Agron Arifi nga Më Mirë për Tetovën: Nuk do të hyjmë në pazare me partitë politike, do ta mbrojmë interesin e qytetit (Intervistë) 

Nisma e aktivistëve të pavarur Më Mirë për Tetovën do të garojë sërish në zgjedhjet lokale për Këshillin Komunal të Komunës së Tetovës, me bartës liste stomatologun Agron Arifi. Në një intervistë për Portalb.mk Arifi shpalosi planin me të cilin ata garojnë në këto zgjedhje. Gjatë bisedës Arifi foli për prioritetet e tyre dhe vizionin në fushën e mjedisit, infrastrukturës, shërbimeve komunale, arsim, transparencë dhe të tjera.

Portalb: Cilat janë prioritetet kryesore të nismës Më Mirë për Tetovën për këto zgjedhje dhe çfarë ju dallon nga partitë politike? 

Agron Arifi: Tre shtyllat kryesore të nismës Më Mirë për Tetovën janë transparenca, qyteti i pastër me më shumë parqe dhe Tetova e zhvilluar pa kaos urban. Te pjesa e transparencës mendoj se qytetarët e kanë vërejtur mungesën tonë në këshill, transparenca ka qenë e munguar gjatë këtyre tre viteve, për fat të keq Këshilli i Komunës së Tetovës është shndërruar në një makineri votuese ku këshilltarët partiakë i marrin urdhrat nga udhëheqësia partiake dhe të gjitha vendimet në Këshillin e Tetovës kalojnë pa asnjë diskutim konstruktiv thjesht votohet pro ose kundër edhe aty mbaron gjithçka. Mendoj se Këshillit të Tetovës duhet të ja japim atë vlerën apo nivelin e duhur të këshillit dhe ta mbrojmë interesin e qytetarëve dhe jo interesin e partive dhe bizneseve private të cilët kanë lidhje partiake. 

Portalb: Si do të angazhoheni si iniciativë në këshillin komunal për problemet infrastrukturore të Tetovës? 

Agron Arifi: Tetova ka shumë probleme, problemet për shembull te çështja e trafikut është një golgotë e përditshme për qytetin, mendoj se komuna më tepër duhet të investojë në çështjet alternative që mos i shfrytëzojnë veturat që mos krijohet kaos në trafik. Për fat të keq shtegu i biçikletave u hoq edhe pse kishte shumë mangësi, mirëpo mendoj se është një gjë urgjente, duhet të kthehet duke marrë parasysh se shumë qytetarë përfshirë edhe veten, e shfrytëzoj biçikletën edhe shumë qytetarë tjerë e shohim se i shfrytëzojnë edhe trotinetet elektrike, mendoj se duhet të gjendet një zgjidhje dhe të kthehet shtegu i biçikletave që qytetarët ta shfrytëzojnë dhe në një farë forme mos ndotet ambienti me veturat që janë në qarkullim. 

Portalb: Çfarë do të ndërmerrni për problemet e mjedisit sepse në Tetovë ka shumë? 

Agron Arifi: Tetova mund të them se është qytet i papastër, rrugët janë shumë me pluhur. Mendoj se komuna duhet më tepër të investojë në blerjen e mekanizacioneve për pastrimin e rrugëve, për fat të keq në Tetovë kam parë se ekziston vetëm një kamionetë për larjen e rrugëve që mendoj se nuk është e mjaftueshme për një qytet si Tetova, për shembull në lagjen time katër vitet e fundit asnjëherë nuk ka kaluar një kamionetë e cila do të bëjë larjen e rrugëve. Nuk mund të themi se Komuna e Tetovës nuk ka para të mjaftueshme pasi e kemi parë se nga buxheti i komunës janë paguar militantë partiakë, brenda katër viteve janë shpenzuar diku 2 milionë euro për honorare, shumë e cila nëse do ishte shfrytëzuar për gjëra siç është pastërtia e qytetit mendoj se do të ishte në një nivel më të kënaqshëm. 

Portalb: Për çfarë do të angazhoheni në fushën e arsimit? 

Agron Arifi: Mendoj se është problem i kamotshëm gati dy dekada, proces degradues që i ndodhë Tetovës, për fat të keq shkollat shfrytëzohen si mjet këmbimi dhe pazar midis partive politike, drejtorët e shkollave caktohen nga shtabet e partive në vend që të caktohen nga stafi i shkollës. Edhe sot e kemi këtë gjendje ku i shohim drejtorët e shkollave dukje ju qëndruar pas në mitingje-tubime kryetarëve të partive, kandidatëve për kryetarë të komunës. Për fat të keq kemi informacione se ushtrohet shumë presion ndaj mësimdhënësve që të bëhen pjesë e tubimeve, është imazh i shëmtuar t’i shohësh mësuesit, arsimtarët duke bërë fushatë dhe duke shpërndarë fllaera në rrugët e Tetovës në vend që të kujdesen për atë detyrën të cilën paguhen. Prandaj ne kemi ardhur deri në këtë gjendje, kualiteti i procesit edukativo-arsimor është evidente se ka rënë shumë. Duhet të ushtrohet presion që drejtorët e shkollave të caktohen me mandat katër vjeçar, mos lihen vetëm si ushtrues detyre, kjo është një prej metodave që partitë politike e përdorin që të ushtrojnë presion ndaj atyre dhe ato thjesht nuk janë të fokusuar për punën që janë të caktuar dhe nuk ndjehen të sigurt se a do jenë nesër në vendin e tyre të punës. Do insistojmë maksimalisht që kjo punë të ndërpritet, ndoshta nuk do mundim ta ndërpresim në total mirëpo do mundohemi që ta ndalim hovin e kësaj dukurie negative.

Portalb: Çfarë do të bëni në këshillin komunal që qytetarët e Tetovës të marrin shërbime komunale më të mira? 

Agron Arifi: Tre vitet e fundit qytetarët e kanë ndjerë në xhepin e tyre punën e taksave në komunë. Për fat të keq, këshilltarët komunal i kanë mbrojtur bizneset private, nuk kanë qenë në shërbim të qytetarit, ata nuk mundën t’i dalin zot shtëpisë së tyre e jo më t’i dalin zot qytetit. Ne e dimë se na erdhi një kompani private që merret me shërbimin e mbledhjes së mbeturinave, u shumëfishuan faturat e qytetarëve, është pak kontroverse mënyra e çmimores se si ata e kanë rregulluar, është e dhimbshme se kjo çështje nuk u diskutua në Këshillin e Komunës së Tetovës vetëm u votua edhe sot qytetarët i kemi me fatura më të larta. Përveç pjesës së mbeturinave e kemi edhe pjesën e tatimit të pronës e cila hypi diku mbi 50% diku edhe 100%, mendojmë se nuk është normale, çdo kryetar komune duhet t’i parashohë këto gjëra në programet kur del si kandidat për kryetar komune, atëherë qytetarët mund të japin vlerësimin se a do ta votojnë ose jo, dhe jo qytetarët të vijnë para aktit të kryer edhe të përballen me faturat e larta kur e dimë se jetojmë në një krizë ekonomike globale. NE do të bëjmë presion që të bëjmë ndryshimin e çmimores se Saubermacher por edhe te tatimi i pronës sepse është pjesë e programit tonë.

Si do të ndikoni që Komuna e Tetovës të jetë më transparente dhe të mbajë llogari për vendimet që i ndërmerr me theks të veçantë në shpenzimin e mjeteve publike?

Agron Arifi: Është çështje shumë e rëndësishme, derisa ne ishim pjesë e këshillit këto gjëra nuk ndodhnin, prej momentit kur kemi dalë nga këshilli atëherë komuna i bëri të gjithë këto punët jotransparente. Puna e “Xhob 2011” mendoj se është çështje që duhet të sqarohet, qytetarët duhet ta dinë se kush nga taksat e tyre marrin honorare, që mos krijohet huti në opinion, ta shohim sa është numri, çdo kryetar komune kur kandidon çdo herë kundërkandidatin e ka akuzuar për këto gjëra por për fat të keq kur janë bërë pjesë e udhëheqësisë komunale të njëjtat gjëra kanë vazhduar në komunë 

Për çfarë tjetër do të angazhohet Më Mirë për Tetovën në përjashtim të këtyre pikave që i përmendëm? 

Agron Arifi: Ne do angazhohemi fillimisht ta mbrojmë qytetin nga shumë dukuri negative, një prej dukurive negative që ka ndodhur ka qenë privatizimi i ndërmarrjeve publike, mendojmë se është një e keqe që i ka ndodhur Tetovës. Për fat të keq partitë politike i kanë dëmtuar dhe i kanë keqmenaxhuar ndërmarrjet publike, kjo nuk është një arsyetim për t’i privatizuar ato, mendoj se është ikje nga përgjegjësia privatizimi i ndërmarrjeve publike. Çdo ndërmarrje publike nëse menaxhohet si duhet, ka mjete të mjaftueshme për të funksionuar dhe do të ketë likuiditet. Te ndriçimi publik për shembull është shumë e thjeshtë ajo pjesa se me matematikë mund të del se sa është dëmtuar buxheti i komunës, nëse ato para për 15 vite do hynin në buxhetin e komunës ne mund t’i shfrytëzonim për shumë gjëra të mira dhe benefite për qytetin. Qytetarët duhet ta dinë se ne do ta mbrojmë interesin e qytetit, në pazare me partitë politke nuk do hyjmë sepse e duam qytetin, prioritet i yni është qyteti për dallim prej partive politike të cilat i shohin interesat e ngushta të një grupe njerëzish dhe e kanë qytetin mund të them në vend të tretë apo të katërt. Do mundohemi të ushtrojmë presion që këto gjëra të ndalohen edhe të ja japim qytetit vlerësimin e duhur dhe mundin sepse Tetovës ja kemi borxh. 

Kujtojmë se Më Mirë për Tetovën në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2021 mori 2,842 vota me çka fitoi dy këshilltarë, Hamdi Sulejmanin dhe Elmedina Abullain. 

Megjithatë, një vit më vonë në 2022 në zgjedhjet e jashtëzakonshme për këshillin komunal ata morën 761 vota, me çka nuk arritën të sigurojnë asnjë këshilltar. 

Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Tetovës garojnë gjashtë kandidatë, por rrethi i dytë pritet të zhvillohet midis kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasamit nga VLEN dhe Bajram Rexhepit nga AKI.

Zgjedhjet lokale të vitit 2025 do të të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.