Mickoski paralajmëroi 250 milion euro projekte për komunat
Kryeministri Hristijan Mickoski sot paralajmëroi nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro nga Buxheti për projekte kapitale dhe për zhvillim, transmeton Portalb.mk.
“Premtuam zhvillimin e komunave dhe tani po e realizojmë duke siguruar 250 milionë euro për zhvillim infrastrukturor”, ka theksuar Mickoski.
Në takimin e punës me ministren e financave, Gordana Dimitrievska Koçovska dhe ministrin e vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, u përcaktua mënyra se si do të ndahen mjetet për komunat.
Sipas njoftimeve, pas rebalancimit dhe vendimit të Qeverisë në fund të muajit të ardhshëm, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të shpallë thirrje për të gjitha komunat që të aplikojnë për këto mjete.
“Mjetet janë të parashikuara për investime kapitale, të cilat përfshijnë shkollat, kopshtet, ujësjellësin, kanalizimet dhe infrastrukturën rrugore. Në këtë mënyrë realisht e përmirësojmë jetën e qytetarëve dhe po e vëmë shtetin në funksion të nevojave të tyre”, shtoi kryeministri.
Ndryshe, rebalanci i Buxhetit të RMV-së pritet të bëhet në fund të muajit korrik apo fillimi i muajit gusht.