Kovaçevski: Për pagat e funksionarëve duhet një zgjidhje e drejtë që do të vlerësojë punën e të gjithëve

Grupi punues që do të punojë për korrigjimin e Ligjit për pagat e zyrtarëve duhet t’i ketë në dispozicion të gjitha aspektet pasi bëhet fjalë për dy ligje që rregullojnë pagat e të zgjedhurve dhe emëruarve dhe deputetëve. Së pari, duhet të arrijmë në një zgjidhje që do të bëjë vlerësim të drejtë të punës së secilit, sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, transmeton Portalb.mk.

Kovaçevski thotë se ende duhet të presim që zgjidhja të përgatitet nga grupi punues dhe pastaj të mund të diskutohet.

“Pagat e zyrtarëve rregullohen me dy ligje. Është ligji për zyrtarët e emëruar dhe të zgjedhur që rregullon pagën e kryetarit të shtetit, kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të qeverisë, të gjithë kryetarëve të komunave, të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe Ligji për deputetët që rregullon pagat e deputetëve. Së pari duhet gjetur një zgjidhje që do të bëjë një vlerësim të drejtë të punës së secilit. Ky është një opsion. Opsioni tjetër është të shkojmë në një drejtim krejtësisht tjetër dhe të bëjmë një zgjidhje populiste”, tha Kovaçevski sot, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së tij sot në kompaninë Globus.

Sipas tij, deri më tani dy zgjidhje populiste kanë rënë në Gjykatën Kushtetuese.

“Një ishte kur u ngrinë pagat e zyrtarëve dhe kur një sekretar në AEK kishte rrogë më të madhe se ministri i financave apo presidenti i një shteti. Zgjidhja tjetër ishte kur shkoi në një ekstrem tjetër, dhe pikërisht kur u tha se zyrtarët do të marrin pagë minimale, ndërsa Gjykata Kushtetuese e anuloi, sepse ka një sistem pagash në vend që nuk mund të derogohet”, tha Kovaçevski.

Lidhur me deklaratën e djeshme të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili tha: “Nuk mendoj se është për t’u mburrur kur politikanët thonë se rroga e tyre nuk është e rëndësishme, sepse në një farë mënyre po thonë se nuk jetojnë vetëm me pagën e tyre”, tha Kovaçevski se pajtohet me të sepse njerëzit punojnë për paga.

“Ka disa që thonë se do të punonin pa pagesë dhe unë nuk besoj në një person që do të punonte pa pagesë. Kam 25 vite përvojë pune dhe nuk besoj në njerëz që janë të gatshëm të punojnë pa pagesë”, shtoi Kovaçevski.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili sot vizitoi kompaninë bashkë me kryeministrin Kovaçevski, i pyetur nëse pajtohet që t’i reduktohet paga, tha se si anëtar i Qeverisë do ta pranojë vendimin e grupit punues.

“Nëse grupi punues vendos për ndonjë ulje apo ngrirje të pagave, unë do të mbështetem plotësisht si anëtar i Qeverisë”, tha Bekteshi, duke shtuar se të ardhurat e tij janë të publikuara në fletën e anketimit.

Kryeministri Kovaçevski dje deklaroi se në një ose dy javët e ardhshme duhet të ketë zgjidhje për lartësinë e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve, e cila do të jetë e pranueshme, e qëndrueshme dhe nuk do t’i nënshtrohet anulimit nga Gjykata Kushtetuese. Ministrat resor, të cilët janë pjesë e grupit të punës, u ngarkuan të përgatisin materialin e punës brenda javës së ardhshme.

Korrigjimin e Ligjit për pagat e zyrtarëve para tri ditësh e paralajmëroi edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, i cili tha se një pjesë e mjeteve do të ripërdoren për masa kundër krizës për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.

Krerët e shtetit, të Kuvendit dhe të Qeverisë nga maji marrin paga më të larta për rreth 70 mijë.

Pagat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të nënkryetarëve të Kuvendit janë rritur për rreth 60 mijë denarë, ndërsa të ministrave dhe deputetëve për rreth 56 mijë denarë.

Pagat e funskionarëve llogariten duke shumëzuar bazën me një koeficient të caktuar në varësi të pozicionit. Ligji për pagat e zyrtarëve parasheh që bazë të jetë paga mesatare e vitit paraprak, por për vite me radhë është ngrirë në nivel më të ulët. Më 21 mars, gjykata vendosi të heqë ngrirjen, pas së cilës pagat do të rriten ndjeshëm.

Paga më të larta nga funksionarët kanë presidenti i shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë. Ligji parashikon që ata të marrin pagë në masën e pagës mesatare të vitit të kaluar shumëzuar me koeficientin 4.5. Paga mesatare bruto e paguar në vitin 2022 është rreth 47 mijë denarë. Kësaj i shtohet një rritje prej gjysmë për qind për çdo vit stazh pune.

Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë.