Kanë kaluar tre javë që kur Kovaçevski tha se për një ose dy javë do të gjendet zgjidhje për korrigjimin e pagave të zyrtarëve

Kanë kaluar më shumë se tre javë që kur kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi më 18 tetor se materiali punues për zgjidhjen ligjore do të jetë gati për një ose dy javë, gjë që do të korrigjojë pagat e funksionarëce në “nivel më të pranueshëm”, të cilat tashmë janë rritur me 78 përqind për shtatë muaj me vendim të Gjykatës Kushtetuese, transmeton Portalb.mk nga SDK.

Më pas ai tha se ministrat nga dikasteret ekonomike do të punojnë që të arrihet zgjidhje për të arritur rregullim të pagave në nivel që do të jetë më i pranueshëm dhe në të njëjtën kohë i qëndrueshëm.

“Ministrat janë duke punuar dhe posa të përfundojnë, mendoj se për një javë ose dy do të mund të dalin me zgjidhje që do të mund të paraqitet në Qeveri dhe më vonë të dërgohet në procedurë parlamentare”, tha Kovaçevski tre javë më parë.

Që atëherë, vetëm zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi i është rikthyer temës, duke thënë se do të nevojiten shtatë ndryshime legjislative për t’iu adresuar të gjithë 1260 funksionerëve.

“Në fakt, doli që një ligj nuk mund t’i adresojë të gjithë 1,260 zyrtarët dhe se duhen shtatë amendamente të ligjeve sepse, për shembull, ndryshimi në një ligj nënkupton derogim të disa të drejtave nga një ligj tjetër, që është antikushtetues,” tha Bytyqi më 3 nëntor.

Rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.