RMV, shumë lagje nën standard të padukshme për kryetarët, komuna e Çairit njëra prej tyre

Janë identifikuar 15 vendbanime nën standarde, prej të cilave më shumë se pesë gjenden në qytetin e Shkupit në komunat Gazi Babë, Karposh, Gjorçe Petrov, Çair dhe Shuto Orizar. Pothuajse çdo qytet në Maqedoni ka lagje nën standarde ku jeton popullata rome, tregon Raporti në hije për zbatimin e Strategjisë për romët të realizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave – Romalitiko, transmeton Portalb.mk.

Vetëm në Shkup gjenden vendbanimet Qeramidnica, Bërsjaçka Buna, Kvantashki pazar, Zlokuçan, Fushë Topana dhe Luka Gerov, të cilat janë pjesë përbërëse e komunave ku është vendosur komuniteti, shpesh të njohura si banuese në fillim të vendbanimit “ku përfundon asfalti”. Këto komunitete janë më të cenueshmet dhe më së shumti i ndjejnë pasojat e ndryshimeve klimatike dhe si masë për zbutjen e ndryshimeve klimatike, shteti duhet të ketë edhe një mekanizëm për mbrojtjen e këtyre grupeve vulnerabël të qytetarëve.

“Si rezultat i mos urbanizimit të vendbanimeve ku jeton komuniteti rom, vendbanimet e tilla nuk kanë infrastrukturë elementare, njerëzit jetojnë në banesa joadekuate, banesat nuk janë legalizuar, njerëzit kryesisht kanë gjendje civile të parregulluar, po zhvillohet një mjedis që është i ndotur dhe gjithashtu ka ndikim negativ në shëndet dhe ka kontribuar në uljen e jetëgjatësisë së komunitetit rom”, thotë Albert Memeti, përgjegjës për hulumtimin.

Konstatohet se më kritike janë vendbanimet Qeramidnica në komunën e Gazi Babës, lagjja Zllokuçan në komunën e Karposhit dhe një pjesë e Tophanës në komunën e Çairit. Këto vendbanime janë vendbanime të banuara për një kohë të gjatë me status të paqartë pronësie, banesat nuk janë të legalizuara, pjesë të caktuara nuk kanë qasje në infrastrukturën bazë komunale dhe popullsia jeton në banesa të improvizuara.

“Qëllimi i këtij dokumenti të politikave publike është të nxisë debatin publik dhe të inkurajojë autoritetet qendrore dhe lokale që të krijojnë programe në nivel lokal që do të synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe urbanizimin e vendbanimeve ku jeton komuniteti rom në qytetin e Shkupit”, shton Memeti.

Dokumentin e politikave publike i përgatitur duke përdorur të dhënat parësore të marra përmes pyetësorit të anketimit të 152 familjeve në komunat – Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Karposh, Çair dhe Shuto Orizari mund ta gjeni në këtë link.

Hulumtimi është kryer në prill dhe maj 2023 me një mbulim prej 152 familjesh, pra 529 persona. Rreth 74% e banesave në këto vendbanime kanë ekzistuar prej më shumë se 5 vitesh, çka tregon faktin se ato kanë ekzistuar për një periudhë më të gjatë kohore. Rreth 2% e banesave janë vetëm me një periudhë kohore ekzistence 1 vjeçare, gjë që jep tregues se numri i banesave nuk është në rritje.

“Pjesa më e madhe e banesave që nuk janë legalizuar janë në Zlokuçan, komuna e Karposhit, 12%, pasuar nga Luka Gerov me 8%. Nga banesat që nuk mund të legalizohen, shumica 15% ndodhen në Qeramidnicë, komuna e Gazi Babës, ndërsa 2% e banesave janë në Zllokuçan. Pamundësia e legalizimit të këtyre banesave është për faktin se nuk ka plan urbanistik dhe këto vendbanime kanë edhe infrastrukturë të dobët. Lëndët në procedurë legalizimi janë paraqitur në periudhën 2009-2015”, përfundon Memeti.

Sa i përket pronësisë së banesave, në numrin më të madh, gati 68% janë banesa të tyre, 11% janë banesa të improvizuara, ndërsa 21% janë me qira. E drejta për një mjedis jetese të pastër dhe të shëndetshëm është një e drejtë themelore qytetare, respektimi i plotë dhe i qëndrueshëm i së cilës është kusht për shëndet më të mirë, cilësi më të mirë dhe jetë më të gjatë të qytetarëve. Prandaj, çdo qytetar është njëlloj i detyruar të mbrojë, ruajë dhe përmirësojë ekosistemin natyror.