“Çifti i hapur” në Gostivar, Portalbit iu dhurua mirënjohje nga Teatri për kontributin në sferën e kulturës

Në Teatrin e Gostivarit mbrëmë erdhi për të tretën herë komedia “Çifti i hapur”, e cila është shfaqur disa herë në skenat shqiptare dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut. Portalb mbrëmë pranoi mirënjohje nga drejtori i Teatrit të Gostivarit, Sulejman Rushiti, me të cilën u vlerësua si një prej mediave që angazhohet në mënyrë serioze për lajme të mirëfillta në fushën e kulturës, sidomos me këndin “Ciceronin Kulturor” ku qytetarët lajmërohen se çfarë organizimesh kulurore do të ketë në RMV, shkruan Portalb.mk.

Portalbit iu dhurua mirënjohje nga Teatri për kontributin në sferën e kulturës
Portalbit iu dhurua mirënjohje nga Teatri për kontributin në sferën e kulturës

Aktorët kryesorë të komedisë “Çifti i hapur”, Romir Zalla dhe Suela Bako, dhanë një deklaratë të shkurtër për Portalb.mk për mënyrën se si e kanë përjetuar interesin e publikut dhe reagimet e tyre për shfaqjen.

“Ne e ndjejmë se si ju e shijoni dhe kjo na bën ta shijojmë më shumë”, tha Suela Bako.

Romir Zalla u shpreh se kërkesa për rishfaqje të komedisë në Gostivar së bashku me atmosferën e festave i ka bërë ta shijojnë përvojën edhe më shumë se herën e parë.

“Çifti i hapur” është një komedi romantike që kritikon një nga trendet më të reja të lidhjeve dashurore, lidhjet e hapura, ku dy partnerët dakordohen që përpos njëri-tjetrit, të dalin edhe me persona tjerë. Martesa e protagonistëve të shfaqjes ka humbur shkëndijën dhe burri insiston që t’i lejojnë njëri-tjetrit të takojnë persona tjerë pa u divorcuar. Gruaja e përjeton keq këtë, por e pranon, meqë të dy janë njerëz modern dhe liberal.

Përderisa burri shpesh dhe me lehtësi i ndërron dashnoret, gruaja i mirëpret ato në shtëpi dhe mundohet të adaptohet me situatën, duke u përballur nga ana tjetër me faktin se si një grua jo dhe aq e re dhe për më tepër një nënë, me ndryshimet në trup që i kanë lënë vitet, e ka të vështirë të tërheqë vëmendje mashkullore.

Komedia sonte vjen në Institucionin Nacional të Qendrës së Kulturës (INQK) “Koço Racin” në Kërçovë. Hyrja do të jetë 200 denarë.