Bytyqi: Deri në fund të këtij muaji duhet të ketë zgjidhje për pagat e zyrtarëve

Deri në fund të këtij muaji duhet të ketë një lloj zgjidhjeje për pagat e të zgjedhurve, pasi duhen ndryshime ligjore që duhet të kalojnë në Kuvend, tha sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi. Siç theksoi ai, grupi punues ende nuk ka paraqitur propozim për uljen e pagave të zyrtarëve për shkak se ministri i Shoqërisë Informatike këto ditë nuk ishte në vend, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se do të takohemi sërish këtë javë për të bërë një propozim. Mendoj se deri në fund të nëntorit do të duhet të ketë një zgjidhje të caktuar pasi sigurisht që do të kërkohen ndryshime ligjore që do të duhet të kalojnë në Kuvend. Paratë që do të mbeteshin do t’ua kthejmë pensionistëve, studentëve, të gjithë atyre që kanë më shumë nevojë se ndoshta zyrtarë të caktuar”, tha Bytyqi.

Lidhur me protestat e paralajmëruara të disa punonjësve në sektorin publik që kërkojnë rritje të pagave, ai tha se po bëjnë gjithçka që është e nevojshme dhe se nuk e kanë problem rritjen e pagave nëse merret shërbim adekuat dhe nëse nuk i dëmton të tjerët.

“Nuk ka asnjë problem – ne do të zgjidhim gjithçka, për sa kohë që kjo nuk i dëmton të tjerët. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë se nëse rritni fondin e pagave në shëndetësi, në prokurori, në gjykata, do të duhet të shkurtojmë pensionet, do të duhet të shkurtojmë ushqimin për studentët, do të duhet të shkurtojmë librat për nxënësit. Është e thjeshtë, kjo është zgjidha”, tha Bytyqi.

Zgjidhje për uljen e pagave të funksionarëve deri në fund të vitit, paralajmëroi edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska.

Siç tha ministrja, Qeveria është duke shqyrtuar dy mundësi. E para është miratimi i ligjit të ri për pagat në sektorin publik dhe e dyta është ndryshimi i gjashtë apo shtatë ligjeve që rregullojnë pagat e zyrtarëve.

“Kemi biseduar në qeveri, vendimin për ngritjen e pagave të zyrtarëve nuk e ka marrë Qeveria, por Gjykata Kushtetuese. Jemi duke diskutuar dhe duke kërkuar një mënyrë për të zgjidhur çështjen e rritjes së pagave të zyrtarëve”, tha Trençevska.

Nga ana tjetër kanë kaluar më shumë se një muaj që kur kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi më 18 tetor se materiali punues për zgjidhjen ligjore do të jetë gati për një ose dy javë, gjë që do të korrigjojë pagat e funksionarëce në “nivel më të pranueshëm”, të cilat tashmë janë rritur me 78 përqind për shtatë muaj me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Që atëherë, vetëm zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi i është rikthyer temës, duke thënë se do të nevojiten shtatë ndryshime legjislative për t’iu adresuar të gjithë 1260 funksionerëve.

Rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.