Petrovska: Ka ardhur kërkesë e re nga pala ukrainase për ndihmë ushtarake, e cila po shqyrtohet nga Shtabi i përgjithshëm

Nga pala ukrainase ka arritur një kërkesë e re për ndihmë shtesë ushtarake, por është e klasifikuar nga ana e tyre dhe nuk mund të jepen më shumë detaje, tha sot ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas përfundimit të konferencës me rastin e fillimit të aktiviteteve për stërvitjen shumëkombëshe “Përgjigje e shpejtë 23”, transmeton Portalb.mk.

“Javën e kaluar ka arritur kërkesë e re, kuptohet është e klasifikuar nga pala ukrainase, po shqyrtohet në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë, nëse mund të përgjigjemi dhe në çfarë mase. Nëse marrim opinion pozitiv, sigurisht që do ta informojmë opinionin përkatës nëse Qeveria merr vendim shtesë. Tani për momentin, siç e përmenda, është duke u bërë një analizë dhe sigurisht që jemi të hapur përderisa ka nevojë për mbështetje, që Republika e Maqedonisë së Veriut të japë mbështetje”, tha ministrja.

Petrovska përsëriti se kërkesa është e klasifikuar, duke theksuar se vendimet që janë marrë tashmë janë të deklasifikuara dhe të disponueshme për publikun.

“Ka më shumë kërkesa dhe siç thashë janë të klasifikuara dhe nuk do t’i ndaja me detaje. Atë që kemi dorëzuar deri tani dhe vendimet që kemi marrë deri tani, i kemi deklasifikuar tashmë siç i kam publikuar, mendoj se tashmë është publikuar në faqen e Ministrisë, ku vetëm kemi rezervuar të drejtën që të mos i përmendim, të mos i ndajmë sasitë, kjo për faktin se megjithatë është informacion operacional. Megjithatë, lloji, në kuptimin e asaj se çfarë lloj arme, armatimi kemi dhuruar tashmë është bërë i ditur”, shtoi Petrovska.

Deri më tani Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukrainës i janë dhuruar tanke, pajisje ushtarake, si dhe 12 helikopterë Mi-24.