Budapesti po e shqyrton në hollësi kredinë hungareze për Maqedoninë e Veriut
Kredia hungareze për Maqedoninë e Veriut është një nga katër rastet për të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë e Hungarisë dje (23 korrik) ka paraqitur kallëzime për dyshime për keqpërdorime në vlerë të përgjithshme prej rreth 1.000 miliardë forintësh. Të gjitha rastet lidhen me aktivitetet e bankës shtetërore Eximbank, transmeton Dojçe Vele (DW).
“Rasti i katërt për të cilin Qeveria e Tisës ka paraqitur kallëzim ka të bëjë me një kredi prej gati një miliard eurosh (360 miliardë forintë), të dhënë për Maqedoninë e Veriut gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga Viktor Orbán, përmes Eximbank”, raportuan mediat hungareze pas një takimi informues të kryeministrit hungarez me gazetarët.
Interesimi i opinionit në Hungari për këto raste është i madh, duke pasur parasysh se Eximbank është 100 përqind në pronësi të shtetit. Ajo funksionon në një strukturë të integruar së bashku me kompaninë hungareze për sigurimin e kredive të eksportit (MEHIB). Misioni i tyre i përbashkët është të mbështesin kompanitë eksportuese hungareze në ruajtjen e vendeve të punës, rritjen e punësimit dhe zgjerimin e kapaciteteve eksportuese të Hungarisë. Banka dhe kompania e sigurimit veprojnë me organizim dhe identitet të përbashkët korporativ, nën emrin EXIM.
Në qendër të kritikave – norma e interesit
Ajo që kryeministri hungarez e ka cilësuar si tregues problematik në rastin e Maqedonisë së Veriut është lartësia e normës së interesit, e cila ka qenë dukshëm më e ulët se ajo që u ofrohej kompanive hungareze.
“Kredia u dha me normë interesi prej 3,25 për qind, një normë shumë më e favorshme se ajo me të cilën mund të marrin kredi kompanitë hungareze, qytetarët apo edhe vetë shteti hungarez”, citoi portali 24.hu deklaratën e kryeministrit hungarez Peter Magyar.
Për të ilustruar problemin, përkatësisht faktin se arka shtetërore hungareze nuk kishte mjete të lira në atë masë, Magyar përmendi ndërtimin e centralit bërthamor “Paks 2”, për të cilin Hungaria kishte siguruar financim me normë shumë më të lartë interesi, si edhe në shumë marrëveshje të tjera.
Humbje mbi 90 miliardë forintë
Kritika kryesore është se, në vend që të mbështeste kompanitë hungareze, qeveria e Viktor Orbánit i dha një kredi të favorshme Maqedonisë së Veriut, një vend që vetë Eximbank e kishte klasifikuar si vend me rrezik të konsiderueshëm. Në të njëjtën kohë, i gjithë rreziku i kredisë ishte mbuluar me garanci 100 përqind nga shteti hungarez.
Sipas Magyarit, kjo marrëveshje i ka kushtuar buxhetit hungarez më shumë se 90 miliardë forintë, që paraqet diferencën ndërmjet normës së interesit në treg dhe normës së subvencionuar të siguruar për Maqedoninë e Veriut.
Një tjetër vërejtje ka të bëjë me mungesën e transparencës së marrëveshjes. Për këtë çështje në mediat hungareze qarkullojnë dy versione. Sipas njërit, Magyar ka deklaruar se marrëveshja është realizuar në fshehtësi, pasi opinioni hungarez ka mësuar për këstin e dytë të kredisë nga kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski dhe jo nga qeveria e Orbánit, e cila siguroi mjetet.
Sipas versionit tjetër, “hungarezët u informuan për kredinë nga ministri maqedonas i Transportit, përpara se për të të fliste Viktor Orbán”.
Kërkohet hetim i plotë
Eximbank u themelua me ligj nga Parlamenti hungarez në vitin 1994 me qëllim mbështetjen e tregtisë së jashtme dhe eksporteve të kompanive hungareze. Dy vjet më vonë (1996), ajo iu bashkua si vëzhguese Unionit të Bernës (bashkim ndërkombëtar i siguruesve të kredive dhe investimeve) dhe u bë anëtare themeluese e Klubit të Pragës, një rrjet ndërkombëtar me mbi 35 agjenci kreditore. Në vitin 1998 zgjeroi mundësitë e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme hungareze që hynin në tregjet ndërkombëtare.
Sipas mediave hungareze, Magyar ka bërë të qartë se pret që të katër rastet të hetohen në detaje për të zbuluar se ku kanë përfunduar paratë e taksapaguesve.
“Qeveria do të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për të përcaktuar nëse janë kryer vepra penale dhe, nëse po, sa serioze janë ato dhe ku kanë përfunduar paratë e taksapaguesve. Vlera e përgjithshme e katër rasteve është rreth 1.000 miliardë forintë, ndërsa kontrolli i thelluar në Eximbank dhe në kompanitë shtetërore nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjisë është ende në zhvillim”, ka deklaruar kryeministri hungarez.
Ai theksoi se qeveria nuk dëshiron dhe nuk do të “gjykojë” këto raste, pasi kjo është detyrë e organeve hetimore dhe më pas e gjykatave.
Peter Magyar nuk e përjashtoi as mundësinë që qeveria e Orbánit t’i ketë përdorur fondet e destinuara për mbështetjen e bizneseve hungareze për të forcuar pozitën dhe besimin e aleatit të saj në politikën e jashtme, madje edhe për të favorizuar kompani të caktuara të afërta me pushtetin.
Mbi 1.100 projekte nëpër komuna
Me fondet e shtetit dhe kredinë hungareze, në Maqedoninë e Veriut janë hapur 1.116 projekte në komuna.
Ish-ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, i pyetur muajin e kaluar për kritikat se qytetarët “nuk e shohin se ku po shkojnë paratë e kredisë”, u përgjigj se transparenca është në nivelin më të lartë dhe se Qeveria krenohet me rezultatet.
“Këto vendime nuk merren në fshehtësi. Të gjitha projektet janë publikuar në faqet e internetit të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, ministrive përkatëse dhe Qeverisë. Për më tepër, funksionon edhe ueb-faqja e specializuar Proekti.gov.mk, ku çdo qytetar mund të kontrollojë në kohë reale statusin e projekteve nga thirrja e parë dhe e dytë publike. Nuk kemi asnjë arsye të fshehim diçka për të cilën krenohemi”, citoi 4news.mk deklaratën e Perinskit.
Përparësitë dhe mangësitë
Shoqata Bankare e Maqedonisë vitin e kaluar publikoi një analizë profesionale të Monika Milkovskës, specialiste për linjat e huaja të kreditimit, ku analizohen përparësitë dhe mangësitë e linjës kreditore hungareze në aspektin e mbështetjes së kompanive.
Si përparësi përmenden qasja në kapital me kushte të favorshme, orientimi drejt veprimtarive prodhuese, afatet e gjata të shlyerjes dhe periudha e faljes, mbështetja për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe nxitja e bashkëpunimit ekonomik maqedono-hungarez.
Ndër mangësitë evidentohet “barra financiare për buxhetin e shtetit”, pasi norma e interesit për përfituesit përfundimtarë është 1,95 për qind, ndërsa shteti paguan edhe 1,35 për qind interes ndaj Eximbank-ut, si dhe “rreziku shtetëror në vend të rrezikut bankar”.
“Në bankimin klasik, bankat mbajnë rrezikun për kreditë e këqija. Në këtë rast, rrezikun e merr shteti. Nëse një pjesë e përfituesve nuk i kthejnë mjetet, humbjen nuk do ta mbajë banka, por shteti, pra qytetarët”, shkruan Milkovska.
Aspekti i tretë lidhet me qëndrueshmërinë e projekteve: nëse aplikimet nuk janë mjaftueshëm të përgatitura, ekziston rreziku i shfrytëzimit joefikas të mjeteve dhe pamundësisë për kthimin e tyre.
Aspekti i katërt është dilema nëse këto mjete mund të ishin orientuar drejt financimit të deficitit buxhetor, ndërsa i pesti është varësia nga marrëdhëniet politike dhe ekonomike.
“Si marrëveshje dypalëshe, kjo linjë kreditore varet në masë të madhe nga marrëdhëniet politike me Hungarinë. Nëse ndodhin ndryshime në politikën e jashtme, ato mund të ndikojnë në kushtet e ardhshme, mbështetjen ose realizimin e projekteve”, thuhet në analizë.
Në përfundim, analiza vlerëson se linja kreditore hungareze ka potencial të madh për rigjallërimin e sektorit prodhues në Maqedoninë e Veriut dhe për krijimin e kushteve për rritje afatgjatë.
“Kushtet e favorshme, fokusi te industria dhe mundësia për investime të gjelbra dhe digjitale janë përparësitë kryesore të saj. Por, njëkohësisht, ajo sjell rreziqe që lidhen me borxhin publik, buxhetin e shtetit dhe cilësinë e projekteve. Suksesi i kësaj nisme do të varet nga zbatimi me përgjegjësi, transparenca e proceseve dhe aftësia reale e kompanive vendase për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm me mjetet e siguruara”.
Kujtojmë se transheja e parë u realizua në mars nga Ministria e Financave prej 10.4 milionë eurove.
Transferimi u realizua me kërkesë të Bankës Zhvillimore për tërheqjen e mjeteve dhe pas miratimit të projekteve nga bankat afariste.
Në buxhetin e vitit 2025 janë planifikuar 250 milionë euro mjete për përkrahjen e kompanive vendase, të cilat do ta stimulojnë zbatimin e një cikli të ri investimesh në sektorin privat, i cili do të ndikojë në stimulimin e aktivitetit ekonomik.
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.