“Ku jemi”: Universitetet publike dhe arsimi në RMV në katrahurë, fajtorët kanë emër (Ekspozitë)

Arsimi, veçanërisht ai i lartë ka nevojë për ndryshime dhe reforma urgjente. Këtë e ka konstatuar hulumtimi i Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) të cilët edhe përmes një ekspozite “Ku jemi” nxorën në dritë dështimet dhe fajtorët, siç thonë për të gjithë këtë katrahurë të arsimit në vend, raporton Portalb.mk.

Forumi për Ndryshime në Arsim ka analizuar nga institucionet më kredibile për matjen e cilësisë të universiteteve në mbarë botën se ku gjenden universitetet në Maqedoninë e Veriut, cila është cilësia dhe ku rangohen ata.

Blendi Hodai, drejtor i FNA-së thekson se si rezultat i hulumtimit disa mujorësh shfaqën ekspozitën “Ku jemi” për të treguar gjendjen reale dhe për të treguar se kush janë përgjegjës për këtë katrahurë në të cilën gjenden universitetet publike dhe arsimi në përgjithësi.

Blendi Hodai, drejtor i Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Blendi Hodai, drejtor i Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Nga pesë institucionet më kredibile për matjen e cilësisë të universiteteve në mbarë botën, Maqedonia e Veriut nuk figuron në tre prej këtyre institucioneve, asnjë universitet publik nuk është në tre institucionet për rangimin e universiteteve për nga cilësia, ndërkaq në dy prej tyre rangimi është në fund të listës, pra edhe universiteti më i mirë në vend, universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” rangohet në fund të listës së universiteteve më të mira në botë, që tregon për cilësinë reale që ne e kemi në arsim”, tha Hodai.

Ai shtoi se kanë shfaqur edhe 14 ministrat e arsimit dhe shkencës që kanë qenë nga viti 2000 deri në vitin 2023 “që janë konkretisht përgjegjës dhe duhet të mbajnë përgjegjësi morale për pozitën dhe gjendjen në të cilën është arsimi dhe universitetet në Maqedoninë e Veriut”.

“Si FNA ajo që duam të potencojmë nga kjo ekspozitë është se jemi në një moment në të cilin duhet të shfaqet një lloj urgjencë kombëtare për ndryshime në arsim, në mënyrë që të bëhen ndryshime radikale dhe të fillohet që për dhjetë vitet e ardhshme që të ketë ndryshim sado të vogël që të rritet edhe cilësia në arsimin e lartë, të luftohet korrupsioni në universitetet publike dhe në të njëjtën kohë të rritet transparenca e të njëjtave institucione”, tha Hodai.

Portalb.mk sjell ekspozitën edhe në formë virtuale për të gjithë ata që nuk patën mundësi ta ndjekin në hapësirat e FNA-së.