi i urave te Aga Ziadin dhe rruga që lidh papallarët me duqanin e Hamdijës. Bekatonizimi i rrugës së Shurdhanëve dhe për familjen e Goshincëve, do të shtrohen rrugët me kubëza betoni. Në fshatin Hotël – bekatonizim dhe kanalizim. Në fshatin Orizare – bekatonizimi i rrugicave, çdo rrugicë brenda fshatit do të shtrohet me kubëza betoni. Asfaltimi dhe zgjerimi i rrugës Llojan – Vaksincë. Në fshatin Opajë – rrugët që nuk janë të rregulluara në fshat do të rregullohen. Rregullimi i rrugës kryesore e fshatiti, që lidhet prej fshatit Sllupçan deri në fshatin Runicë me gjatësi prej 6 kilometra.
Premtimet e Erkan Arifit për infrastrukturën:
Asfaltimi i të gjitha rrugicave kryesore në fshatin Nikushtak. Asfaltimi i rrugicës te lagja “Therranda”, në fshatin Likovë. Asfaltimi i rrugicës prej tek ura e deri te filtër stacioni – rezervuari 1.000 m³ në fshatin Likovë. Vazhdimi i asfaltimit të rrugës lokale prej në fshatin Dumanovcë deri në Goshincë. Asfaltimi i rrugicës prej rrugës regjionale në drejtim të kopshtit “Rrezja” në fshatin Orizare. Asfaltimi i rrugicës prej qendrës së fshatit, në drejtim të shtëpisë së ish kryetarit të komunës, Vaid Sahitit, në fshatin Orizare. Asfaltimi i rrugicës prej shkollës fillore komunale “Faik Konica” deri te varrezat e fshatit Silupçan. Sanimi i rrugicës prej te varrezat e fshati Sllupçan e deri tek xhamija e epërme. Sanimi – Rekonstruimi i rrugicës prej tek ura në drejtim të varrezave të fshatit Opajë. Rekonstrumi i rrugës lokale Sllupçan – Vaksincë. Rekonstruimi i rrugës lokale Vaksincë – Llojan. Asfaltimi i të gjitha rrugëve kryesore në fshatin Vaksincë. Rekonstruimi i rrugës lokale Sllupçan – Runicë. Rekonstruimi i rrugës lokale në Bellanocë – Strazhë. Përfundimi i bekatonizimit të të gjitha rrugicave dhe hapësirave publike në territorin e Komunës së Likovës, Përfundimi i rregullimit te shtigjeve për këmbësore – trotuareve dhe ndriçimi i shtigjeve ekzistuese, në gjithë territorin e Komunës së Likovës.
Mjedisi
Premtimet në programin e Nexhmedin Sadikut për mjedisin:
Program ekologjik për mjedis të pastër. Mbjellje e pishave, riciklim dhe panele solare në ndërtesa publike. Vendosja e 100 shportave dhe 50 kontejnerëve të rinj në zonat më të ndotura (rrugë kryesore, shkolla, sheshe, tregje). Vendosje e tabelave paralajmëruese dhe edukative për ndalimin e hedhjes së mbeturinave. Organizimi i dy fushatave sensibilizuese çdo vit (pranverë dhe vjeshtë), në bashkëpunim me shkollat, imamët, shoqatat e grave dhe të rinjtë mbi ruajtjen e ambientit. Organizimi i aksioneve periodike “Likova e Pastër” në çdo stinë (4 herë në vit). Angazhimi i diasporës për financimin e projekteve mjedisore dhe dhurimin e pajisjeve. Përdorim i rrjeteve sociale, posterëve dhe aktiviteteve edukative për ngritjen e vetëdijes. Formimi i dy ekipeve mobile pastrimi, me mjete pune dhe automjete funksionale. Pastrimi i të gjitha deponive të egra.
Premtimet në programin e Erkan Arifit për mjedisin:
Rregullimi i përroskës në fshatin Nikushtak. Vazhdimi i rregullimit të përroskës në fshatin Ropalcë. Përfundimi i rregullimit të shtratit të lumit në fshatin Mateç. Përfundimi i ndërtimit të shtratit të lumit në fshatin Hotël. Përfundimi i ndërtimit të shtratit të lumit në fshatin Likovë. Përfundimi i ndërtimit të shtratit të lumit në fshatin Sllupçan. Rregullimi i përrockës në fshatin Vaksincë. Vazhdimi i mbjelljes së drunjëve, vendosjes së shportave në hapësirat publike dhe hapësira të reja të gjelbra.
Shërbimet komunale
Premtimet në programin e Nexhmedin Sadikut për shërbimet komunale:
Ujë i pijshëm për çdo shtëpi. Ndërtimi i një sistemi të ri ujësjellësi që mbulon 100% të territorit të Likovës brenda mandatit. Instalimi i ndriçimit led në rrugët kryesore dhe urave për siguri më të madhe natën. Gjelbërimi i ish deponisë së egër në Nikushtak. Pastrimi i të gjitha deponive të egra në territorin e komunës së Likovës. Në fshatin Nikushtak furnizim i qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Në Ropalcë furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë banorët. Kënd lojërash për fëmijë në qendër të fshatit, Ropalcë. Në Vaksincë furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm.
Premtimet në programin e Erkan Arifit shërbimet komunale:
Rregullimi i transportit publik. Modernizimi i ndriçimit publik – smart light. Përfundimi i rregullimit te shtigjeve për këmbësore – trotuareve dhe ndriçimi i shtigjeve ekzistuese, në gjithë territorin e Komunës së Likovës. Përfundimi i rekonstruimi i rrjetit sekondar të ujit të pijshëm në fshatin Hotël, ndërtimi i rezervuarit te ri dhe rekonstruimi i rezervuarit ekzistues. Ndërtimi i rezervuarit dhe rrjetit për ujë të pijshëm në fshatin Ropalcë. Ndërtimi i rezervuarit dhe rrjetit për ujë të pijshëm në fshatin Opajë. Përfundimi i ndërtimit të kanalizimit fekal në fshatin Hotël (pjesa e mbetur, pasi mbi 80 % është realizuar). Përfundimi i ndërtimit të kanalizimit fekal në fshatin Vaksincë (740 m e mbetura, nga gjithsej rreth 10 km). Përfundimi i të gjitha kanalizimeve fekale sekondare dhe terciare në territorin e Komunës se Likovës.
Arsimi
Premtimet në programin e Nexhmedin Sadikut për arsimin:
Modernizimi i shkollave me pajisje digjitale dhe metoda bashkëkohore mësimore. Bursa për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët. Krijimi i Qendrave për këshillim profesional dhe orientim akademik. Modernizimi i shkollave me pajisje digjitale, internet të shpejtë dhe platforma të mësimit online. Ndërtimi i laboratorëve shkencorë në shkolla të përzgjedhura. Bursa për nxënësit e suksesshëm të cilët kanë marrë një nga tre vendet e para në gara republikane. Tre bursa, në secilën fushë nga një (shkenca shoqërore, natyrore dhe tekniko-teknologjike) për studentet me mesatare më të lartë gjatë studimeve të tyre.
Premtimet në programin e Erkan Arifit për arsimin:
Përfundimi i rregullimit të oborrit – parterit në shkollën fillore komunale “5 Tetori”, në fshatin Nikushtak. Lyerja nga brenda e shkollës fillore komunale periferike “5 Tetori”, në fshatin Ropalcë, Rekonstruimi i shkollës fillore komunale periferike “Kultura” në fshatin Vishticë. Rekonstruimi dhe vazhdimi i rregullimit të oborrit – parterit në shkollën fillore komunale “Anton Zako Çajupi”, në fshatin Hotël. Rregullimi i nyjeve sanitare dhe lyerja nga brenda në shkollën fillore komunale “Faik Konica”, fshati Sllupçan. Mbindërtimi dhe rekonstruimi i shkollës fillore komunale “7 Marsi , fshati Opajë. Rekonstruimi i shkollës fillore komunale “Rilindja” fshati Llojan. Mbindërtimi dhe rekonstruimi i shkollës fillore komunale perferike “Dituria”, fshati Goshincë. Bursa për studentët, edhe atë për studentët me notë mesatare mbi 8,00, studentët që studiojnë në fakultete deficitare, dhe studenët që vijnë nga familje, me gjendje të rënde sociale. Ndërtimi i sallës sportive në shkollën fillore komunale “5 Tetori”, në fshatin Nikushtak. Rregullimi i rrethojës dhe ndriçimi publik i terrenit të hapur sportiv në shkollën fillore komunale “5 Tetori” në fshatin Nikushtak. Rregullimi i rrethojës dhe ndriçimi publik i terrenit të hapur sportiv në shkollën fillore komunale periferike “5 Tetori” në fshatin Ropalcë. Rekonstruimi i terrenit të hapur sportiv në shkollën fillore komunale periferike “Kultura” në fshatin Vishticë. Rregullimi i rrethojës dhe ndriçimi publik në shkollën fillore komunale “Anton Zako Cajupi” , në fshatin Hotël. Rregullimi i rrethojës dhe ndriçimi publik i terrenit të hapur sportiv në shkollën fillore komunale “Anton Zako Çajupi” në fshatin Hotël. Rregullimi i rrethojës dhe ndriçimi publik në shkollën fillore komunale “Dituria” në fshatin Likovë. Rekonstruimi i terrenit të hapur sportiv në shkollën fillore komunale “Faik Konica”, në fshatin Sllupçan. Përfundimi i ndërtimit të sallës sportive në shkollën fillore komunale “Rilindja”, në fshatin Llojan (e cila është në fazën e fundit).
Korrupsioni, nepotizmi, transparenca, llogaridhënia
Premtimet në programin e Nexhmedin Sadikut për transparencë dhe llogaridhënie:
Transmetimi i seancave të këshillit të komunës në faqen e Komunës së Likovës. Përgatitja e buxhetit të komunës në kordinim me banorët. Krijimi i një portali online për shpallje pune në komunë, me kritere të qarta dhe afate të përcaktuara. Dita e qytetarit, zyra e kryetarit e hapur për takime me qytetarët çdo të mërkurë. Publikimi në faqen zyrtare të komunës i shpalljes për tenderim për çdo konkurs, si dhe publikimi i ofertuesit fitues që e merr tenderin. Auditimi i pavarur vjetor nga ekspertë (në rast nevoje edhe të jashtëm). Platformë digjitale për ankesa dhe ide nga banorët. Krijimi i seksioneve të reja në faqen zyrtare të Komunës së Likovës, ku secili institucion komunal të ketë një nën-faqe ku qytetarët do të kenë qasje të drejtpërdrejtë për raportet mujore, buxhetet e shpërndara dhe planet e punës.
Premtimet në programin e Erkan Arifit për transparencë dhe llogaridhënie:
Në programin zgjedhor 2025–2029, misioni i Erkan Arifit, kryetar aktual i Komunës së Likovës, nuk ka hapa konrete për pjesën e transparencës dhe llogaridhënies.
Te pjesa e misionit të Arifit thuhet se “do të udhëheqi me përgjegjësinë time më të madhe, duke qenë gjithçka publike – transparente. Komuna e Likovës sikurse deri më tani, do vazhdoj te jetë derë e hapur për çdo qytetar, një vend ku zëri i secilit dëgjohet dhe respektohet”.
Probleme tjera
Premtimet në programin e Nexhmedin Sadikut nga fusha sociale, kultura, sporti, siguria, rinia, dhe bujqësia:
Mbështetje sociale për grupet vulnerabël. Qendra për mirëqenie sociale: Ndihmë për të moshuarit, familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara, duke bashkëpunuar me OJQ-të. Krijimi i kushteve të barabarta për të rinjtë në fshatra për të ushtruar sport në mënyrë të sigurt dhe të organizuar.
Ndërtimi dhe rinovimi i terreneve sportive në qendrat kryesore të komunës. Mbështetje për klubet sportive lokale dhe organizimin e aktiviteteve komunale për rini. Promovimi i sporteve si mjet për shëndet publik, disiplinë dhe integrim social. Ndërtimi i sallave sportive moderne në Likovë dhe vendbanimet më të mëdha të komunës, për zhvillimin e sporteve gjatë gjithë vitit. Krijimi i terreneve multifunksionale (futboll i vogël, basketboll, volejboll, hendboll) në lagje të ndryshme, të qasshme për nxënësit dhe rininë. Vendosja e tribunave të reja në qendrat rekreative sportive të komunës për kushte më të mira të organizimit të garave dhe aktiviteteve. Rikonstruimi dhe mirëmbajtja e terreneve ekzistuese, veçanërisht për futboll dhe basketboll, që të ofrojnë kushte më cilësore për sportistët dhe shikuesit
Realizimi i kampeve verore sportive në bashkëpunim me federatat dhe trajnerët lokalë. Organizimi i ligave komunale për nxënësit dhe të rinjtë, për të nxitur frymën garuese dhe sportin masiv. KK Rinia (karate): Investime në infrastrukturë dhe përkrahje në aktivitetet rinore.
Hapja e një zyre për ndihmës bujqësve për aplikim në programet IPARD. Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, do të hapim një qendër grumbulluese për prodhimet bujqësore, hapja e një magazinë/frigoriferi lokal ku fermerët mund ta dorëzojnë prodhimin dhe të kenë qasje më të lehtë në tregje më të mëdha.
Premtimet në e Erkan Arifit nga fusha sociale, kultura, sporti, ekonomia, rinisë, dhe turizëm:
Ndërtimi i kopshtit për fëmije në mes fshatrave Vaksincë dhe Llojan. Rekonstruimi i kopshtit ”Rrezja”, në fshatin Orizare. Vazhdimi me punë Qendrës për fëmijët me nevoja të posaçme në fshatin Orizare, duke i mbuluar komuna të gjitha harxhimet si: transportin, ushqimin, dhe të gjitha harxhimet e tjera të nevojshme.
Rregullimi i parterit – parkingut tek stadiumi “Abdulmexhid Shahini” në fshatin Sllupçan. Rregullimi i stadiumeve në vendbanimet e Komunës së Likovës. Vazhdimi i përkrahjes financiare të të gjitha klubeve sportive. Mbështetje financiare për Shoqatën bjeshkatare Alpiniste “Karadaku”.
Themelimi i Këshillit Rinor lokal. Lehtësim të procedurave rreth pasijes me leje për ndërtim dhe dokumentacioneve te tjera nevojshme. Lirim të te gjitha taksave dhe tatimeve komunale në përputhje me dispozitat ligjore ne fuqi, gjatë hapjes së bizneseve të reja. Hapja e zonës industriale në fshatin Nikushtak.
Ndërtimi i vikend shtëpizave nga investitorë të ndryshëm, te penda Gllazhnja. Kompleks hotelerie në Bellanoc, dhe Mirëmbajtje e vazhdueshme dhe investime të nevojshme në lokacionin “Te pishat” mbi fshatin Sllupçan.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.