Bytyqi: Përmes programit TAV, komuna e Butelit do të bëhet me kopsht të ri për qindra fëmijë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, inspektoi punimet për ndërtimin e kopshtit për fëmijë në komunën e Butelit përmes programit TAV, i shoqëruar nga Darko Kostovski, kryetar i komunës së Butelit dhe përfaqësuesi i TAV Konstruksion, Emrah Tosun, transmeton Portalb.mk.

Në deklaratën e tij për media, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se me zbatimin e programit TAV po përmirësojmë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve tanë.

“Në komunën e Butelit po ndërtohet një kopsht i ri modern, për të cilin janë ndarë 580 mijë euro nga programi TAV. Në kopsht, banorët e këtij vendbanimi do të mund t’i lënë në përkujdesje deri në 100 fëmijë që nga mosha më e hershme, gjë që do të lehtësojë problemin e regjistrimit të fëmijëve të rinj dhe do të fillojë punën në shtator”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi shtoi se projektet e TAV janë duke u zbatuar në të gjitha komunat në mbarë vendin dhe se me një planifikim të mirë tashmë 70% e projekteve të nisura janë realizuar brenda afateve të përcaktuara, ose janë realizuar 56 projekte në 56 komuna dhe aktualisht 25 projekte janë në punim e sipër dhe janë planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit.

“Përmes programit TAV ndërtohen ujësjellës, kanalizime, salla sporti, rrugë, rrugica, kopshte, shtëpi për të moshuarit, qendra rinore, projekte infrastrukturore të rëndësishme për qytetarët që jetojnë në këto komuna. Ne jemi duke e forcuar infrastrukturën lokale dhe jam i kënaqur kur shoh dinamikën e zbatimit të projekteve. Ecuria e ndërtimit të këtij kopshti është rreth 70%, që do të thotë se së shpejti vogëlushët do të mësojnë në një kopsht modern me kushte moderne”, tha Bytyqi.

Kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski, nga ana e tij u shpreh i kënaqur me realizimin e projektit, i cili do të lehtësojë shumë regjistrimin e fëmijëve të vegjël në kopshte.