Trençevska: Deri në fund të vitit do të gjendet zgjidhje për uljen e pagave të zyrtarëve

Zgjidhje për uljen e pagave të funksionarëve do të ketë deri në fund të vitit, kështu ka paralajmëruar sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, transmeton Portalb.mk.

Siç tha ministrja, Qeveria është duke shqyrtuar dy mundësi. E para është miratimi i ligjit të ri për pagat në sektorin publik dhe e dyta është ndryshimi i gjashtë apo shtatë ligjeve që rregullojnë pagat e zyrtarëve.

“Kemi biseduar në qeveri, vendimin për ngritjen e pagave të zyrtarëve nuk e ka marrë Qeveria, por Gjykata Kushtetuese. Jemi duke diskutuar dhe duke kërkuar një mënyrë për të zgjidhur çështjen e rritjes së pagave të zyrtarëve”, tha Trençevska.

Nga ana tjetër kanë kaluar më shumë se tre javë që kur kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftoi më 18 tetor se materiali punues për zgjidhjen ligjore do të jetë gati për një ose dy javë, gjë që do të korrigjojë pagat e funksionarëce në “nivel më të pranueshëm”, të cilat tashmë janë rritur me 78 përqind për shtatë muaj me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Që atëherë, vetëm zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi i është rikthyer temës, duke thënë se do të nevojiten shtatë ndryshime legjislative për t’iu adresuar të gjithë 1260 funksionerëve.

Rritja e pagave me 78 përqind për mbi një mijë zyrtarë ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në mars për shfuqizimin e nenit 4 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, i cili shkriu pagat e zyrtarëve të cilat janë fiksuar që nga viti 2014. Që atëherë, bazë është paga mesatare e vitit paraprak e përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave.